TIRANE- Afati i kazinove dhe lojërave elektronike për t’u zhvendosur nga qendra drejt periferisë së qytetit, është shtyrë edhe për dy vite të tjera. Fillimisht relatori i projektligjit në Komisionin e Ligjeve, Ulsi Manja kërkoi shtyrjen me një vit, ndërsa Tahir Muhedini i PDIU-së, kërkoi edhe një vit më shumë me argumentin se kompanitë e lojërave të fatit janë kontribuues të rëndësishëm në buxhetin e shtetit.

 “Afati i zhvendosjes së pikave të shtyhet nga 31 janari 2016, në 31 janar 2017 për efekt sepse gjashtë muaj duhet për aktet nënligjore, plus periudhën që u duhet kazinove për t’u transferuar, na duket afat i përshtatshëm shtyrja”-tha Manja. “Propozoj që shtyrja të jetë për një afat të arsyeshëm. Për t’i kufizuar sa më shumë për problemet që kemi diskutuar,  por meqë ka kompani që derdhin gati 1 milionë euro në muaj për buxhetin e shtetit, t’u japim mundësinë që të investojnë dhe ta shtyjmë afatin deri më 30 dhjetor 2017. T’u lëmë kohë të krijojnë kushtet e tyre të transportimit”, tha Tahir Muhedini.

Miratimi nen për nen i këtij ligji nuk u kalua pa debate në kuvend. Kryetari i komisionit të ligjeve, Fatmir Xhafaj kërkoi rregulla të forta për pastërtinë ligjore të administratorëve të lojërave të fatit. 

“Duhen vendosur rregulla shumë të forta për ata që janë në rolin e administratorit të kompanive të lojërave të fatit sa u takon pastërtisë së tyre ligjore dhe morale. Më vjen keq që nga kjo pikëpamje ky ligj është i dobët. Nuk është normale që njerëz me probleme, me shqetësime të jenë drejtorë lojërash fati”-tha Xhafaj. 

Relatori Ulsi Manja njoftoi përgjysmimin e çmimit të licencës për lojërat elektronike në distancë. 

“Meqë deri më tani nuk ka pasur licenca për lojëra elektronike në distancë, tarifa fillestare na duket e aplikuar. Për t’i hapur rrugë futjes në treg, menduam që tarifa e licencimit të pësojë këtë ulje, nga dyqind milionë, në 100 milionë lekë”-tha Manja. 

Kundër këtij propozimi votoi deputeti socialist Dashamir Peza. Xhafaj shprehu rezerva për draftin e qeverisë, të cilin kuvendi e ndryshoi, sa i takon makinerive elektronike. 

“Projekti i qeverisë i çonte tek Lotaria Kombëtare të gjithë lojërat e sotme elektronike. Ky ishte projekti, që të kuptohemi. Që bëmë fjalë ca muaj përpara. Nëse ne nuk do të kishim bërë këtë ndryshim, do të thotë që Lotaria Kombëtare do të kishte të gjithë makineritë që përdorin pikat elektronike. Hiqe këtej, e vëre andej, kjo  nuk shkon. O është Lotari Kombëtare, o përdor makineri elektronike. T’i mbyllim këto, që t’i marri ky këtej. Ndaj bëmë këtë ndryshim që është thelbësor,”-tha Xhafaj. 

Zëvendësministrja Irena Beqiraj tha se, meqë investimi dhe tarifa e investimit është e lartë, subjektet duhet të kenë garanci me ligj që nuk ju ndryshojnë kushtet. Vasilika Hysi kërkoi ndryshime lidhur me Lotarinë Kombëtare. 

Kjo kontratë do të jetë përjetësisht me garë, apo mund ta ketë dhe shteti? Si në shumicën e vendeve kontratën duhet ta ketë shteti, dhe të ardhurat të shkojnë për shërbime sociale. Ashtu siç është sjellë në ligj, lihet që gjithmonë ta ketë privati e asnjëherë shteti”,-tha Hysi.


Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)