“Kurrë” e Hashim e Thaçit

“Kurrë” e Hashim e Thaçit
Një nga shprehjet më të vjetra në botë është se njeriu mëson nga gabimet e veta. Mirëpo, nga kjo shumë lehtë mund të përjashtohet Qeveria e Kosovës, e cila çdo ditë e më shumë po tregon se nuk ka mësuar fare nga debakli që pësoi dialogu Prishtinë - Serbi. Sidomos në aspektin e marrëdhënieve me publikun. Zyrtarët qeveritarë, e pak më shumë kryeministri, janë mashtruar shumë rëndë kur kanë menduar se mund ta mashtrojnë opinionin duke aktruar se po refuzojnë kompromise me Serbinë, për t’i pranuar “papritmas” ato pas vizitave të rëndësishme.

Është krejt e kuptueshme se shteti i vogël dhe i parëndësishëm i Kosovës e ka të pamundshme të refuzojë shumë gjëra që i vijnë si ofertë e pranuar nga SHBA-të dhe BE-ja. Këtë e dinë të gjithë, edhe kryeministri, dhe për këtë arsye është e pakuptueshme përpjekja për të bindur opinionin se Hashim Thaçi është ai politikani i njëjtë kokëfortë edhe në takime p.sh. me amerikanë , njëjtë siç e shohim në parlament.

Dikush edhe mund të mendojë që kryeministri mund t’i ketë bërë llogaritjet gabim duke menduar se “kurrë” e tij mund të ndikojë te miqtë ndërkombëtarë të qeverisë. Por, kjo hidhet poshtë pasi ai padyshim që nuk i ka harruar votat pro të miqve të shteteve perëndimore kur ia miratuan rezolutën që kërkon hetim për trafikim organesh, akuzë kjo që si personazh kryesor e ka vetë atë, Hashim Thaçin.

JO e Hashimit para vendorëve nuk e ka as për së afërmi efektin e njëjtë para amerikanëve. Pse atëherë na çajnë kokën me deklarime bombastike me javë të tëra se si “kurrë” nuk do pranojnë diçka, për ta përpirë atë fjalë herdokur?

Ajo që ka qenë një gabim tejet i madh është mostransparenca pothuajse totale që e ka karakterizuar dialogun. Për ta ilustruar se çfarë kundërefekti ka pasur kjo gjë, është sjellja prej patrioti e kryeministrit, i cili tërë kohën bënte deklarime si “edhe opozita të më thotë pranoje rezolutën 1244, unë nuk do e pranoja”. Pak ditë më vonë, ishte vetë kryeministri ai që i dha aminin zëvendëses së tij, Edita Tahiri, që ta pranojë marrëveshjen e bashkëpunimit rajonal, pjesë e së cilës ishte edhe rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Reagimet që ka shkaktuar dhënia e këtij kompromisi dihen, ato ishin vetëm negative.

Pak muaj më vonë, prapë i njëjti avaz. Fillimisht na çan kokën me deklarime që nuk do të pranonin kurrë bisedime politike me Serbinë, etj. deklarime si këto, për t’iu dorëzuar presioneve ndërkombëtare sërish.

Sjellje të tilla politike, kur dihet se kryesisht kemi liderë kukulla që kurrë nuk do të mund të silleshin me kokëfortësi, vetëm sa kanë pasur efekt negativ në tërë dialogun, pasi pothuajse askush sot nuk beson se ka diçka të mirë nga i gjithë ky muhabet. Zyrtarët qeveritarë në biseda private të bëjnë be që Kosova kurrë në pozitë më të mirë nuk ka qenë, ndonëse e pranojnë që për këtë duhet falënderuar edhe votuesit e Serbisë që ua dhanë votën ish- bashkëpunëtorëve të afërt të Slobodan Millosheviçit.

Nuk jam nga ata që mendojnë se nga ky dialog s’ka asgjë të mirë, përkundrazi, nga rezultatet e dialogut mund të nxirren gjëra që në raport me BE-në, Kosova as nuk ka mundur t’i ëndërrojë pak kohë më parë. Tjetër gjë është nëse beson apo jo që qeveria, e udhëhequr nga Hashim Thaçi, mund t’i materializojë ato. Pikërisht këtu qëndron edhe problemi se ata që janë marrë direkt me dialogun, çfarëdo që të arrinin, qëndrimet e luhatshme të kryeministrit në opinion kanë shkatërruar gjithçka, qoftë edhe dëshirën për të parë nëse ka çka do qoftë pozitive në këtë çështje.

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

 U hetua se lejoi kultivimin e kanabisit në Mallakastër, Gazmir Preçi 3 vite më pas Shef Antidroge në Durrës! Arrestohet për gjobëvënie ndaj pronarit të një lokali nate

U hetua se lejoi kultivimin e kanabisit në Mallakastër, Gazmir Preçi 3 vite më pas Shef Antidroge në Durrës! Arrestohet për gjobëvënie ndaj pronarit të një lokali nate