“Makbethi” në sprovë/ Të luash
në skenë një burrë si Suela Bako

“Makbethi” në sprovë/ Të luash<br />në skenë një burrë si Suela Bako<br>
Kur ke ndjekur provat e para të një shfaqjeje sfiduese si “Makbethi” që në embrion, ke kuptuar se puna e aktorëve dhe regjisorëve nuk është e lehtë. Emocionet ka të ngjarë të jenë më të mëdha sesa kur e sheh shfaqjen premierë në skenë.

E ndodhur paskuintave, duke hyrë pa bërë zhurmë në dhomën parapërgatitore të provave në Teatrin Kombëtar, të shfaqet një thikë përpara syve dhe në mendje të vijnë automatikisht vargjet e Shekspirit në gojën e Makbethit: “Mos është kamë, kjo që kam përpara syve/ me dorëzën nga dora ime…”.

Regjisori Kledi Kapexhiu kontrollonte lëvizjet e aktorëve, kohën e zgjatjes së buzëqeshjes apo të ngërdheshjes së personazhit. Është krijuar një atmosferë nga fytyrat e aktorëve, e tillë sa druhesh se thyen ndonjë qelq. Luli Bitri, Neritan Liçaj, edhe ata me shumë përvojë e me role të mëdha në karrierën e tyre, duken të ndrojtur përpara pushtetit të rolit…,e thënë më saktë para pushtetit të dashurisë për rolin. Askush nuk përton ta përsërisë 20 apo 30 herë një batutë apo gjest. Po përgatitet për herë të parë në Teatrin Kombëtar “Makbethi” i Shekspirit.  

Regjisori Kledi Kapexhiu i ka zhvendosur ngjarjet në një vend ku të gjithë janë vrasës dhe të gjitha viktimat pranojnë që të vriten. Nuk iu lë shumë vend pyetjeve se ku është ky vend. Për të s’ka rëndësi. Bashkë me aktorët përpiqet për të zbërthyer maksimalisht kryeveprën, duke i dhënë një dyfytyrëzim aktorialitetit mes teatrit antik grek dhe lojës së teatrit bashkëkohor. Tragjedinë e etjes për pushtet dhe brerjen e ndërgjegjes, Kapexhiu kërkon ta përcjellë edhe me mënyra të tjera për t’ia dalë në krye.

Personazhet kryesore në vepër interpretohen nga aktorja Luli Bitri, Ledi Makbeth dhe Indrit Çobani, Makbethi vet. Në skenë punohet fort me rolet e tjera. E gjejmë regjisorin duke punuar me aktoret Suela Bako, Neritan Liçaj, Laert Vasili e disa të të tjerë. Ndërkohë pjesë e premierës janë edhe aktorët Arben Derhemi, Egla Ceno, Klodiana Keco, Elia Zaharia, Adelina Muça, Arjola Nasho, Genti Deçka dhe Xhino Musollari.  

Premiera pritet të ngjitet në skenë më 9 mars. Kapexhiu iu ka vënë aktorëve disa kushte, ndërkohë ata rrëfejnë personazhin që përqiqen ta krijojnë brenda vetes. Befas aktorja e njohur Suela Bako të intrigon me shndërrimin e rolit të saj, do të luajë rolin e një burri, Malkolmin. E në gojën e aktores do të vihen fjalët që përshkruajnë të gjithë karakterin e tij. “Di që jam shartuar me çdo bërthamë vesi e ligësie, Që kur të lulëzojnë, do t'ju duket Makbeth' i zi m'i bardhë se dëbora”.  

Role të tilla kërkojnë një forcë të madhe të shëndërrimit. Ndërsa bisedojmë pas provave për premierën, i shkëpusim këtë intervistë.  

[gallery]25608[/gallery]

INTERVISTA

Suela, në shfaqjen Makbeth, ju do të luani rolin e Malkolm-it, djalit të Mbretit Dunkan. E keni të vështirë të transformoheni tërësisht në personazhin e një mashkulli?
- Jam në proces të krijimit të figurës artistike. Procesi i krijimit është gjithmonë, i vështirë e i bukur. Në këtë rast bëhet akoma më sfidues duke qenë një rol mashkulli. Nëse do të kemi të bëjmë me një trasnformim, ai do ishte një proces i shkëlqyer pastaj. Unë i kam pasion sfidat. Kështu procesi ecën paralel me dëshirën dhe nevojën time për t’u sprovuar, po përpiqem ta shijoj me sa mundem.

E kishit ëndërruar më parë këtë rol?
-Jo, nuk do mundja kurrë të ëndërroja të luaja Malkolmin. Tjetër rol do të ëndërroja në këtë kryevepër. Gjithsesi jam e lumtur që regjisori pa tek unë energjinë për këtë personazh dhe më tej akoma, ai pa Malkolmin që ka në kokë, sepse duhet të them që Kledi, në vizionin e tij, sjell një Malkolm përtej atij që ka shkruar Shekspiri. Kjo vazhdon të përkojë me dëshirën time për “sport të vështirë”, perveç faktit që duhet të luajë një figurë mashkullore, kjo figurë kapërcen dhe kornizën e autorit, duke eksperimentuar shumë thellë. (Nuk dua të zbulojë shumë, ndaj jam kaq e kursyer.) Unë në shfaqje, jam e rrethuar me djem. Kam punuar shpesh me djem, por në kushte të tjera, duke qenë regjisorë në television, por edhe ne filmat e shkurtër që kam realizuar. Më është dashur të rri e të punoj me djem. Në një shfaqje ishte hera e parë me partnerë veç djem. Ndihem mirë.

 E keni hasur në jetë një personazh të tillë?
-Jo. Aktorët kanë gjithmonë nevojë ta përqasin personazhin me një person real. Unë kam qëmtuar poshtë e lartë, disa karakteristika, por jo të përmbledhura te një i vetëm.

Çfarë vendi zë ky rol mes dhjetëra personazheve që ke luajtur në Teatër?
-Unë jam kthyer në teatër fort këto katër vitet e fundit. Në një aspekt e kam filluar luftën nga fillimi edhe pse, më parë kam bërë disa role të spikatura. Kur them e kam filluar nga fillimi, e them në kuptimin edrejtëpërdrejtë të fjalës. Kam lujatur edhe role të vogla dhe role kryesore. Kanë qenë 4 vite të ngjeshura dhe jam e lumtur për këtë. Ky rol, zë një vend të rëndësishëm, sepse autori është penë e artë, dhe fjala e tij në gojë merr vlerë tjetër nga çdokush autor që kam luajtur. Të luash Shekspirin, është fat i madh.

Cili është mesazhi që ju do të përcillni me rolin dhe a përputhet vizioni juaj me konceptin regjisorial?
-Vizioni i aktorit duhet të jetë detyrimisht i përputhur me vizionin e regjisorit, ndryshe lodhemi kot. Ju thashë më sipër që vizioni i tij për mua është sfidues, dhe kaq mjafton për t’i hyrë detit me këmbë. Vizioni i tij (Kapexhiut) i flet kohës, dhe vendit tim. Një faktor që e bën të lehtë të përfshihesh.

d.gj/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi