TIRANE- Dhjetëra të rinj u mblodhën në qendër të kryeqytetit, ndërsa në sheshin "Skënderbej" në Tiranë në mënyrë simbolike u formua me qirinj të ndezur numri 60, që tregon për fikjen e dritave në mbarë botën për një orë.
 
Edhe “A1 Report” iu bashkua kësaj nisme duke fikur dritat në redaksinë e televizionit për 1 orë, ndërsa edhe studio e lajmeve fiku dritat gjatë transmetimit “live” nga qendra e Tiranës, teksa fikeshin njëra pas tjetrës dritat e ministrive, bashkisë, Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Muzeut Kombëtar, Sahatit dhe institucioneve të tjera përreth.

redaksia earth hour
(Në foto: Redaksia e A1Report dhe Shqiptarja.com i bashkohet nismës) Foto te tjera

Për të gjashtin vit radhazi në Shqipëri do të organizohet “Earth Hour”, e njohur si Ora e Tokës, duke fikur dritat për rreth 60 minuta, nga ora 20:30- 21:30 në mbështetje të kësaj nisme, duke kursyer për një orë energjinë elektrike. Kësaj nisme i janë bashkuar edhe disa qytete të tjera si Shkodra dhe Pogradeci.

“Earth Hour” është veprimi më i madh mjedisor që nga viti 2007 kur Ora e Tokës u iniciua në Sidnei nga “World Wilde Life Fund”. Këtë vit pritej që rreth 2 miliardë banorë në të gjithë globin të fiknin dritat në 154 shtete.
 
Ora e Tokës ka si qëllim t’i dhurojë planetit 60 minuta pushim nga konsumimi i burimeve, për të luftuar kështu ndryshimet klimaterike. Në orën 20:30 minuta me orën lokale në errësirë u zhytën qindra monumente simbolike në të gjithë botën, nga Kulla “Eiffel” në Paris, “Brandenburg Gate” në Berlin, “Big Ben” në Londër e deri në Katedralen Kombëtare të Washingtonit, Murin e Madh të Kinës dhe Kullën e Tokios.

earth hour me logo tirane
(Në foto: Dritat e ndezura dhe pas fikjes për 60 minuta në sheshin "Skënderbej") Foto te tjera
 
earth hour tirane
 
Redaksia Online
(e.s/a.ç/shqiptarja.com)