/ATSH-MIA/ - Për shkak të tensionit të rritur në Maqedoni, Rusia ka propozuar vizitën në këtë vend të sekretarit të përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, njoftoi sot Ministria ruse e Punëve të Jashtme, ndërsa shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov ka vlerësuar se kjo vizitë është domosdoshmëri.
"Duke patur parasysh rritjen e tensioneve në Maqedoni, pala ruse propozoi dërgimin e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës në rajon", theksohet në njoftimin e MPJ-së ruse pas pjesëmarrjes së Lavrovit në takimin e Komitetit të ministrave të KiE-së në Bruksel.
Në kumtesë shtohet se Lavrov, në kuadër të pjesëmarrjes në takim, ka pasur takim pune me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës.
Në fjalimin e tij në Bruksel Lavrov e ka vlerësuar si mjaft të rëndësishme vizitën e Jaglandit në Shkup.
"Duke patur parasysh dimensionin e dukshëm rajonal të ngjarjeve në Maqedoni do të ishte shumë e rëndësishme që sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës të vizitojë Shkupin, që të promovojë normalizimin e situatës në bazë të parimeve dhe vlerave të organizatës tonë", ka theksuar Lavrov.