“21 janari, prisnim llogaridhënie”

“21 janari, prisnim llogaridhënie”
Në dritën e një memoje që SHBA i adresonte Ministrisë së Jashtme Shqiptare, publikuar një javë më parë në “Top-Story” dhe në një udhëkryq vendimtar për fatet e vendit, në studion e Sokol Ballës mbërriti këtë të enjte një prej zërave të rëndësishëm diplomatikë të Uashingtonit.

Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Philip Reeker, menjëherë pas mbërritjes në vëndin tonë, e ka nisur vizitën dy ditore në Tiranë duke vizituar fillimisht ambientet e “Top-Medias”.

Në një intervistë në të cilën Reeker përcolli mesazhe të rëndësishme, ai u përqëndrua gjerësisht tek letërshkëmbimi dhe tonet e ashpra të Uashingtonit në atë memo, në qëndrimin amerikan mbi tonet e shtuara nacionaliste të Shqipërisë, në zgjedhjet e qershorit, integrimin, bisedimet Serbi-Kosovë, integrimin europian të Shqipërisë dhe aspekte të tjera të rëndësishme të aktualitetit shqiptar.

Sokol Balla: Faleminderit që pranuat ftesën zoti Reeker.
Zv.ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Philip Reeker: Është kënaqësi!

Sokol Balla: Vizita juaj vjen në një moment të rëndësishëm, sic janë bisedimet Kosovë-Serbi që kanë mbërritur në një fazë të avancuar. Ju vini nga Brukseli, i keni mbikqyrur ato?
Zoti Reeker: Kam qenë në Bruksel dhe jam i lumtur që vizitoj Shqipërinë tani. Mendoj që dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë për të përmirësuar jetesën e qytetarëve.

Sokol Balla: Serbët kërkojnë shumë më tepër nga ç’ofrojnë dhe shqiptarët nuk janë shumë të kenaqur nga këto bisedime. Është një bast i fortë dhe i vështirë ky për SHBA në këto bisedime?
Zoti Reeker: Është marrëzi të fokusohesh tek reagimet. Ne jemi të impresionuar prej asaj që ka treguar kryeministri Thaci. Këto janë cështje të vështira. SHBA janë mbështetëse shumë të forta të integritetit territorial të Kosovës. Historia është ajo që është ndaj duhet të vendosim atë në kontekst dhe të shikohet përpara drejt integrimit dhe fqinjësisë së mirë. Kjo është e rëndësishme. Është nevoja për patjen e marrëdhënieve të mira mes gjithë vendeve të Ballkanit. Kam patur mundësinë të ndaloj në Bruksel dhe të marr pjesë në festimet e 5 vjetorit të organizuara nga ambasada e Kosovës aty. Është e rëndësishme që të gjitha vendet e rajonit të punojnë për një të ardhme më të mirë, për një të ardhme më të mirë dhe europiane.

Sokol Balla: Ju vini në Tiranë në momentin kur DASH po pëson një ndryshim pas 4 vitesh nën Clinton. Tashmë në krye është John kerry, ish-kandidat për president në vitin 2004 përballë Bush. Cfarë ndodh në raste të tilla? Ka ndryshim dramatik në mënyrën si drejton? Cfarë ndryshimesh priten në rajon?
Zoti Reeker: Kerry ka shërbyer në senatin amerikan. Kryetar i komisionit të marrdhënieve me jashtë. Është i përgatitur ndaj kemi patur një tranzicion të lehtë. Ai do të vizitojë Londrën, Berlinin, Parisin dhe Romën për t’u takuar me partnerët tanë dhe aleatët dhe ajo që do të shikoni është një vazhdimësi e politikave të jashtme të DASH, vazhdimësi e politikës së Presidentit Obama në mandatin e dytë.

Sokol Balla: Cila është axhenda e vizitës tuaj në Tiranë. Kë do të takoni dhe pse?
Zoti Reeker: Kam kënaqësinë që të rri 2 ditë në Tiranë. Ky është ritmi që dëshiroj të ndjek. Dëshiroj të bisedoj me vendet e rajonit të paktën 2 herë në vit. Në këto 7 vende që unë kam përgjegjësinë, Shqipëria është një nga dy që është aleatë e NATO-s, ndaj është e rëndësishme të vij të takohem këtu me kolegët shqiptarë. Fokusi ynë është që të ndihmojmë Shqipërinë që të përmbushë synimin e saj drejt BE-së.

Sokol Balla: Si po i bën detyrat Shqipëria, përmirësim?
Zoti Reeker: Shqipëria ka punuar tejet fort me Komisionin Europian dhe gjithë faktorët që përfshihen në Shqipëri përsa i takon reformave,. Anëtarësimi ka standardet e caktuara, sundimi i ligjit dhe institucionet. BE ka qenë shumë e qartë që dëshiron që Shqipëria të marrë statusin e plotë. Të gjithë janë përpjekur që Shqipëria të ecë përpara. Të gjithë duhet të marrin përgjegjësi për këtë.

Sokol Balla: Cili është pozicioni i Shqipërisë përsa i përket interesave amerikane në energjia në Europën Jug-lindore. Para pak kohës u nënshkrua me Greqinë dhe Italianë projekti i gazsjellësit TAP? Cfarë rëndësie ka për rajonin?
Zoti Reeker: Dëshiroj ta përgëzoj Shqipërinë për nënshkrimin e marrëveshjes me Athinën dhe Romën sepse ne në Uashington kemi folur për sigurimin e energjisë. Korridori jugor do të sjellë burime të reja për gaz për Europën, që SHBA i inkurajon. Europa ka ngecur me një eksportues ekskluziv. Kjo është një mundësi që të ndihmojmë në diversifikimin e energjisë.

Sokol Balla: Në fakt kishim një dilemë se kë mbështesin amerikanët. Ju nuk jeni për një projekt? Sa më shumë aq më mirë?
Zoti Reeker: S’kemi të favorizuar. Por të gjitha vendet duhet të ndjekin diversifikimin e burimeve të energjisë.

Sokol Balla: Vizita është në një moment të rëndësishëm. Bisedimet Kosovë-Serbi dhe pasojat që kanë në rajon, ku shqiptarët dhe Shqipëria kanë një rol të ridimensionuar falë mbështetjes së SHBA për anëtarësimin në NATO. Pas pavarësisë, shqiptarët kanë përjetuar një patriotizëm që unë e kam quajtur të lumtur. Kjo e ardhmja e përbashkët ka patur dilema dhe debate. Ju folët për qëllim të përbashkët, integrimin. Politikanë shqiptarë, në Tiranë, Prishtinë, Tetovë dhe Shkup, kanë folur dhe përmendur bashkimin kombëtar. Ka patur teza për dhënie pasaportash. Ajo që ne kemi parë është shqetësimi i SHBA ndaj një retorike të tillë. Cfarë shqetëson SHBA?
Zoti Reeker: Nacionalizmi është dicka që ne e rrokim sepse të gjithë e kemi parë se në cfarë rruge të con nacionalizmi, papërgjegjshmëri dhe shpie në shpërnqendrim nga fokusi kryesor që janë reformat. Nacionalizmat janë kundërproduktive sepse shpërqendrojnë nga përparësitë për rajonin. Ambasadori Arvizu ka bërë një punë të shkëlqyer për të përcjellë mesazhin e Uashingtonit këtu.

Sokol Balla: Nacionalizmi shqiptar, Kryeministri Berisha thotë që kjo lloj retorike nuk cënon popujt fqinj. Ka një interpretim kushtetues në fakt, sepse në Kushtetutën tonë flitet për një bashkim kombëtar. Cfarë e bën të papranueshëm për SHBA?
Zoti Reeker: Kufitjë në Europë janë të përcaktuar dhe ajo në të cilën gjendet Europa tani është BE, një përvojë e jashtëzakonshme që ka sjellë zhvillim dhe begati dhe e gjitha kjo sepse kanë lënë mënjanë nacionalizmin për të punuar për të ardhmen. Kush do ta kishte menduar që Gjermania dhe Franca do të ishin kaq partnerë të ngushtë dhe ne kërkojmë të njëjtën gjë edhe në Ballkan.

Sokol Balla: Deri në ç’pikë ky nacionalizëm dëmton marrëdhëniet tona?
Zoti Reeker: Nuk mendoj që është dicka që unë mund ta vlerësoj. Ne kemi marrëdhënie të forta dhe i vlerësojmë ato, sikurse me Kosovën, Maqedoninë, Serbinë dhe vende të tjera të rajonit. Të gjitha vendet duke punuar së bashku drejt reformave që do të shpien për standarde jetese më të mirë për qytetarët. Kur ndjejmë retorikë nacionaliste që shqetëson, ne i ngremë këto shqetësime dhe reagojmë për t’i lënë atë menjëanë për të eceur së bashku përtej nacionalizmit dhe kjo vlen për të gjithë politikanët, në Shqipëri dhe kudo.

Sokol Balla: Ndaj të gjithë spektrit politik shqiptar? Kritikat duket sikur nuk kuptohet ndaj kujt drejtohen, një formaconi të ri politik, qeverisë apo opozitës? Keni ndarje përgjegjësish?
Zoti Reeker: Mendoj që mesazhi është një për të gjithë. Arvizu flet në emër të presidentit të SHBA dhe përcjell mesazhin e tij. Ne po flasim për të gjithë, kemi një mesazh të përbashkët në rajon sepse është një dorë që i është shtrirë të gjithëve dhe ky proces nuk lehtësohet prej nacionalizmave të panevojshme sepse kjo shpie në destabilitet. Ne duhet të përcjellim këtë mesazh tek të gjithë.

Sokol Balla: Duket sikur përsëritet fjalët për fjalët e memos…
Zoti Reeker: Gazetarët pëlqejnë dramat. Unë nuk disktuoj bisedat diplomatike. Kjo lloj retorike nacionaliste nuk është e mirëpritur sepse na shqetëson ne, shqetëson BE dhe partenerët tanë, ndaj mos shpërqendrohemi dhe të ndjekim reformat për të ecur përpara. Ky është mesazhi që unë kam. SHBA dhe Shqipëria ka një marrëdhënie të fortë dhe afatgjatë. Duhet të jemi në gjendje të flasim me njëri-tjetrin në mënyrë të drejpërdrejtë.

Sokol Balla: Në vizitën e saj Clinton foli për zgjedhje të lira dhe të ndershme. A reflekton një shqetësim zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri?
Zoti Reeker: Kemi shqetësime për zgjedhje dhe këto janë tejet të rëndësishme për Brukselin dhe Uashingtonin sepse ato do të vendosin tonin për fazën e ardhshme të Shqipërisë. Shqipëria vetëm dy dekada më parë ka bërë këtë tranzicion të jashtëzakonshëm. Kemi parë probleme në zgjedhjet e shkuara dhe si miq dëshirojmë t’ju ndihmojmë që këto zgjedhje të jenë të suksesshme. Të mundësojmë që zgjedhjet në qershor të jenë të lira, të ndershme dhe të pranueshme nga të gjithë.

Sokol Balla: Në fakt duket pak kontradiktore, një vend anëtar në NATO që nuk realizon dot dhe zgjedhje të lira…
Zoti Reeker: Jemi shumë krenarë që Shqipëria është anëtare e NATO-s. Më kujtohet kur Shqipëria erdhi e u ul në tryezë. Shqipëria ka bërë shumë për të arritur këtë gjë dhe ne jemi këtu që këto zgjedhje të jenë të suksesshme për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

Sokol Balla: 21 janari. Si e shikoni vendimin e gjykatës?
Zoti Reeker: Mendoj që deklarata jonë, deklarata e ambasadorit flet vetë. Është deklaratë e koordinuar me Uashingtonin dhe ne kemi qenë të shqetësuar nga vendimi dhe kemi shprehur pikëpamjet tona për të. Asgjë nuk ka për të rikthyer jetën e katër të vrarëve atë ditë që u lënduan, familjet e të cilëve janë ndryshuar përgjithmonë, por ajo që njerëzit duan të shohin është llogaridhënia dhe ne kemi dhënë asistencën tonë kur na është kërkuar nga Shqipëria dhe ne e kemi ofruar këtë. Ndaj ne kërkojmë që të ketë llogaridhënie. Kjo është një cështje shqiptare, por përfshirja jonë ka rrjedhur prej kërkesës së Prokurorit për asistencë teknike. Kjo nuk është një cështje politike. Ka një tendencë që të mund të politizohen cështjet. Asnjë palë nuk duhet përdorur si një top futbolli në këtë periudhë.

Sokol Balla: Kështu thotë dhe deklarata, nuk u vendos drejtësi…
Zoti Reeker: Nuk kemi parë që ka patur një habi. Ajo cështje është cuar në apel dhe ne do vazhdojmë të shprehim pikëpamjen tonë për këtë rast, që populli të ketë ndjesi që ka llogaridhënie.

Sokol Balla: Keni theksuar që ju flisni me një zë, edhe në Tiranë përmes zotit Arvizu. Këtu ka patur edhe në të shkuarën, gjithmonë është thënë mos është qendrim personal i ambasadorit. Sot a ka qendrime personale të ambasadorit?
Zoti Reeker: Sikurse e thashë, Arvizu është përfaqësuesi personal i Presidentit të shba në Shqipëri. Jam krenar që ai është këtu dhe koleg i imi. Ne punojmë jashtë mase ngushtë me njëri-tjetrin. Bota e sotme është botë e komunikimit thuajse cdo ditë dhe në baza të përhershme.

Sokol Balla: Qeveria shqiptare kohët e fundit ka kërkuar dhe financuar grupe lobiste sic është Podesta Group dhe Patton Boggs. Zyrtarisht është për lobim për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë. Por këtu ka shumë dilema, mos lobimi është për interesat e qeverisë dhe jo Shqipërisë…
Zoti Reeker: Unë nuk mund të komentoj mbi transaksione private sepse këto grupe janë kompani private dhe më duhet të referoj tek ata ose qeveria shqiptare. Politikat vendosen prej Presidentit të SHBA dhe Sekretarit të Shtetit. Unë bashkërendoj politikat. Shqipëria ka një ambasadë të shkëlqyer në Uashington. Ambasada është pika kryesore për politikat zyrtare, të tjerët mund të luajnë një rol të shpjeguarit se si Uashingtoni punon. Aty ka shumë privatë që punojnë me individë, por mos ketë keqkuptim, është ambasadori…

Sokol Balla: Këto lobime a e tejkalojnë punën e ambasadorit?
Zoti Reeker: Është e rëndësishme që të kuptoni që politika e jashtme vendoset nga Presidenti dhe Sekretari i Shtetit. Ambasadat janë kontakti ynë kryesor.

Sokol Balla: Rajoni nuk duket se po kalon një moment të mirë. Rritje e nacionalizmit në Greqi, në Maqedoni ngërc politik dhe në Shqipëri retorika nacionaliste, bisediemt Serbi-Kosovë, incidente në Preshevë. Roli i shqiptarëve në stabilitetin e rajonit?
Zoti Reeker: Ky është 100 vjetori i luftës ballkanike që ka përfunduar më 1913 dhe duke patur parasysh se sa përpara kemi bërë me këtë rajon, është me të vërtetë dicka që duhet menduar. Tani në 2013 janë vendet e këtij rajoni që përcaktojnë jetën e qytetarëve të tyre, dhe jo fuqitë e mëdha si para 100 viteve. Nuk është një udhëtim i lehtë, por ne duhet t’i ngjitemi këtyre parimeve bazë dhe për këtë SHBA kanë nënvizuar pavarësinë e Kosovës dhe integritetin e saj territorial dhe qendrojmë përkrah Maqedonisë për integrimin, si dhe mbështesim Serbinë për t’u anëtarësuar në BE sa më shpejt. Nxisim rajonin për t’u përballur për cështjet ekonomike, luftën kundër terrorizmit apo ngrohjen globale. Kjo është e ardhmja më e mirë për secilin prej këtyre vendeve. Vendet duhet të lënë menjanë gjuhën nacionaliste dhe të jenë krenarë për vendet e tyre përmes institucioneve si NATO dhe BE, për një të ardhme më të qendrueshme dhe më të paqtë.

Zëvendës-ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euro-Azinë, Philip Reeker, i cili mbërriti nga Brukseli në Tiranë mbrëmjen e së enjtes, menjëherë e ka nisur vizitën dy ditore në Tiranë, duke vizituar fillimisht ambjentet e Topmedias. Gjatë vizitës zoti Reeker, i shoqëruar nga ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, ka shkëmbyer mendime dhe ka bashkëbiseduar me drejtuesit e Top Channel.

(Marrë nga gazeta Shqip)
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja