Milani dhe e gjithë bota e futbollit janë në zi. Në moshën 66-vjeçare, të cilën e festoi më 8 maj, Franco Baresi ka ndërruar jetë. Ikona dhe legjenda e kuqezinjve, një nga mbrojtësit më të mëdhenj në histori, ka ndërruar jetë këtë mëngjes pasi vitin e kaluar kishte kaluar një operacion në mushkëri.
Sublimja dhe klasikja ishin kategoritë që mishëronte Franco Baresi, fytyra e të cilit mbante brazda si ato të disa statujave në muzetë e antikitetit. Edhe Gigi Riva ishte gdhendur në të njëjtën mënyrë. Ka fytyra që duket sikur lindin të destinuara t'i mbijetojnë kohës, dhe e njëjta gjë vlen edhe për disa gjeste të trupit.
Ndërhyrja rrëshqitëse paraprirëse e Baresit. Baresi që rikuperon topin dhe, në të njëjtin çast, e shndërron mbrojtjen në sulm, duke bashkuar dy fazat e lojës në një të vetme, të salduara nga një klas i pakufishëm. Koha e përkryer e ndërhyrjeve të Baresit. Përshpejtimet e tij. Krahu i ngritur i Baresit: "Arbitër, është pozicion jashtë loje." Ecja e tij jashtëzakonisht elegante, gjithmonë me kokën lart, ndërsa ajo kokë mbulohej nga kaçurrelat. Shpina e lehtë e harkuar dhe fuqia e tij e jashtëzakonshme në përplasje, si një kamion. Vështrimi i Baresit, sikur përreth atij absolute, jo vetëm futbollistik, të hapej papritur një heshtje e plotë.
"Kundërshtarët nuk shikonin topin dhe as lojën; ata shikonin vetëm Baresin", ka thënë Valdano. Sepse Baresi ishte, mbi të gjitha, një njësi matëse. Një vit më parë i kishin hequr një nodul në mushkëri, dhe dihet se në raste të tilla fjala është pothuajse gjithmonë një perde, një mënyrë për të fshehur diçka tjetër. Dukej se ishte rimëkëmbur.
"Më e keqja ka kaluar; edhe kësaj here u përpoqa, edhe kësaj here askush nuk më dhuroi asgjë", tha ai me një zë të mekur në një intervistë për La Repubblica në shkurt pasi u shfaq si mbajtës i pishtarit olimpik në San Siro, përkrah Bergomit.
Masa me të cilën mund të matet madhështia e pakufishme e Franco Baresit është historia. Ai është ndër më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave në botë.
Më i mirë Baresi apo Scirea? Po Beckenbauer, që ishte babai futbollistik i të dyve? Për Bearzotin, më i mirë ishte Scirea, edhe pse “vogëlushin”, "i moshuari" e mori me vete në Spanjë në vitin 1982: nuk luajti asnjë minutë, por gjithsesi u shpall kampion bote.
Franco dhe Gaetano ishin mesfushorë të zhvendosur në mbrojtje; juventini ishte më i aftë në ndërtimin e sulmit, ndërsa milanisti më i fuqishëm në mbrojtje. Megjithatë, të dy ishin regjisorë të lojës. Njeriu i fundit i mbrojtjes dhe, njëkohësisht, i pari, në çastin kur ideja merrte në zotërim kohën dhe vinte momenti për të krijuar, për të ndërtuar.
Regjisorë të tërhequr prapa, që sipas nevojës bëheshin edhe mesfushorë shkatërrues, edhe mesfushorë të avancuar. Baresi dhe Scirea ishin kampionë të pabesueshëm, të shumëanshëm, të bashkuar nga një interpretim krejt personal i heshtjes. Është e vështirë që një lider të jetë pothuajse i heshtur; ata të dy ishin të tillë, sepse fliste mënyra e tyre e të qenit në jetë dhe në fushën e lojës.
Të gjithë e dinë se Franco Baresi formoi atë që ndoshta ishte mbrojtja më e shkëlqyer i të gjitha kohërave, së bashku me Tassottin, Costacurtën dhe Maldinin. Ai Milan, klubi më i madh në histori? Ndoshta po.
Me fanellën e Milanit, skuadrën e vetme të karrierës së tij përveç Kombëtares, Baresi zhvilloi 719 ndeshje, ndërsa fanella legjendare me numrin 6 u tërhoq përgjithmonë. Më parë, kjo nuk kishte ndodhur kurrë për asnjë lojtar.
Megjithatë, ai djalosh mund të ishte bërë interist, po të mos ishte refuzuar në moshën 12-vjeçare në provën me Interin, sepse u gjykua tepër i brishtë fizikisht. Edhe te Milani iu desh të paraqitej tri herë përpara se t'i bindte trajnerët dhe vëzhguesit. Por pjesa tjetër është vetëm histori.
Histori është edhe Italia '90, me atë vend të tretë që dukej shumë pak për një kombëtare kaq madhështore. Histori është edhe SHBA '94, ku Baresi realizoi një nga arritjet më të jashtëzakonshme të karrierës së tij.
Në ndeshjen kundër Norvegjisë dëmtoi meniskun. U operua dhe, vetëm 24 ditë më vonë, ishte gati për finalen kundër Brazilit. Luajti të gjitha 120 minutat, duke neutralizuar Romárion dhe Bebeton. Por në fund, ngërçet muskulore e tradhtuan. Megjithatë, nuk iu shmang përgjegjësisë për të goditur penalltinë. Fatkeqësisht, topi përfundoi shumë mbi traversë.
Lotët e tij pas ndeshjes mbeten të gdhendur në kujtesë: një afresk ku heroi i mundur i dorëzohet fatit, jo mungesës së guximit.
Ai nuk ishte shumë i gjatë, vetëm 1.76 metra, por sa i madh ishte si futbollist.
I lindur në provincën e Brescias, vëllai i Beppe Baresit të Interit dhe sa fotografi simbolike janë bërë gjatë derbeve mes tyre, Franchino, siç ishte regjistruar në gjendjen civile, mbeti jetim nga babai në moshën 14-vjeçare.
Që nga ai moment filloi të kursente fjalët, por kurrë jo energjinë e trupit dhe dinamizmin e tij në fushë.
Ishte Nils Liedholm ai që e bëri titullar të padiskutueshëm.
Kur në vitin 1987 Arrigo Saçhi mbërriti te Milani dhe u tregoi lojtarëve në video lëvizjet e vijës mbrojtëse të Parmës, veçanërisht ato të liberos Signorini, disa ngritën vetullat. Edhe Baresit, të themi të drejtën, iu duk paksa e tepruar.
Por vetëm dy sezone më vonë, "vogëlushi" u rendit i dyti në garën për Topin e Artë, menjëherë pas Marco van Bastenit, një tjetër yll i Milanit të atyre viteve të jashtëzakonshme.
Për pesëmbëdhjetë vjet mbajti shiritin e kapitenit dhe realizoi profecinë e Gianni Riverës, i cili kishte parë tek ai dritën e së ardhmes:
"Ky djalë do të bëjë rrugë të madhe."
Kur Milani fitoi titullin e dhjetë kampion, me Franco Baresin ende pjesë të skuadrës, ishte pikërisht Rivera ai që insistoi që edhe djaloshi të merrte shpërblimin prej 50 milionë lirash. Nuk ishte një dhuratë e pamenduar, por një homazh për të ardhmen.
Ishin duart e Baresit, i lindur në vitin 1960, por mbi të gjitha i pajisur me një klas të pamasë, ato që lanë gjurmët e para mbi të gjithë trofetë e fituar nga Milani "holandez", veçanërisht mbi tre Kupat e Kampionëve, të cilat rrallëherë e kanë merituar emrin e tyre aq shumë, duke parë numrin e jashtëzakonshëm të kampionëve në atë skuadër.
Mes tyre, numri 6 ishte më klasiku nga të gjithë.
Edhe ai, si shumë sportistë të asaj epoke të mrekullueshme, u largua nga jeta shumë herët. Ndoshta dikush në qiell deshi t'i kishte pranë vetes djemtë tanë. Ndoshta kështu vidhet parajsa./La Repubblica

Nëse në fushë fliste pak, por kuptohej shumë mirë, edhe në jetën private Franco Baresi ruajti deri në fund një profil tepër të rezervuar. Edhe për sa i përket sëmundjes së tij, ai zgjodhi ta mbante gjithçka larg vëmendjes publike, duke mbrojtur privatësinë që e shoqëroi përherë, në kontrast me famën dhe sukseset e fituara gjatë 20 viteve me Milanin dhe kombëtaren italiane. I martuar prej shumë vitesh me Maura Laurin, ata kishte dy djem, Edoardon, i lindur në vitin 1991 në Mexico City dhe Giannandrean, i ardhur në familje në vitin 1997, me origjinë ruse dhe i birësuar nga çifti. Larg futbollit ai përjetoi edhe momente të vështira, por gjithmonë i përballoi me përulësinë dhe qetësinë e një njeriu që dinte të fitonte betejat e veta.
Franco Baresi, një jetë private nën shenjën e përulësisë
Franco Baresi gjithmonë la që fusha të fliste në vend të thashethemeve dhe pasi u tërhoq nga futbolli, fjala kyçe e jetës së tij dhe e familjes së tij ishte vetëm një, privatësi. Një njeri serioz dhe shumë i rezervuar, së bashku me bashkëshorten Maura Lauri zgjodhën të qëndronin sa më larg vëmendjes publike dhe të shfaqeshin vetëm në raste të veçanta, si në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026 apo në intervista shumë të rralla, shpesh të lidhura me Milanin, klub me të cilin ruajti një marrëdhënie shumë të fortë edhe pas përfundimit të karrierës.
Kjo zgjedhje jetese u reflektua edhe te familja. Për dy djemtë e tij dihet shumë pak, Edoardo dhe Giannandrea kanë zgjedhur të jetojnë larg botës së spektaklit dhe sportit, pa ndjekur gjurmët e të atit. Informacionet mbi jetën dhe karrierën e tyre profesionale janë të pakta, ashtu si edhe daljet publike. Familja Baresi u rikthye në qendër të vëmendjes vetëm në disa raste për shkak të problemeve ekonomike dhe financiare që e përfshinë.
Franco Baresi dhe vështirësitë ekonomike, gjithmonë me kokën lart
Bëri shumë bujë, për shembull, akuza e ngritur ndaj bashkëshortes së tij Maura Lauri në vitin 2005, kur ajo u arrestua me akuzën për pjesëmarrje në një organizatë kriminale me qëllim mashtrimin. Sipas hetuesve, ajo kishte përdorur rrjetin e saj të kontakteve për të afruar viktima mes personazheve VIP në një çështje që lidhej me tregtinë e makinave luksoze në operacionin “Prestige Cars”. Në fund, megjithatë, ajo u shpall plotësisht e pafajshme.
Më herët, emri i Franco Baresit ishte lidhur edhe me një tjetër histori të pakëndshme, në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000, për shkak të kolapsit të bankës së vogël Credieuronord, e themeluar në vitin 2000 dhe e zhytur shumë shpejt në borxhe. Emri i Baresit figuronte mes klientëve të njohur që humbën shuma të konsiderueshme parash dhe garanci të dhëna përmes ndërmjetësve dhe këshilltarëve të papërshtatshëm.
Problemet me drejtësinë
Vetë Franco Baresi u përfshi gjithashtu në një hetim ndaj një galeristi arti nga Torino, të cilit i ishin vjedhur piktura me vlerë, të cilat sipas akuzës kishin kaluar në banesën e ish-futbollistit për të shërbyer si “garanci” dhe për të rritur vlerën e tyre në treg. Për ta mbyllur çështjen dhe për të shmangur një proces të gjatë gjyqësor, Baresi pranoi një marrëveshje me drejtësinë.
Lidhja e pandashme me Milanin, streha e sigurt e Franco Baresit
Të gjitha këto ngjarje bënë që lidhja e tij me Milanin të forcohej edhe më shumë. Klubi kuqezi nuk e braktisi kurrë simbolin e tij, fillimisht Baresi u bë trajner i ekipeve të moshave, më pas zëvendëspresident nderi, duke gjetur kështu stabilitet profesional dhe siguri ekonomike. /Ilgiorno.it
Më 23 prill 1978, në një pasdite në Verona, një djalosh ende pa mbushur 18 vjeç zbriti për herë të parë në fushën e Serie A. Ishte Franco Baresi, një emër që në atë moment askush nuk e dinte se do të shndërrohej në një nga simbolet më të mëdha të historisë së Milanit dhe futbollit italian.
Trajneri Nils Liedholm, i rikthyer në stolin kuqezi pas 11 vitesh, kishte parë diçka të veçantë tek ai djalosh në stërvitje dhe vendosi ta aktivizonte si lojtar të lirë 'libero në fushë'. Milani fitoi 2-1 ndaj Veronës dhe Baresi impresionoi që në debutim. Pas ndeshjes mori komplimente nga të gjithë, nga Gianni Rivera e deri te shokët e ekipit.
Por kur kaloi pranë Nereo Roccos, ish-trajneri legjendar i Milanit, ai i tha me humor: “Ore, edhe ti ke luajtur?”. Ishte mënyra tipike e “Paronit” për të mos lejuar që një talent i ri të humbiste përulësinë. Dhe Baresi nuk e humbi kurrë atë.
Nga kampioni i ri te vështirësitë e mëdha
Baresi u bë shpejt titullar, duke fituar vendin në formacion dhe duke kontribuar në fitimin e titullit kampion në vitin 1979, të quajtur “Scudetto della Stella”. Ai u grumbullua edhe nga kombëtarja italiane për Europianin 1980, por pa debutuar.
Më pas erdhi një periudhë e vështirë. Milani zbriti në Serie B për shkak të skandalit të basteve, ndërsa Baresi u përball edhe me një problem serioz shëndetësor.
Në fillim të sezonit 1981-1982, ai u ndal për disa muaj nga një infeksion në gjak. Vetë Baresi më vonë tregoi se kalimi nga fusha e futbollit në një gjendje ku mezi ecte ishte një moment shumë i vështirë.
Pavarësisht problemeve, trajneri i Italisë Enzo Bearzot nuk e harroi. Ai e mori me skuadrën që fitoi Botërorin 1982 në Spanjë, edhe pse Baresi nuk luajti asnjë minutë.
Debutimi me Italinë dhe lindja e liderit
Më 4 dhjetor 1982, në Firenze, Baresi veshi për herë të parë fanellën e kombëtares italiane në ndeshjen ndaj Rumanisë.
Ai mori rolin e liberos në mungesë të Gaetano Scireas dhe nisi një histori të gjatë me fanellën e kaltër. Më vonë, pas largimit të Scireas dhe ardhjes së trajnerit Azeglio Vicini, Baresi u shndërrua në liderin e padiskutueshëm të mbrojtjes italiane.
Epoka e Sacchit dhe lindja e Milanit të pavdekshëm
Në vitin 1987, Milani ndryshoi përgjithmonë. Mbërriti Silvio Berlusconi, erdhën yje si Ruud Gullit dhe Marco van Basten, por ndryshimi më i madh ishte në stol, Arrigo Sacchi.
Trajneri i ri solli një mënyrë revolucionare të mbrojturi, me presing të lartë, lëvizje kolektive dhe linjë jashtë loje të vazhdueshme. Baresi u përshtat me këtë filozofi dhe u bë figura qendrore e sistemit.
Me krahun lart duke sinjalizuar pozicionin jashtë loje, ai u kthye në një imazh ikonik të Milanit të madh.
Në vitin 1989, Milani fitoi Kupën e Kampionëve pas një sezoni historik. Një vit më pas, kuqezinjtë shkatërruan Real Madridin 5-0 në 'Bernabeu' dhe më pas mposhtën Steauan e Bukureshtit 4-0 në finalen e zhvilluar në Barcelonë.
Kur Baresi ngriti trofeun në 'Camp Nou', ai vulosi hakmarrjen ndaj gjithë vështirësive të së kaluarës.
Kapiteni që udhëhoqi edhe Capellon
Në vitin 1991, pas largimit të Sacchit, Fabio Capello mori drejtimin e Milanit. Fillimisht ai mendoi ndryshime taktike, por Baresi mori fjalën si lider i dhomës së zhveshjes.
Ai propozoi vazhdimin me sistemin 4-4-2, por me më pak agresivitet dhe më shumë ekuilibër. Rezultati ishte një epokë e re suksesi, katër tituj kampionë, tre prej tyre radhazi, trofe evropianë dhe një tjetër Champions League.
Finalja e Athinës dhe zëri i kapitenit
Në finalen e Champions League kundër Barcelonës në vitin 1994, Baresi nuk mundi të luante për shkak të pezullimit. Por edhe jashtë fushës ai ishte lider.
Sipas Paolo Maldinit, para ndeshjes Baresi mblodhi disa lojtarë dhe u dha udhëzime taktike për mënyrën se si duhej ndalur Barcelona e Romarios dhe Stoichkovit.
Pas fjalimit të tij, Fabio Capello vetëm buzëqeshi dhe tha: “Djem, kapiteni i tha të gjitha. Tani shkoni dhe fitoni këtë Kupë.” Milani fitoi 4-0 dhe Baresi tregoi edhe një herë se ishte kapiten edhe kur nuk ishte në fushë.
Pasadena 1994, madhështia dhe dhimbja
Finalja e Botërorit 1994 mes Italisë dhe Brazilit mbetet një nga momentet më dramatike të karrierës së tij.
Baresi u kthye vetëm 25 ditë pas një dëmtimi në menisk, por në fushën e 'Rose Bowl' (California) ishte lojtari më i mirë i ndeshjes. Ai drejtoi mbrojtjen italiane, ndali sulmues si Romario dhe Bebeto dhe luajti një ndeshje të jashtëzakonshme.
Pas 120 minutash pa gola, gjithçka u vendos nga penalltitë. Baresi mori përgjegjësinë i pari, por goditja e tij përfundoi jashtë. Më pas gabuan edhe Massaro e Roberto Baggio.
Brazili u shpall kampion bote, ndërsa Baresi u largua nga fusha me lot në sy, i dëshpëruar, por me respektin e gjithë botës së futbollit.
Franco Baresi nuk ishte thjesht një mbrojtës. Ai ishte simbol i një epoke, një kapiten që udhëhiqte me karakter dhe inteligjencë. Ai luajti gjithë karrierën profesionale me një fanellë të vetme, atë të Milanit. Pas tërheqjes në vitin 1997, klubi kuqezi tërhoqi fanellën me numrin 6 në nder të tij.
Emri i tij mbetet i lidhur përgjithmonë me historinë e Milanit, Italisë dhe futbollit botëror.

Franco, simboli i Milanit. Beppe (Giuseppe), dy vjet më i madh, simboli i Interit. Shpesh kundërshtarë në fushë, por kurrë në të njëjtën skuadër, përveç viteve të fëmijërisë te Travagliato dhe në ndeshjen lamtumirëse të Francos.
Rivalë në derbit e Milanos, të ndarë edhe në kombëtaren italiane, por të pandashëm në jetë, Beppe dhe Franco Baresi mbeten një nga shembujt më të bukur të përulësisë, besnikërisë dhe karakterit.
Të lindur në Travagliato, në provincën e Brescias, përkatësisht në vitet 1958 dhe 1960, ata kishin edhe një motër, Lucia, si dhe vëllanë më të madh, Angelo, i cili nuk arriti të bëhej futbollist profesionist.
Fëmijëria e tyre ishte e vështirë, por krenare, mes shkollës dhe kishës së fshatit, të drejtuar nga Don Piero Gabella, njeriu që Franco më vonë do ta quante "ndërtues ëndrrash".
Ishte pikërisht USO (Unione Sportiva Oratorio) skuadra e vetme ku dy vëllezërit luajtën së bashku, përpara se të bëheshin legjenda të Interit dhe Milanit. Përjashtimi i vetëm ndodhi në vitin 1997, në ndeshjen e lamtumirës së Francos, kur Beppe, i tërhequr prej tre vitesh nga futbolli, u rikthye në fushë vetëm për ta përqafuar vëllanë në një moment prekës.
Një jetë pa favore - Lavdia nuk erdhi lehtë për asnjërin prej tyre. Nëna e tyre, Regina, emrin e së cilës Beppe ia vendosi më vonë vajzës së tij futbolliste, ndërroi jetë në vitin 1971 pas një sëmundjeje të rëndë. Pak vite më vonë humbën edhe babanë, Terzo.
Beppe mbeti jetim në moshën 16-vjeçare, ndërsa Franco vetëm 14 vjeç. Në ato momente të vështira, trajneri i tyre te USO, Guido Settembrino, mbajti premtimin që i kishte bërë nënës së tyre dhe i çoi të dy vëllezërit në një provë te Interi, sapo Franco mbushi 14 vjeç.
Ironia e fatit ishte e pabesueshme. Beppe, që ishte tifoz i Milanit dhe ishte rritur duke admiruar Gianni Riverën dhe Gigi Rivën, e kaloi provën falë fizikut më të zhvilluar dhe iu bashkua Interit në vitin 1972.
Ndërsa Franco, tifoz i Interit që në fëmijëri, u refuzua sepse u konsiderua shumë i dobët fizikisht. Pak më vonë, Milani e mori në skuadër dhe pjesa tjetër u kthye në histori.
Dy flamuj besnikërie - Të dy u shndërruan në simbole të klubeve të tyre. Beppe luajti derbin e tij të parë si titullar më 6 nëntor 1973, në një ndeshje të fituar 3-1 nga Milani.
Derbi i parë ku dy vëllezërit u përballën si kundërshtarë u zhvillua më 12 nëntor 1978. Beppe regjistroi afro 600 paraqitje me Interin, klub ku vazhdoi të punojë edhe pas pensionimit, si vëzhgues. Ai u vlerësua gjithmonë për profesionalizmin, qëndrueshmërinë dhe aftësinë për të luajtur në disa role. E nisi si mbrojtës krahu, por shkëlqeu edhe si mbrojtës qendre dhe mesfushor mbrojtës.
Me Interin fitoi dy tituj kampionë, përfshirë atë historik nën drejtimin e Giovanni Trapattonit, dy Kupa të Italisë dhe një Kupë UEFA.
Karriera e tij me Kombëtaren nuk pati të njëjtin shkëlqim. Debutoi në vitin 1979, mori pjesë në Euro 1980, por mbeti jashtë skuadrës që fitoi Kupën e Botës 1982.
Më vonë do ta pranonte me sinqeritet: "Ishte faji im. M'u rrit pak mendja." Një rrëfim që, siç shkruajnë mediat italiane, meriton të mësohet nëpër shkolla. Ai u rikthye në Botërorin e Meksikës 1986, ku pati detyrën e vështirë të markonte Michel Platinin, i cili atë periudhë ishte në formën më të mirë të karrierës.
Franco, mbrojtësi që hyri në përjetësi - Ndërkohë, Franco fitoi gjithçka me Milanin, gjashtë tituj kampionë, tre Liga të Kampionëve, dy Kupa Ndërkontinentale, dy Superkupa të Evropës dhe një Superkupë të Italisë.
Me Italinë u shpall kampion bote në vitin 1982, edhe pse nuk luajti, ndërsa ishte protagonist absolut në Botërorin 1994 në Shtetet e Bashkuara. Fillimisht mahniti botën duke u rikuperuar në kohë rekord pas një operacioni në menisk vetëm për të luajtur finalen kundër Brazilit. Më pas preku zemrat e miliona tifozëve me lotët e tij, pasi humbi penalltinë në finalen e madhe.
Nëse Beppe ishte më i gjithanshëm në fushë, Franco kishte vetëm një rol, udhëheqësin e mbrojtjes. Dhe këtë e bëri aq mirë, sa fitoi pavdekësinë.
Krahu i tij i ngritur për të vendosur kurthin e pozicionit jashtë loje mbetet një nga imazhet më ikonike të historisë së futbollit, po aq sa edhe ndërhyrjet e tij të përsosura. Një njeri i thjeshtë, i heshtur dhe larg protagonizmit, që me shumë gjasa nuk do ta kishte pëlqyer zhurmën e futbollit modern dhe debatet e pafundme rreth VAR-it. /Gazzetta dello Sport
Ka shumë histori dhe episode që tregojnë madhështinë e karrierës së Franco Baresit, por ekziston një imazh që, ndoshta më shumë se çdo tjetër, shpjegon se sa i madh ishte ish-kapiteni i Milanit dhe i kombëtares italiane.
Janë pamjet e Diego Armando Maradonës, i kthyer me shpinë, i veshur me fanellën kuqezi me numrin 6 të Baresit, menjëherë pas ndeshjes së 1 tetorit 1989, të fituar nga Napoli me rezultatin 3-0 ndaj Milanit.
Pas shkëmbimit të fanellave në dhomat e zhveshjes, "Djali i artë" u shpreh me fjalë që mbetën në histori.
"Kjo është fanella e një futbollisti të jashtëzakonshëm. Unë besoj se Franco Baresi është mbrojtësi më i madh. Ky është një kujtim që do ta ruaj për gjithë jetën."
Ky vlerësim, i ardhur nga vetë Diego Maradona, konsiderohet si një nga komplimentet më të mëdha që ka marrë ndonjëherë Franco Baresi gjatë karrierës së tij, një dëshmi e respektit të jashtëzakonshëm që gëzonte edhe nga rivalët më të mëdhenj.

Ish-kapiteni dhe ish-drejtuesi i Milanit, Paolo Maldini i ka bërë homazh të ndjerit Franco Baresi. Maldini dhe Baresi kanë qenë bashkëlojtarë, në kohën kur Paolo ishte shumë i ri.
"Lamtumirë Franco! Sot po përjetojmë të njëjtën ndjenjë si atëherë kur, për disa arsye, nuk mund të futeshim në fushë përkrah kapitenit tonë; si do ia bëjmë pa kapitenin tonë?
Ti më mësove të luftoj deri në frymën e fundit, çfarë nënkupton bashkëngjitja me fanellën dhe vlera e të qenit një lider i vërtetë. E ke bërë me shembullin, çdo ditë; pak fjalë, por kaq shumë fakte. Më ke mbrojtur kur isha fëmijë, më ke udhëzuar si i ri dhe më ke frymëzuar si burrë.
Ti ishe futbollisti më i fortë që kam pasur nderin të luaj në një ekip. Një përqafim i dashur për të gjithë familjen tënde, veçanërisht për gruan tënde Maura dhe fëmijët e tu, Edoardo dhe Giannandrea. Do të na mungosh kapiten. Por drita e yllit tënd do të vazhdojë të na shoqërojë përgjithmonë", shkruan Maldini.
Igli Tare, ish-drejtori sportiv i Milanit ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Franco Baresit, legjendës së klubit kuqezi. Tare thotë se ka qenë një nder i madh që ka njohur Baresin.
"Lamtumirë legjendë, ishte nder i madh që të njoha. Pusho në paqe!", shkruan Igli Tare në 'Instagram'.
Baresi u nda nga jeta sot në moshën 66-vjeçare teksa ishte në luftë me sëmundjen.

Postimi i Tares
Franco Baresi, ish-kapiteni legjendar i Milanit dhe nënkryetar nderit i klubit kuqezi, është ndarë sot nga jeta në moshën 66-vjeçare.
"I konsideruar gjerësisht si një nga mbrojtësit më të mëdhenj në historinë e futbollit, Baresi revolucionarizoi rolin e mbrojtësit, duke udhëhequr me autoritet prapavijën e pathyeshme të Milanit gjatë një prej periudhave më të suksesshme në historinë e klubit, si në Itali ashtu edhe në Evropë", shkruan UEFA.
Gjatë gjithë karrierës së tij si futbollist, Baresi veshi vetëm fanellën e Milanit. Ai mbajti shiritin e kapitenit për 15 sezone, duke fituar 3 Kupa të Kampioneve / UEFA Champions League, 2 Superkupa të Evropës, 6 tituj kampionë të Serie A, 4 Kupa të Italisë dhe 2 Kupa Ndërkontinentale.
"E gjithë historia e Milanit është në lot pas ndarjes nga jeta të Franco Baresit," thuhet në deklaratën zyrtare të klubit. "Shembulli, integriteti dhe përkushtimi i tij do të mbeten përgjithmonë të gdhendur në ADN-në e klubit, ashtu si edhe fanella e tij ikonike me numrin 6. Në këtë moment të vështirë, AC Milani i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Baresi, një dhimbje që ndihet si e përbashkët nga çdo zemër kuqezi."
Në nivel ndërkombëtar, Baresi shënoi një gol në 81 ndeshje me kombëtaren e Italisë. Ai ishte pjesë e skuadrës në Euro 1980 dhe Euro 1988, ndërsa në vitin 1982 u shpall kampion bote me Italinë. Më vonë u bë kapiten i "Azzurrëve", duke i udhëhequr deri në finalen e Kupës së Botës 1994.
Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Giovanni Malago, deklaroi:
"Futbolli italian humbet një nga legjendat e tij, një kampion të jashtëzakonshëm që gjatë gjithë karrierës së tij veshi vetëm dy fanella, atë të Milanit dhe atë të kombëtares italiane. Do ta nderojmë ashtu siç e meriton në ndeshjet e ardhshme të kombëtares, ndaj së cilës ai tregoi gjithmonë një dashuri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, duke u bërë një nga simbolet më të lavdishme të futbollit italian."
Franco Baresi mbetet një nga emrat më të mëdhenj në historinë e futbollit, edhe pse nuk arriti kurrë të fitonte zyrtarisht 'Topin e Artë'. Legjenda e Milanit bën pjesë në listën e futbollistëve të mëdhenj që nuk e ngritën kurrë trofeun prestigjioz individual, së bashku me emra si Paolo Maldini, Gianluigi Buffon, Andres Iniesta dhe Zlatan Ibrahimovic.
Megjithatë, ish-kapiteni kuqezi kishte në shtëpinë e tij një version origjinal të 'Topit të Artë', falë një gjesti të veçantë nga ish-presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi.
Në një intervistë të dhënë për gazetën italiane 'Il Giornale', Baresi kishte rrëfyer se gjithçka ndodhi pas ceremonisë së vitit 1989, kur ai u rendit i dyti në garën për 'Topin e Artë', pas Marco Van Basten, ndërsa Frank Rijkaard përfundoi në vendin e tretë.
“Në edicionin e Topit të Artë të vitit 1989 unë u rendita në vendin e dytë, pas Marco Van Basten dhe para Frank Rijkaard. Podiumi ishte tërësisht i Milanit. Në atë rast, presidenti Berlusconi më dhuroi një version origjinal të Topit të Artë”, kujtonte Baresi.
Viti 1989 shënoi kulmin e suksesit të Milanit të drejtuar nga Arrigo Sacchi, me kuqezinjtë që dominuan futbollin evropian dhe botëror, ndërsa tre vendet e para të 'Topit të Artë' u pushtuan nga futbollistët e klubit italian.
Franco Baresi ndërroi jetë sot në moshën 66-vjeçare.
Milani mban zi për Franco Baresin. Ikona dhe legjenda e kuqezinjve, një nga mbrojtësit më të mëdhenj në histori, ka ndërruar jetë këtë mëngjes në moshën 66-vjeçare pasi vitin e kaluar kishte kaluar një operacion në mushkëri.
Deri në moshën dhjetë vjeçare ai u rrit në një fermë dhe nuk kishte parë futboll në televizor. Pas tërheqjes nga Milani ku kaloi 20 sezone, 15 si kapiten, klubi kuqezi tërhoqi në vitin 1997 numrin 6 në nder të tij. Ai njihet për shprehjen e famshme 'ose ti ose topi, kurrë të dy', duke qenë një nga qendërmbrojtësit më të mëdhenj në histori.
Në vitin 1989 Baresi u rendit i dyti pas Marco van Basten dhe nuk e fitoi kurrë 'Topin e Artë', por Silvio Berlusconi i dhuroi një kopje të origjinalit për gjithçka ai dha në fushë. Edhe në vdekje ai u lidh pas numri 6-të.
KAPITENI - Je i përjetshëm, edhe kur nuk je më mes nesh. Franco Baresi u dorëzua në ndeshjen e tij të fundit, atë më të pamëshirshmen, betejën me sëmundjen. Futbolli italian dhe ai botëror janë në zi, ndërsa Milani i jep lamtumirën flamurit të tij më të madh. Një jetë e tërë e kaluar me besnikëri absolute ndaj një fanele, e ndërprerë nga një sëmundje që vitet e fundit e detyroi Francon të luftonte pa pushim, gjithmonë me kokën lart. Kështu largohet një nga mbrojtësit më të mëdhenj të të gjitha kohërave, një shembull që u respektua edhe nga kundërshtarët e tij më të mëdhenj.
FRANCO BARESI - I mësuar të përballej me vështirësi që në fëmijëri, Baresi tregoi që i vogël një karakter të jashtëzakonshëm. Ai spikati te Unione Sportiva Oratorio në Travagliato, një qytet i vogël pranë Brescias. Vetëm 14 vjeç mbeti jetim dhe në vitin 1974, u bë pjesë e familjes që nuk do ta braktiste kurrë, Milanit, falë rekomandimit të drejtuesit të klubit, Guido Settembrino.
Fati luajti një lojë të çuditshme. Vëllai i tij, Beppe, dy vjet më i madh dhe tifoz i Milanit, u pranua në akademinë e Interit. Ndërsa Franchino, që ishte tifoz i Interit, u mor nga Milani pasi u refuzua nga skuadra e zemrës, sepse konsiderohej shumë i dobët fizikisht. Ishte syri i mprehtë dhe intuita e Italo Galbiatit, i cili mbeti i mahnitur nga teknika e tij, që ndryshuan rrjedhën e historisë.
Me flokët biondë, teknikë të shkëlqyer dhe pamje të brishtë, ai shpesh mashtronte kundërshtarët, të cilët e kuptonin forcën e tij vetëm pas ndërhyrjes së parë. Masazhatori Mariconti i vendosi nofkën "Piscinin", që në dialektin milanez do të thotë "i vogli", një nofkë që do ta shoqëronte përgjithmonë.
NGRITJA - Hapi i parë i madh erdhi me Nils Liedholm në stol. Më 23 prill 1978, tekniku suedez i dha debutimin në Serie A. Milani fitoi 2-1, një rezultat që për supersticiozin Liedholm ishte shenjë e mirë. Por ai nuk e aktivizoi Baresin si hajmali, besoi tek ai pa rezerva dhe sezonin pasues e bëri një nga protagonistët e skuadrës që fitoi titullin e dhjetë kampion, duke vendosur yllin e shumëpritur mbi stemë.
Që në fillim u kuptua se Baresi nuk ishte kampion rastësisht. Një nga mbështetësit e tij më të mëdhenj ishte Gianni Rivera, i cili pa tek ai talentin e një futbollisti të jashtëzakonshëm. Nuk ishte vetëm çështje teknike, por edhe karakteri dhe personaliteti.
Gjatë një ndeshjeje të turneut "Città di Milano" kundër Flamengos, në San Siro, Baresi i kërkoi topin vetë Riverës: "Atëherë, ma pason?" Rivera nuk u mërzit, përkundrazi, admiroi guximin e djaloshit, duke kuptuar se ai jo vetëm dinte të organizonte lojën dhe mbrojtjen, por kishte edhe autoritet natyral. Aq sa, vetëm 22 vjeç, Franco u emërua kapiten i Milanit.
RËNIET - Pas sukseseve erdhën edhe goditjet. Rënia e parë nga kategoria, pas skandalit të Totoneros, ishte një tronditje e rëndë. Ngjitja e menjëhershme në Serie A i hapi dyert e kombëtares së Enzo Bearzotit.
Pak më vonë u përball me një tjetër provë, një virus e detyroi të qëndronte jashtë fushës për tre muaj e gjysmë. Shumë dyshuan nëse, vetëm 21 vjeç, do të rikthehej ndonjëherë në nivelet e mëparshme. Por ai u kthye edhe më i fortë.
Megjithatë nuk mundi të shmangte një tjetër zhgënjim, rënien e dytë të Milanit në vitin 1982. Edhe kështu, Bearzot e mori në Kupën e Botës në Spanjë. Ishte zëvendësi i legjendës Gaetano Scirea. Nuk luajti asnjë minutë, por u shpall kampion bote pas triumfit në finalen e Madridit.
SUKSESET - Pas Botërorit, klubet më të mëdha kërkonin ta blinin. Ishte kthyer në një nga mbrojtësit më të kërkuar në Evropë. Megjithatë, pavarësisht ofertave joshëse, ai zgjodhi të qëndronte te Milani.
Besnikëria e tij u shpërblye. Edhe pse klubi kalonte periudha të vështira, ai mbeti shtylla e skuadrës. Gjithçka ndryshoi në vitin 1986, kur Silvio Berlusconi e shpëtoi Milanin nga falimentimi dhe nisi projektin e madh të rilindjes.
Një vit më vonë erdhi Arrigo Sacchi. Fillimi nuk ishte i lehtë, por Baresi u bë interpreti perfekt i filozofisë së tij. Me ardhjen e Gullit dhe Van Bastenit, Milani fitoi kampionatin në vitin 1988. Në vitin 1989, me Frank Rijkaard në skuadër, erdhi edhe triumfi në Kupën e Kampioneve.
Pasoi dominimi absolut në Evropë, me një tjetër Kupë Kampionesh në vitin 1990. Baresi ngriti trofe pas trofeu, por nuk ndryshoi kurrë. Nuk kishte nevojë të bërtiste, mjaftonte një shikim i tij që shokët ta kuptonin menjëherë çfarë duhej bërë.
Përkushtimi i tij ishte aq i madh, sa pranoi edhe situata të vështira, si nata e famshme e "errësirës së Marsejës", kur, duke ndjekur vendimin e drejtuesve, u largua me skuadrën nga stadiumi "Vélodrome".
KURRË MOS U DORËZO - Pas largimit të Sacchit dhe ardhjes së Fabio Capellos, shumë menduan se cikli i Baresit dhe i Milanit kishte përfunduar. Capello preku krenarinë e kapitenit dhe të lojtarëve të mbetur nga epoka e Sacchit.
Rezultati ishte i jashtëzakonshëm, Milani fitoi edhe katër tituj kampionë dhe Kupën e Kampioneve të vitit 1994.
Në Kombëtare, për Sacchin, Baresi ishte i paprekshëm. Në vitin 1992 ai u tërhoq, por trajneri e bindi të rikthehej. Në Botërorin e vitit 1994 në SHBA, Baresi udhëhoqi Italinë deri në finalen kundër Brazilit.
Në penalltitë vendimtare ai ishte i pari që gaboi. Lotët e tij pas humbjes prekën gjithë Italinë. Ishte një njeri i rezervuar, por me ndjenja të thella.
Me bashkëshorten Maura, të cilën e njohu në fillim të viteve '80 në Toskanë, krijoi një familje dhe pati dy djem, Edoardo dhe Gianandrea.
Pas largimit nga kombëtarja pati më shumë kohë për familjen. Fitoi edhe titullin e vitit 1996 me Milanin, por vitet po bënin të vetën. Sezoni 1996-97 ishte zhgënjyes dhe, në qershor 1997, vendosi t'i jepte fund karrierës.
Fanella e tij legjendare me numrin 6 u tërhoq përgjithmonë nga Milani, në shenjë nderimi.
Më pas u emërua zëvendëspresident i klubit dhe u mor me ekipin Primavera. Në vitin 2002 pati të vetmen përvojë larg Milanit, si drejtor teknik i Fulhamit në Angli, por aventura zgjati më pak se tre muaj për shkak të mosmarrëveshjeve me trajnerin Jean Tigana.
Që prej asaj kohe, lidhja e Franco Baresit me Milanin mbeti e pandashme. Dhe kështu do të jetë përgjithmonë. Të gjithë në këmbë për "Piscinin".
Komente






