TIRANË-“Qeveria po përgatit një paketë të plotë mbështetëse konkrete për kthimin e mjekëve shqiptarë të diasporës, që nga bonusi dhe incentivat financiarë, mbështetje për strehim, lehtësi fiskale dhe një kontratë që do të përmbushë pritshmëritë që ju keni”. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në Konferencën “Mjekë në Diasporë”, e organizuar nga Ministria për Diasporën dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me mjekët e diasporës.

“Ne kemi hapur një dritare të posaçme për mjekët e diasporës në portalin “Mjekë për Shqipërinë”, për t’i dhënë mundësi të gjithë mjekëve të njohin vendet e lira në sistem dhe jemi të gatshëm të çojmë përpara bashkë me ju formësimin e paketës së mbështetjes për rikthimin tuaj”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se janë më shumë se 113 mjekë të huaj që në dy vitet e fundit punojnë në Shqipëri, Manastirliu tha se është koha për të forcuar bashkëpunimin mes mjekëve shqiptarë në botë.

“Sot është e mundur me epokën digjitale të kontribuoni për shëndetësinë shqiptare, edhe duke shkëmbyer eksperiencat me mjekët shqiptarë”, tha Manastirliu. Gjatë fjalës saj Manastirliu theksoi se lëvizja e lirë e mjekëve është një fenomen që shtrihet përtej vendit tonë. Sipas ministrisë, gjatë dy viteve të fundit 400 mjekë dhe 2200 infermierë janë punësuar në sistemin publik në dy vitet e fundittha ajo.