“Britma” e Rexhep
Ferrit në narracion

“Britma” e Rexhep<br />Ferrit në narracion
“Kur lind diçka ndryshe, njeriu provokon kohën, kohën dhe vetveten”. Kjo frazeologji e shkëputur nga romani i Rexhep Ferrit, që titullohet “Britma e Munkut”, duhet të ketë qenë shtysa e jetës dhe krijimtarisë së autorit të këtij romani. Piktor i suksesshëm në botën e artit modern, shkrimtar dhe poet, akademik Rexhep Ferri është një nga ata që kanë lindur vërtetë ndryshe. E ky është rezultati që ai s’mund të lërë të qetë as kohën as vetveten. I çuditshëm në krijimtari, ai vazhdon kundër çdo rryme të kohës të krijojë përjetësisht diçka ndryshe. Romani “Britma e Munkut” është përcjellë në botim me një shkrim, të shkrimtarit dhe eseistit të mirënjohur shqiptar Zija Çela, i cili e përjeton këtë roman të ri të Rexhep Ferrit përmes një misteri verbal, shkruar prej një autori që s’mund të bëj pa “shkatërruar tekstin”.

Stilistikën e romanit, shkrimtari Zija Çela e përshkruan në këtë mënyrë: “Lexuesin do ta shoqërojë vazhdimisht klithma e një gjysmë memeci, i cili nga tmerri i asaj që mëson të kumtojë, as nuk dëshiron, por as nuk mundet të jetë krejt i kthjellët. Madje duket qartë se shpesh është i pushtuar vetë nga ankthet e kohës së njëtrajtshme, prandaj ulërin për t’i dhënë kohës kuptimin më të madh e më përcaktues, atë të ndryshimit cilësor”. Mënyra ndryshe e të shkruarit në këtë roman duket se po e vë kritikën letrare në një sprovë të re, larg përshkrimeve të njëtrajtshme për rrëfimin dhe mesazhin e një vepre letrare. Romani i Rexhep Ferrit nuk ta lejon këtë. “Deri diku arrij edhe ta lexoj, edhe ta plotësoj me mend shkakun pse autori “është çmendur”. Dhe për çmendurinë s’mund të shkruhet ndryshe, veçse si në jerm. Ja përse ashtu si në pikturën e tij, edhe në letra, Rexhep Ferri e hedh ne erë subjektin, por pa asgjësuar narrativën krejtësisht”, shkruan Zija Çela.

Ky roman edhe pse ashtu me “tekst të hedhur në erë, është mbushur me mesazhe, frazeologji e detaje narrative tërheqëse, është mbushur me përralla, me tregime fare të vogla, që shkruhen e thuhen me një frymë, me një të dalë të tingullit. Kjo mënyrë të rrëfyeri i jep narrativës së Rexhep Ferrit një stilistikë shumë origjinale. Mesazhin qendror të veprës, ia zbulojmë më lehtë... Në thelb është njeriu që sfidon kohën. Po si, në ç, mënyrë, cilën kohë sfidon njeriu, dhe cili njeri është ai që sfidon i kujt shteti, i kujt kombi. Përgjigjja vjen nga ky tekst i romanit: “Gjatë kohës kur shkurtohet hija, kur shkurtohet nata, kur jeta ka më shumë vlerë, falë artit, falë natyrës, më vonë kur shkurtohet edhe dita, unë do të doja që ju të vazhdoni rrugën  dhe të ndaleni para boshllëkut, si para maleve që shihen edhe nga kontinenti tjetër”. Pra romani “Britma e Munkut” të shkakton një prishje qetësie kur je para klisheve të kohës, të ideve, të planeve, të moralit, të politikës.

“Nga unë çfarë kërkoni më shumë, koha nuk është vetëm kohë”, shkruan autori, ndërsa e di mirë se meditimet dhe përsiatjet e detyruara nga leximi i librit i shtrojnë lexuesit para vetes pikëpyetje të mëdha. Kjo mënyrë të rrëfyeri të zgjon brenda vetes një lloj trishtimi gërryes a klithme për trysninë e antivlerave, nga mbajtja peng e kohës, nga gjepurat, iluzionet, teoritë e pafrytshme, etj. Ja si shkruan autori në një fragment të romanit: “nga ky shqetësim në një galeri arti pashë një kohë të kthyer mbrapsht. Kur i afrohesh ta merr kujtesën dhe të flet sesa ndikime të pashpresa ka në jetë.

-E kujt është kjo natë?, - pyeti koha e ardhshme.
-Me varre pa emra i takon së kaluarës, -thashë.
-Me kafshim të ëmbël?
-Me kafshim të ëmbël”.
Rrëfimi si në jerm i Rexhep Ferrit është po aq “kafshues”, sepse ka ardhur një kohë që veç kur kafshohemi, mund të rebelohemi. Mesazhi është edhe klithmë për rebelim, edhe klithmë për përmbysje të kohës.

Në çdo nëntekst të romanit, fabula e narracionit i ngjan një fantazme. Ajo ashtu lëviz nëpër vepër, por lëviz vërtetë, provokon ndjesitë, teoritë, perceptimet njerëzore, dhe të detyron të zgjohesh pasi je ngopur me makthin e një zhgjëndrre. Romani sjell edhe personazh misterioz, Munkun. Cili është Munku, dhe pse përmendet në titull britma e tij? Autori të tërheq vëmendjen për të mos e parë këtë. Ç’rëndësi ka nëse është ai, nëse është fati Kosovës, apo fati i një njeriu të vetëm në një pikë të rruzullit. Për Rexhep Ferrin nuk ka rëndësi, rëndësi ka vepra. Ka rëndësi zbulimi i kohës dhe përndjekja e “kohëve të liga”. Koha nuk është vetëm kohë. Meqenëse jam ende në pritje, lërmëni t’i këndoj shpejtësisë. Të rrotullohem, të çmendem. Nga shija e mirë të shkatërroj komoditetin akademik. Pjesa më e madhe e studiuesve gjithmonë kanë përfunduar në kopjues të mirë….Jemi larg asaj që do të ndodhë….”. (Fragment nga romani). 

Shkrimi u publikua sot (12.01.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!