“Bilbao – Nju-Jork – Bilbao”, një libër
me të cilin mund të udhëtosh

“Bilbao – Nju-Jork – Bilbao”, një libër<br />me të cilin mund të udhëtosh
TIRANE- Letërsia e mirë të bën të ndiesh një lëmsh në stomak, thotë në një nga intervistat e tij shkrimtari Foster Uollasi. Përvoja dhe përjetimet mund të jenë të ndryshme por, është e vërtetë se, pas çdo mbarim libri provon një emocion i cili të ndjek nga pas dhe nuk të shkëputet edhe për ca kohë. Romani “Bilbao – Nju-Jork – Bilbao” i shkrimtarit Kirmen Uribe është një roman që ka prodhuar ngjarje për letërsinë bashkëkohore. Fitues i Cmimit Kombëtar të Prozës, për vitin 2009, në Spanjë  dhe i përkthyer, deri më tash, në 14 gjuhë të ndryshme, romani ka nxitur një debat mes kritikëve letrarë për formën origjinale si edhe për mënyrën e rrëfimit. Kundërshtitë ndër ata që e shohin romanin perms skepticizmit akademik për ta quajtur roman dhe atyre që Kirmen Uribe e konsiderojnë si një nga rinovuesit më të shquar të letërsisë së sotme vijnë e shkrihen kur bëhet fjalë për atë letërsi që “të bën të ndiesh një lëmsh në stomak”. Romani “Bilbao – Nju-Jork – Bilbao“ është një roman dashurie për kohët e shkuara, për traditat e humbura, për detin, natyrën, gjuhën, artin, familjen dhe historinë.

Koha reale në të cilën zhvillohet romani është koha e një fluturimi mbi oqean nga Bilbao në Nju-Jork. Ndërsa koha letrare shkon e shtrihet në tre brezat e familjes Uribe. Rrëfimi nis me Liborio Uribe, gjyshin e shkrimtarit i cili ditën kur i thanë se i kishte mbetur pak muaj për të jetuar, nuk donte të kthehej në shtëpi. Liborio Uribe në atë ditë, pati dëshirë të shkonte në Muzeun e Arteve në Bilbao për të parë një afresk të Aurelio Artetës, piktor bashkohës i Pablo Pikasos. Mbetet enigmë deri afër fundit të romanit dëshira e peshkatarit për të parë kompozimin e Aurelio Artetës i cili vjen edhe bëhet një nga personazhet e rëndësishëm të këtij romani. “Nuk di shumë për gjyshin tim, Liborio Uribe, rrëfen që në faqet e para Kirmen Uribe. Kur linda unë, ai kishte vdekur dhe babai nuk na tregonte ndonjë gjë të madhe për të. Nuk i pëlqente të fliste për të shkuarën.” I vendosur për ta kuptuar dhe pastaj për ta rrëfyer  të shkuarën, Kirmen Uribe vihet në kërkim të dëshmitarëve, fakteve dhe ngjarjeve. Romani vjen e bëhet si një lojë me puzzle.

Çdo personazh, çdo copëz historie fillon të zerë vend duke formuar rresht pas rreshti e faqe pas faqeje tablonë e Kirmen Uribes si një roman për atë botë deti në zhdukje e sipër. Duke zbuluar dhe kuptuar të shkuarën autori zbulon me trishtim se “Asokohe, bota ishte e gjerë dhe tërheqëse” se “ Asokohe kishte shumë solidaritet dhe në ditët e sotme ai është zhdukur” se “Pasioni për detin ka ardhur duke u shuar” dhe se shumë nga personazhet e tij i kishin kthyer shpinën detit. I rritur mes një kulture dhe gjuhës baske autori sjell në roman, shpesh herë edhe me ngjyra humori apo ironike, shqetësimin për rrezikimin e traditës dhe kulturës së vëndeve të vogla prej dominimit të kulturës globaliste. Faqet e ditarit të njërit prej personazheve të romanit e sjellin përmes sinqeritetit dhe naivitetit të një fëmije këtë shqetësim.

  “Shpikjen” e tij letrare, Kirmen Uribe e ka ngjizur duke përzierë forma të ndryshme të rrëfimit letrar me informacione që vijnë nga Ëikipedia, artikuj gazetash, korespondenca, email-e, ditare udhëtimesh, intervista, shpjegues fjalorësh, sprova për të shpjeguar artin e të shkruarit dhe artin figurativ. Romani të le shijen e një ditari që shkrimtari e shkruan, rresht pas rreshti, bashkë me lexuesin në përpjekje për të kuptuar personazhe dhe ngjarje të së shkuarës. Si në një restorant ku guzhina është e dukshme ai tregon shqetësimet dhe e ndan me lexuesit të gjithë proçesin e shkrimit sepse për Kirmen Uribe “ … për të shkruar duhet siguri. Të shkruash pa frikë”. Ashtu si edhe në peshkim. “Po të kesh frikë, nuk del dot kurrë në det”.

  Shkrimtarët dhe peshkatarët janë të ngjashëm. Kjo metaforë të ngec në mendje pasi mbaron romanin “Bilbao – Nju-Jork – Bilbao”. Nuk i bën të ngjashëm vetëm instikti i gjuetarit, por edhe aftësia për të heshtur dhe për të biseduar në heshtje me personazhet e me gjahun e tyre. “Dikur, deti ishte plot me peshq, tani është plot me ujë” thotë një nga personazhet e romanit. Dikur, kishte shumë shkrimtarë, tani ka shumë e më shumë libra dhe pak e më pak shkrimtarë.  Andaj, kur të bie rasti të lexosh diçka të mirë, nuk shpëton dot pa provuar emocion. “Letërsia e mirë të bën të ndiesh një lëmsh në stomak”. Faleminderit Kirmen.

Shkrimi u publikua sot,8 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Sinkronizimi perfekt i zhytëseve kineze që solli medaljen e artë (VIDEO)

Paris 2024/ Sinkronizimi perfekt i zhytëseve kineze që solli medaljen e artë (VIDEO)