TIRANË- Kuvendi pritet të miratojë të enjten ligjin për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin “Rehabilitimini i lumit Lana – zhvillim urban”. Kredia që akordohet nëpërmjet kësaj kontrate ka shumën 8 milionë euro. Nëpërmjet këtij financimi synohet të realizohet zgjatimi i bulevardit nga Ura Teknologjike (ku përfundon aktualisht segmenti ekzistues) deri në kryqëzimin me rrugën “Teodor Keko” dhe rehabilitimin e shtratit të lumit Lana po për këtë segment.
Për bashkëfinancimin e këtij projekti BEI akordon, gjithashtu, edhe një grant në shumën 2,4 milionë euro. Nisur nga plani i veprimit dhe i implementimit të këtij projekti, vlera e cila do të mbulohet nga shpenzimet buxhetore të Bashkisë Tiranë, do të jetë e shpërndarë në 3 vite buxhetore duke nisur që nga viti buxhetor aktual.
Nëpërmjet projektit “Vazhdimi i bulevardit “Gjergj Fishta” dhe “Bajram Curri” dhe rehabilitimi i lumit të Lanës nga Ura Teknologjike deri te kryqëzimi me rrugën “Teodor Keko”” duhet të mundësohet krijimi i një shtrati me regjim hidraulik efiçent për të eliminuar problematikën e përmbytjeve në këtë zonë, si dhe duke krijuar hapësirat e nevojshme të zhvillimit urban të zonës. Gjithashtu, duhet të zgjaten bulevardet paralel me lumin me të gjithë infrastrukturën e nevojshme si sinjalistikën, disiplinimin e ujërave të bardha dhe të ndotura, ndriçimin, telekomunikacionin, peizazhin si dhe lidhjen me infrastrukturën ekzistuese.
Sipas projektit, duhet të parashikohen 2 ura mbi shtratin e ri të lumit për nevojat e zhvillimit urban. Zona që ndikohet nga projekti shtrihet në një sipërfaqe prej 110 ha. Kryesisht ndërtimet përgjatë lumit të Lanës janë ndërtime informale banimi 1, 2 dhe 3 kate, të vetëndërtuara dhe me kushte minimale të banimit. Këto banesa kanë mangësi të theksuara në lidhje me infrastrukturat sociale dhe inxhinierike. Lidhjet me rrjetin e ujit të pijshëm shpesh mungojnë dhe ato furnizohen me ujë pusi, i cili mund të jetë i ndotur. Po ashtu, edhe rrjeti i infrastrukturës së ujërave të zeza është informal, kështu që të gjithë kanalizimet janë shpërndarë mbi ose nën tokë. Infrastruktura rrugore është krejtësisht rastësore dhe nuk lidhet me asnjë linjë të transportit publik.
Rehabilitimi i lumit Lana në këtë segment dhe ndërtimi i zgjatimit të dy bulevardeve “Bajram Curri” dhe “Gjergj Fishta” do të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e kësaj zone, duke siguruar një infrastrukturë të qëndrueshme, e cila do t’i shërbejë edhe zonave përreth saj, duke përmirësuar gjendjen tejet të amortizuar të infrastrukturës ekzistuese. Ky projekt do të zbatohet nga Bashkia Tiranë në shkurt të vitit 2022. MONITOR
Banka jo vetem të japi kredine por ti monitoroje paratë sepse do behet nami në vjedhje dhe pastaj do të duhet që taksapaguesit pastaj ta kene litarin në gryke..
Përgjigju