Në një intervistë për shqiptarja.com tregojnë se si e nisën karrierën dhe pse zgjodhën në një farë mënyrë të jenë imitues shumë të suksesshëm të “Modern Talking”. Të pyetur se a është e njëjta muzikë, dy pjesëtarët e këtij grupi thonë se nuk kanë ndryshuar asgjë nga këngët e viteve ’80-’90.
“Modern Talking Reloaded” tregojnë edhe arsyen se pse ndodhen në Shkodër dhe se ky qytet u pëlqen e madje janë çuditur. Në koncertin përpara Bashkisë, kandidatja e PD Voltana Ademi bëri një përshëndetje duke falënderuar grupin gjerman për këtë festë ku qytetarët e Shkodrës panë nga afër këngët më të famshme të performuara nga “Modern Talking Reloaded”.
Në 3 vitet e para “Modern Talking” numërojnë mbi 60 milion cd të shitura, duket si çmenduri apo jo?
Natyrisht. Ky grup u krijuar rastësisht, spontanisht. Kanë bërë një muzikë sensasuale, të jashtëzakonshme që kanë prekur me miliona njerëz.
Në 1987 vjen ndarja e parë e “Modern Talking”? Ashtu siç flitet ishte gruaja e Thomas Anders arsyeja?
Ka mundësi që ka qenë gruaja e Anders. Dhe ju e dini, gratë prishin punë.
Grand: Në vitin 1987 ka qenë një emision në Gjermani “Ventendas” dhe pas daljes në atë emision kanë shitur deri në 80 mijë cd në një ditë. Unë them se nuk kanë mundur që ta përballojnë këtë sukses të madh ndaj dhe ka ardhur ndarja mes tyre.
Në 1994 rinisin kontaktet e para mes tyre. Në 1998 vjen rishfaqja e parë publike, pra më shumë se 10 vite, ishte një rikthim komerçial?
Në 1998, Diter Bohlen Erdi me të gjitha këngët e miksuara. Ka patur një lloj dyshimi për Thomas Anders. Përsëri arritën shumë sukses edhe pas rikthimit të tyre. Duhet të dini se Bohlen është një biznesmen shumë i madh. Diter, Thomas Anders e ka marrë si fëmijë le të themi duke qenë se ishte më i ri dhe i ka thënë eja këtu se duhet ta bëjmë këtë. Pra kanë ndjerë suksesin dhe erën e biznesit.
6 milion albume me “Back for good” në 1998 dhe çmimi “World Music Award” ishte maksimumi i mundshëm ose arritja më e madhe?
Mbase duhet t’i pyesim ata por natyrisht edhe këto janë arritje të mëdha. Çdo çmim apo çdo cd e shitur vlen.
Në 2003 “Modern Talking” numëron 400 të artë dhe platini, ndarja në këtë vit erdhi si shkak se mbaroi misioni?
Thomas Anders dhe Dieter Bohlen janë dy karaktere komplet të ndryshme. Njëri është bjond dhe tjetri esmer. Ata nuk kanë qenë kurrë shokë. Kanë arritur gjithçka në karrierën e tyre dhe mbase janë ngopur. Bohlen nisi shumë projekte me televizionet gjermane ndërsa Anders nuk del më në koncerte por bën libra. “Modern Talking” ishte një projekt që është mbyllur dhe secili është i suksesshëm në jetën e tij.
Që kur ekziston grupi juaj “Modern Talking Reloaded” dhe cila është historia e krijimit tuaj?
Në mars të vitit 1999 jemi krijuar ne si grup.
Andre Grand: Gruaja ime ka patur në klasë Michael në shkollë. Mua më thonë se i përngjaj Thomas Anders. Në 1985 kam patur flokët e gjata dhe njerëzit më ndalnin në rrugë duke kujtuar se jam Thomas Anders. Kjo ka ndodhur për shumë kohë. Atëherë thashë pse jo të bëj diçka të ngjashme. Kur gruaja ime më tha se njeh dikënd që i ngjan Diter Bohlen dhe që bën muzikë atëherë unë i telefonova dhe Michael ishte dakord. Në 1999 bëmë shfaqjen e parë në Berlin. Që atëherë bëjmë këtë punë dhe kemi shumë sukses kudo në botë.
“Modern Talking” dhe “Modern Talking Reloaded” mund të themi se janë e njëjta gjë?
Deri diku po. Muzika është e njëjtë. Njerëzit e duan këtë muzikë dhe ne jua ofrojmë këtë kënaqësi.
A kanë më interes këngët hit të mëparshme edhe në ditët e sotme?
Patjetër që po. Absolutisht që duan vetëm ato këngë që janë të njohura dhe kanë bërë le të themi historinë. “Modern Talking” kanë rreth 20 albume. Ata kanë patur edhe këngë që nuk kanë qenë të suksesshme dhe ne kemi provuar t’i këndojmë por njerëzit nuk i duan ato këngë por vetëm ato të suksesshmet.
Brezi i ri i dëgjon këto këngë të viteve ’80-’90?
Po po. I dëgjojnë dhe i dinë në mënyrë perfekte. Ky është edhe sekreti që edhe brezat i pëlqejnë ato këngë edhe pse nuk i kanë parë asnjëherë në skenë “Modern Talking”. Muzika e tyre depërton edhe sot pafund.
A bëni ju këngë të reja?
Bëjmë edhe këngë të reja. Më shumë se këngë të reja ne bëjmë shoë. Argëtojmë njerëzit, këndojmë dhe kërcejmë bashkë me to. Kjo është ajo që bëjmë.
Sa ka ndryshuar muzika?
Muzika është bërë më e komplikuar. Ka kompozime elektronike që s’ti kap veshi. Janë këngë që qëndrojnë pak në treg dhe zhduken. Super star të vërtetë ka shumë vite që nuk ka në botë. Vijnë, marrin paratë dhe suksesin e momentit dhe largohen. Kaq është. Pra nuk ka super star. Me keqardhje super star po vdesin çdo ditë e më shumë. Justin Bieber apo Rihanna nuk do i njohë më kush këngët e tyre pas 10-20 vitesh. Më thoni mua se kush nuk e njeh “you are my heart, you are my soul”?! Ky është suksesi i vërtetë. Të kesh jetëgjatësi.
Pse jeni në Shkodër?
Një njeri i këndshëm na ka thirrur dhe kemi pranuar. Është nder për ne. Jemi shumë të gëzuar që jemi këtu. Njerëzit janë të sinqertë dhe të mirë dhe i falënderojmë për pritjen.
Si ju duket Shkodra?
Qytet shumë interesant. Pamë gjëra që nuk i dinim, Kalanë Rozafa, Velipojën, Shirokën, muzeun apo pedonalet me shtëpitë karakteristike. Një qytet që ka gjëra moderne por edhe objekte historike dhe kjo na habiti ne.
Ju kënduat edhe për politikën apo jo, duhet që artistë si ju të bëjnë koncerte për politikë?
Ne nuk këndojmë për politikën por për njerëzit. Voltana Ademi është njeri pastaj politikane. Nuk ka asnjë problem të këndosh edhe për politikën nëse një politikan përmes artistëve të mirë rrit numrin e njerëzve që marrin pjesë dhe njerëzit përmes artistëve dëfrehen dhe argëtohen. Kjo është ok.
***
“Modern Talking Reloaded” performuan disa prej këngëve më të njohura si “You are my heart, you are my soul”, “Chery chery lady”, “Brother Louie”, “You can ëin, if you ëant”, “Atlantis is calling”, “Geronimo’s Cadillac” apo “You are not alone” duke zgjuar nostalgjinë e viteve ’80-’90 tek të gjithë të pranishmit për të cilët ky koncert do mbetet gjatë në memorie.