Jemi zyrtarisht në stinën e dimrit, ku me ujen e temperaturave shtohen dhe problematika të ndryshme shëndetësore si për të rriturit ashtu dhe fëmijët, të cilët në fakt janë më të predispozuar të preken ndaj virozave, gjendjeve gripale apo laringitit. Me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja në 'Bima dhe Shëndeti' në emisionin Rreze Diellli në Report TV, do të ndalemi pikërisht tek laringiti i fëmijëve. Çfarë është laringiti, përse shkaktohet, cilat janë simptomat e para dhe kur prindërit duhet të drejtohen tek mjeku. Specialisti Merja jep disa këshilla tepër të vlefshme për prindërit duke rekomanduar dhe ndihmën e parë si duhet vepruar, sidomos me fëmijët më të vegjël. Natyra jonë na ka falur një tokë të bekuar me bimë medicinale, të cilat me pak njohuri mund t'i shfrytëzojmë në dobi të shëndetit tonë, ndaj specialisti i mjekësisë alternative Ylli Merja na tregon çajrat më të mirë dhe kombinimet e duhura në trajtimin e laringitit në mënyrë natyrale.
“Të rriturit e kuptojnë shumë më lehtë laringitin, ndërsa tek fëmijët sidomos tek ata më të vegjlit, laringiti nis me një ngjirje zëri, sikur do të gëlltisë diçka por ka vështirësi. Mundet po të jetë fëmijë i vogël t’a çojë dorën aty ku ka atë ndezjen në pjesën e hyrjes së laringut. Pra, ka disa shenja të para që ne po të jemi të vëmendshëm, kuptojmë se diçka ka fëmija” e nis kështu bisedën specialisti Merja, duke vijuar se mund të ketë dhe një frymëmarrje me vështirësi apo një çjerrje të zërit, qoftë një katar si ato zhurmat e fokave, janë shenjat paralajmëruese se te ky fëmijë, në atë hapësirën që është te laringu ka filluar një problematikë, që nëse nuk kapet shpejt mund të kalojë dhe në problematika të tjera më serioze.
Po cilët janë shkaktarët e laringitit?
Sipas Ylli Merjas, një nga shkaktarët kryesorë të laringitit, pra inflamacionit të mukozës së laringut janë rrymat e ftohta të ajrit ose ajri i thatë e i nxehtë në shtëpi. Një gabim që bëjnë shpesh prindërit është temperatura e dhomës së fëmijës apo vetë shtëpisë që mund të jetë shumë e lartë, shumë ngrohtë në krahasim me temperaturat jashtë. Shkaktarë të tjerë janë infeksionet virale: virusi i parainfluencës dhe gripit, adenoviruset, virusi sincicial i frymëmarrjes, rinoviruset. Më pak ndikim kanë infeksionet bakteriale, ndërsa alergjitë ose refluksi gastroezofagal janë të tjerë shkaktarë.
Ndihma e parë me shfaqjen e sëmundjes që rekomandon specialisti i mjekësisë alternative Ylli Merja është:
- - Mbajmë ajër të pastër në dhomë, pa tym, jo ajër i nxehtë
- - Masazhojmë trupin e fëmijës pranë një ngrohësi me ekstrakt balsamik
- - I japim çaj me lule shtogu ose frut shtogu, trëndafil shkëmbi, lule bliri
- - Hedhim në çaj në çdo filxhan 2-3 pika propolis
- - Çaj me xhinxhër, ose i hedhim në supë pak xhinxhër 3-4 gr
- - I japim një vezë të freskët të rrahur me pak mjaltë
“Prindi duhet të paraqitet tek mjeku në rast se nga dita në ditë, për 3-4 ditët e para gjendja vështirësohet, kur fëmija kollitet me vështirësi ose mund të ketë shenja të sekrecioneve me gjak, kur fëmija shfaq temperaturë, kur shfaq sindromën e vështirësimit akut të frymëmarrjes apo kur fëmija shfaq ngjirje zëri deri në humbje zëri” këshillon Merja.
Konsultat me mjekun pediatër janë shumë të rëndësishme këshillon Merja, por po aq e rëndësishme është që fëmijës mos t’i fillohet menjëherë antibiotik. Prindi është i pari që duhet të ndihmojë fëmijën që në fillimin e simptomave të para, por jo vetëm. Mirë është që çdo prind të jetë i informuar për mbrojtjen e sulmeve virale, pasi ka shumë bimë dhe kura natyrale të cilat luajnë një rol tepër të rëndësishëm në këtë drejtim.
Trajtimi alternativ për laringitin tek fëmijët rekomanduar nga Ylli Merja
- - Bëjmë në dhomë një avull me bimët si ekualipsi dhe dafina: hedhim në 0.5 litra ujë që vlon një dorë ekualips dhe 5-6 gjethe dafine. Deodorant i dhomës me vaj dafine dhe ekualipsi: 3 pika nga secili vaj dhe 1 lugë çaji ujë
- - Përgatisim një çaj bimor: në 0.5 litër ujë zieni 2 minuta një fije basan, dy gjethe dafine, dy gjethe ekualips, një lugë aguliçe. Por dhe lulja e shtogut apo trëndafili i shkëmbit janë shumë të mira. Kullojeni çajin pasi ftohet, fëmija pi 3 x 50-100 ml në ditë para dhe pas buke (hedhim në çdo filxhan çaji 3-5 pika propolis)
- - Ekstrakt balsamik, i japim fëmijës pas buke 3 x 1/2 lugë kafeje nga ekstrakti
- - Në një lugë çaji ekstrakt balsamik hedhim 3-4 pika vaj dafine. Lyeni dhe masazhoni me këtë vaj gjoksin, brinjët dhe shpatullat, kjo bëhet 1 herë në ditë
- - Vaj dafine, vendosi fëmijës 2 herë në ditë nga një pikë. Jepi të pijë 2 herë në ditë nga 1 pikë
- - Gjatë ditës fëmijës i japim të hajë qepë të kuqe dhe xhinxhër në gjellë ose grijmë 1 qepë të kuqe dhe 50 gr xhinxhër. Përzieni me 3 lugë gjelle mjaltë dhe nga kjo përzierje i japim fëmijës 3 x1 lugë kafe në ditë pas buke
- - I japim fëmijës vezë të freskët të rrahur me pak mjaltë ose sheqer. Veza ka një enzimë e quajtur lizozimë, e cila bën një mrekulli në organizëm, pasi lufton bakteret dhe i asgjeson ato.
“Nëse ne e kapim në kohë, zgjidhja e këtij problemi është në pak ditë” thekson Merja, pasi efekti i bimëve mjekësore jo vetëm që largon viruset dhe bakteret, por rrit dhe sistemin imunitar të fëmijëve.