Anija, e projektuar për të vizituar brigjet e Adriatikut, ka vendosur si një nga pikat kryesore të eksplorimit, edhe vendin tonë, duke planifikuar të qëndrojë për rreth katër ditë në brigjet tona duke ankoruar në tre porte: Durrës-Vlorë-Sarandë. Ky detaj i fundit nuk është për t’u nënvlerësuar pasi Shqipëria bën pjesë, mes destinacioneve më prestigjoze të Adriatikut si Kroacia, Italia dhe Greqia, që do të vizitohen nga kjo anije.
Nga porti i Vlorës kapiteni i “La bella del Adriatque”, Nenad Mogic , në një intervistë për A1 Report tregoi rrugëtimin e turistëve dhe interesin e madh që patën për vendin tonë, veçanërisht grupi i historianëve.
Anija “La bella del Adriatque” qëndroi të djelë në portin e Durrësit, ku turistët dhe historianët, zgjuan interes për veçoritë tona historike dhe kulturore në qyetit bregdetar.
Veçoria e këtij udhëtimi katër ditor në brigjet tona, e jo vetëm, është se Shqipëria nuk është më vetëm një parajsë turistike për brigjet e saj, por edhe një etapë thelbësore në ndërtimin e një historie dhe të një harte të zonave me rëndësi të madhe kulturore dhe historike në Ballkan. Anija “La bella del Adriatque” me 163 historianë në bord dhe ajo që arriti të na rrëfente kapiteni i kësaj anieje, janë tregues i një interesi mbi vendin tonë përtej kronikave verore, me fokus artin, kulturën dhe historinë.
Intervista e plote me kapitenin e anijes Nenad Mogic
Ju vini në Shqipëri me një grup turistësh për herë të dytë?
Sigurisht këtë herë në anijen tonë janë rreth 250 pasagjerë nga Zvicra të cilët janë nisur nga Dubrovniku dhe do të bëjnë një guidë 2 javore në Kroaci-Itali-Shqipëri dhe Greqi.
Kemi edhe një kuriozitet në lidhje me këtë anije, inaugurimin e saj fillimisht e ka kryer në Shqipëri?
Po është e vërtetë anija e ndërtuar në vitin 2007 është inauguruar në Shqipëri, çka do të thotë udhëtimin e saj të pare e ka bëre në ujrat shqiptare dhe pikërisht është ankoruar në portin e Vlorës.
Për turistët si duket kjo anije dhe qyteti i Vlorës?
Për turistët kjo anije është e vogël, e rëndësishme është të bëjmë një atmosferë familjare në bord, si një familje e vogël udhëtohet mirë dhe qëndrohet mirë. Pas këtij udhëtimi që bëmë dje në Durrës, sot në Vlorë dhe nesër 2 ditë ne Sarandë, është një intinerar i ri për pasagjerët tanë dhe deri tani janë kënaqur. Dje kanë bërë një vizitë në Tiranë, një xhiro gjatë ditës së Dielë, në të cilën u ndjenë mirë te gjithë.
Përshtypjet janë pozitive?
Po, për turistët kanë qenë përshtypje shumë të mira, edhe për mua, me të gjithë shërbimet që bëhen në port, ka qenë shumë mirë.
Do të riktheheni?
Meqenëse jemi një anije çarter, gjithmonë varet nga çarter, nga vendimet që merr çarter. Por jam i sigurt që pas zviceranëve, që do të kalojnë lajmin tek të tjerët, më shumë mundësi do të rikthehemi përsëri.
Ju si një drejtues i anijeve, a iu kërkohet nga turistët të vini sërish në Shqipëri?
Këtë herë ky grup turistësh kërkonte një vend me 2-3 porte sepse është nje grup që interesohet për vendet historike në Ballkan dhe kanë parë shumë vende historike në Shqipëri. Është një program që përfshin të gjithë diten, nisen që në mëngjes me anije dhe kthehen në darkë, pra jane gjithë diten jashtë, përreth Shqipërisë.
Çfarë thonë ata në lidhje me Shqiperinë, çfarë ju ka pëlqyer atyre që dëshironin të vinin në Shqipëri, a kanë dëgjuar në media për Shqipërinë?
Ata janë një grup historik shumë i interesuar për kishat e vjetra, manastiret dhe gjëra të tilla, për ata është një gjë e re se për shumë vite nuk kanë qenë të hapura dhe nuk ka qenë i mundur studimi i tyre. Sot kjo gjë është e mundur, shihet nje progres ne Shqipëri, që është gjë e mirë për të gjithë.
Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)