“Gjeniu i pianos” në Tiranë për 5
vjetorin e “Albania Excellence”

“Gjeniu i pianos” në Tiranë për 5<br />vjetorin e “Albania Excellence”<br>
Marsida Koni mund të konsiderohet një gjeni i mirëfilltë i pianofortes… Ky ishte një prej vlerësimeve të medias italiane, që më tërhoqi fort vemëndjen tek kjo pianiste që i ka rrënjët në edukimin muzikor shqiptar, edhe pse pothuajse gjithë karrierën e saj e ka zhvilluar në skenat ndërkombëtare.

Ka nisur t’i bjerë pianos që në vitin 1985, në qytetin e saj të lindjes në Elbasan, ndërsa ishte katër vjeçe. Në moshën 9-vjeçare regjistron për herë të parë për Radio Televizionin shqiptar, 11 vjeç i bie pianos si soliste e shoqëruar me orkestrën filarmonike të Elbasanit. Frekuenton kurse të shumta në Shqipëri, Itali, Kroaci e Zvicër, merr pjesë në një masterclass të pianistit të famshëm brazilian Miguel Proenca në festivalin ndërkombëtar “Bitola 98” në Maqedoni. Në vitin 1999 përfundon liceun Jordan Misja ku ka marrë leksione nga Mjeshtrja Enika Gjokoreci dhe fiton bursën e studimit për të studiuar në akademinë e Arteve në Tiranë nën udhëheqjen e pianists së njohur Rudina Ciko.

Në vitin 2002 merr pjesë në Festivalin VII Europian të Zvicrës duke i rënë pianos si soliste e shoqëruar nga Young Orchestra.  Në Itali merr pjesë në masterclass të mbajtur nga Ennio Pastorino dhe An Li Pang (nxënës të Arturo Benedetti Michelangeli, i konsideruar një nga interpretuesit më të rafinuar të pianos të shekullit XX) dhe fiton shpejt admirimin e mjeshtërve.  Marsida i bie pianos në skena të ndryshme të botës, përveçse në Itali e Shqipëri, edhe në Belgjikë, Kroaci, Gjermani, Maqedoni, ShBA, Francë, Angli.

Është anëtare jurie në konkurse italiane e ndërkombëtare për piano. Nga viti 2005 interpreton duet, piano e klarinetë, me të shoqin, Piero Vincenti dhe së bashku kanë incizuar (në vitin 2010) një CD me veprën e plotë për klarinetë e piano Aurelio Magnanit.

Këto ditë dhjetori Marsida do të jetë në Tiranë falë një ftese nga “Albania Excellence”, për të marrë pjesë në mbrëmjen gala kushtuar brezit të viteve ’60-të dhe 5-vjetorit të Albania Excellence. Për karrierën e saj dhe planet e afërta ajo na flet në këtë intervistë për Shqiptarja.com.

Cili është qëllimi i visitës Suaj në këtë dhjetor në Shqipëri?
Një ftesë e Presidentes dhe Ideatores së Albanian Excellence, gazetares së njohur shqiptare, znj. Flora Nikolla për të marrë pjesë në mbrëmbjen gala kushtuar brezit të viteve ‘60, si dhe 5-vjetorit të krijimit të Albanian Excellence. Përfitoj nga rasti ta falenderoj dhe t’i  uroj suksese kësaj nisme.

Nostalgji vetëm për Albanian Excellence?
Të jem e sinqertë, këtë radhë vij vetëm për Albanian Excellence. Sigurisht, përfitoj nga rasti për të parë familjen time, të afërmit dhe miqtë e mi të mir.

Çfarë ka bërë Marsida gjatë kësaj kohe?
Gjëja më e bukur ka qënë vajza ime, Martha. Si çdo nënë jap përpjekur që kohën më të mirë t’ia kushtoj vajzës. Ndërkohë, fale edhe ndihmës së Nënës sime, pjesën tjetër të kohës t’ia kushtoja pianos. Ndër gjerat më të bukura nga ana profesionale do të veçoja vlerësimin nga ana a Bashkisë së Perugias, qyteti ku unë jetoj prej 13 vitesh tashmë, me Grifon e Argjendtë me motivacionin “Për kontributin kulturor dhe përhapjen e emrit të qytetit të Perugias nëpër botë”, Kontrata me Konservatorin e Perugias, si dhe Kontrata me Shtëpine Diskografike “Brilliant”, me të cilën më 10 dhjetor regjistroj CD me vepra të kompozitorëve shqiptarë.

Cila është përmbajtja e diskut?
Janë vepra shqiptare për piano të shkruara gjatë periudhës së komunizmit nga kompozitorë të ndryshëm, si S. Gjoni, T. Harapi, F. Ibrahimi, Ç. Zadeja, Th. Simaku, L. Dizdari, K. Lara, V. Tole etj.

Kujt ia dedikon?
Vendit tim…

Si e konsideron prof. Vaso Tole? 
Njeri jashtëzakonisht serioz dhe profesionist po aq serioz. E kam njohur në Akademinë e Arteve në vitin 1999 dhe gjithmonë kam ruajtur për të respekt, mirënjohje dhe admirim të pamasë, sepse është një artist i kompletuar.

Po premierën apsolute në natën e 12 dhjetorit?
Vepra titullohet “Rondo” dhe është shkruar  nga Prof. Vaso Tole në vitin 1988. Është një vepër tepër e bukur, me karakter skercoz ku ndërthuren mjeshtërisht motivet e ëmbla dhe delikate të Jugut, ndër to edhe Kabaja, me  motive maestoze dhe momente pianistike tepër të veçanta dhe frymëzuese. Do t’ia këshilloja çdo pianisti të ri ta vendoste në repertorin e tij këtë Rondo, sepse e them me bindje, që është një ndër veprat më të bukura të muzikës pianistike shqiptare. 

Cilat jane planet e Marsidës për 2018
Midis projekteve të tjera, ai që unë kam më tepër për zemër janë një sërë koncertesh me muzikë pianistike shqipare në Itali dhe Europë, ku gjatë koncertit të projektohen në video projektor imazhe nga të gjitha trevat e Shqipërisë pasi jo të gjithë i njohin pasuritë tona kulturore apo natyrore. Do të isha shumë e lumtur nëse do të arrija të kontribuoja në këtë drejtim…marsida koni

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Polici maqedonas që 'vërshoi' tregun e Kosovës me para false

Polici maqedonas që 'vërshoi' tregun e Kosovës me para false