“Edipi Mbret” i Sofokliut apo
Fino mbret i Ilir Bokshit

“Edipi Mbret” i Sofokliut apo<br />Fino mbret i Ilir Bokshit
TIRANE - “Edipi Mbret” në Teatrin Kombëtar ka zgjuar aq shumë kureshtje dhe për tre netët e premierës salla ka qenë plot, por sa shumë kureshtje ndolli, aq të fortë e pati edhe efektin e zhgënjimit. Më interes me të drejtë kanë pasur edhe Kryeministri i vendit, z.Sali Berisha, i pranishëm në shfaqje, dhe ministri i kulturës Aldo Bumçi, sepse kanë dhënë fonde të mëdha për këtë dramë (për hir të politikave të bashkëpunimit kulturor Shqipëri-Kosovë).

Ministri i Kulturës ka duartrokitur madje shumë fort, ndërsa kryeministri në një bisedë përgëzuese me drejtuesit e Teatrit Kombëtar nuk kurseu lëvdatat, duke pohuar se “ne me këtë dramë realizuam bashkimin kulturor me Kosovën”. Pëlqimi prej tyre, nuk ishte domosdoshmërisht edhe pëlqimi i publikut.

Të kthehemi te ajo që ndjeu publiku dhe koncepti regjisorial i Ilir Bokshit, i cili ka qenë vetë çelësi i intrigës që presupozonte dhe suksesin e shfaqjes. Aktorja Yllka Mujo që luante rolin e Jokastës, nënës së Edipit, ishte mbushur plot me shpresë prej këtij regjisori dhe në një konferencë për shtyp para premierës tha se “do të kemi një teatër të ri”, duke pasur parasysh regjisorin kosovar.

Nuk gaboi për sa i përket idesë regjisoriale të Ilir Bokshit. Ishte një ide regjisoriale moderne, e stisur me kompozime skenash interesante, kostume të dizajnuara me shumë kujdes. Ide estetike të paqortueshme, së paku në letër.

Skenat erdhën duke përdorur edhe rituale iso-polifonike, si për të argumentuar “ripërdorimin” e kësaj kënge shekullore shqiptare për të cilën studiuesit thonë se rrjedh nga skenat e teatrove antike. Sigurisht, shfaqja për aktorët ishte e vështirë me dhjetëra kërcime e vallëzime të rrepta, disi të çuditshme, realizuar me prova të gjata dhe të mundimshme.

Pra kori antik ishte zëvendësuar me kërcimin, ku regjisori Bokshi e transferonte në një lloj kërcimi mitologjik. Deri diku ky cikël vallëzimesh e motivonte idenë për të qenë “Edipi Mbret” një dramë moderne, por që nga regjia, tek ekzekutimi duhet një rrugë e gjatë për të bërë Edipin Mbret, mbret edhe në skenë.

Duket se ishin realizuar më së miri edhe skenografia. Por shfaqja zhgënjeu pikërisht me figurën qendrore Edipin vetë, “Edipin Mbret”, barrën e të cilit e kishte marrë Helidon Fino, ose atë zgjodhi vetë regjisori Bokshi, që ky Helidon Fino si djalë i ri që ishte, tamam biri i nënës së vet, siç e merr vesh edhe në fund të tragjedisë ai, duhet të ishte një mbret riosh, i dëlirë, plot energji dhe aventurë dhe ca naiv, së paku, siç e përshkruan Sofokliu dhe s’do kishte arsye të fortë të delte në pah “shumë më i plakur” se Jokasta.

Domethënë del disi më i lodhur në skenë se vetë Jokasta, nëna e tij, që e luante Yllka Mujo, e cila gjithmonë aktore e shkëlqyer, nuk gjeti dot rrugë më të mirë t’i përgjigjej farsës së Edipit-Fino. Personazhi kryesor dukej sikur do të luante më shumë Hamletin e Shekspirit sesa Edipin e Sofokliut.

Pra, “të rrosh apo të mos rrosh” alias “ta bëj apo mos ta bëj”. Çfarë e lodhte aq shumë më skenë Edipin-Fino. Përpiqemi të kuptojmë se ndoshta ai donte t’i jepte mesazhe publikut se e lodhte brenga, por asgjë s’e motivonte rolin e mbretit, luajtur pa emocion, pa zemër (pse? Ai e merr vesh në fund fatkeqësinë).

Kjo është loja në teatër, ky është rreziku dhe sprova, dashuria për rolin. Personazhi i Edipit duket se nuk tërhiqte, nuk fokusonte vëmendje. Dhe kur është i lodhur Edipi, si do të emocionohej partnerja aktorja Yllka Mujo, e cila prej forcës e rinisë së tij shtyhet “më thellë në mëkat”, gjithmonë sipas Sofokliut.

Dhe meqë pjesa ishte me vallëzim për të duhen dy vetë të dalë e mirë loja. Ndërsa aktorët tanë e zbehën edhe ca herë të tjera lojën e tyre, sepse nuk i çmojnë fjalët poetike të Sofokliut.

Vargjet tragjike të tragjedianit të madh e kanë tragjizmin brenda ne tekst, në metaforë, brenda në fjalë, edhe sikur ato të thuhen edhe me zë të ulët, edhe me mërmërima, por jo ashtu siç ndodhi të shtunën në shfaqjen “Edipi Mbret” që përreth 20 minuta është bërtitur aq shumë, aq fort pikërisht kur kulmonte tragjedia, sa pësuam stres dhe zhurmë akustike, jo dëshirë për t’u prekur nga tragjedia.

“Pushoni”, thoshte një zë nga brenda dhe nga skena largohet dëgjimi ynë i lodhur. Publiku e njeh tragjedinë “Edipi Mbret”, ashtu si dhe regjisorët e aktorët që janë aty në sallë, të cilët dolën paksa të heshtur nga kjo shfaqje.

“Drama shkoi mirë sipas stilit të regjisorit deri në fund, por nuk shkaktoi përjetim emocional”, shprehet një regjisor. “Kobi” që erdhi së fundi, që biri dhe nëna pa ditur bien bashkë në shtrat, ngjante si një dasmë. Vetë thelbi i dramës, “kompleksi i Edipit” dështoi emocionalisht.

“Edipi Mbret” ishte nisur për një lojë të fuqishme dhe me lojtarë të zotë në dukje, por “nga të thënët me të bërë, shkon më mes një lumë i tërë”, thotë Populli. Duke ngjitur në skenë “Edipin Mbret” tre net në Teatrin Kombëtar të Tiranës, koncepti regjisorial i Ilir Bokshit deformohet gjatë aktrimit dhe ekzekutimit nga aktorët. Të luash tragjeditë antike me ulërima, nuk është art.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.02.2013

 

Redaksia Online

(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

'Anonimët në qeveri, sy shkelje ndaj teatër-opozitës', Basha: Rama u tha socialistëve, s'ka rëndësi kush ikën e vjen, këtu jam unë dhe Berisha

'Anonimët në qeveri, sy shkelje ndaj teatër-opozitës', Basha: Rama u tha socialistëve, s'ka rëndësi kush ikën e vjen, këtu jam unë dhe Berisha