“Shqipëria ime” Zbulohet
himni i Henri Dickson

“Shqipëria ime” Zbulohet<br />himni i Henri Dickson
Kohët e fundit, koleksionit tim të botimeve muzikore, kryesisht shqiptare të periudhës para viteve 1990 iu shtuan edhe disa botime të vjetra me shumë vlerë, si “Hymni i Vatrës”  apo edhe botime të Shoqërisë muzikore “Band’ e Lirisë” e Korçës, si marshi “Kongres’ i Elbasanit” dhe marshi i vet kësaj Shoqërie.

Ky  botim  mban edhe vulën e saj në formë dy rrethore, ku në rrethin e brendshëm me dimensin 23 mm është vizatuar shenja e muzikës e rrethuar me lule. Ndërsa, në rrethin e jashtëm me dimension 38 mm janë shënuar në gërma kapitale fjalët: SHOQËRI E MUZIKËS BAND’ E LIRISË KORÇË 1908.

Në qendër të botimit është publikuar një foto e trupës së Bandës e fotografit P. Sulidhi, e vitit 1929, që tregon 25 muzikantë me uniformë, të cilët mbajnë në duar vegla fryme dhe, vetëm  dy prej tyre, instrumente perkusioni. Duke u nisur nga viti i fotografisë, forma dhe ngjashmëria gati-gati e njëjtë e të dyja botimeve, mendojme se këto marshet do të jenë botuar në vitin 1929 prej drejtuesit të kësaj Bande, Prof. Paskal Anibale (Pascal Anibale).

Por, të papriturën më të madhe dhe njëkohësisht më të këndëshme na e solli gjetja e një botimi të huaj, pikërisht të “Lutecia” (Lutetia) 4, rruga Rolën (Rolin) Paris (Francë), e specializuar në botimet muzikore.  Është fjala për hymnin “Mon Albanie” (“Shqipëria Ime”), të kompozuar nga Henri Dickson, një këngëtar gjithë hijeshi, lindur në Elias Cohen, Telmcen (Algjeri), më 1872.

Karierën e tij ai e filloi si njëri prej pararendësve të fundit të asaj që në muzikë, në artet pamore, në prodhimet e ndryshme, sidomos ato të drurit, veshjeve dhe jetës të shkujdesur e të gëzuar në përgjithësi, njihet si periudha e Epokës të lumtur  (La belle epoque).

Pikërisht në këtë kohë dolën një sërë kompozitorësh dhe këngëtarësh, që interpretonin këngë të muzikës së lehtë të tipit variete, kryesisht në kafene, foli berzherë (folie  bergere), Mulën ruzhë (Moulin rouge), music-holl, valle të ndryshme, si kan-kanet e famshme (valle femërore me teprime, valse etj).


Ndër këta krijues bënte pjesë dhe Henri Dickson, që u shfaq  papritur në Paris në çerekun e fundit të shek. XIX. Ai  njihej  me një emër të latinizuar Diksi, i ndryshuar brenda natës së parë të daljes së tij përpara publikut parizien, prej  paraqitsit  Bartolo, i cili duke shfrytëzuar simpatinë e publikut ndaj tij, gjatë shfaqjes e paraqiti për të korrur  duartokritjet e rastit rishtarin, si shokun e tij më të ngushtë.

Dhe, mbas këtij përcaktimi, me zë të ulët i pëshpëriti: Si e ke emrin? Duke mos dëgjuar mirë përgjigjen, sakaq bërtiti me sa fuqi kishte: Henri Diksooon. Ky emër-thonë jetëshkruesit- nuk iu shqit gjithë jetën deri sa vdiq në Paris më 1938, pasi kishte kënduar deri më 1936.

Në kohën e lavdisë Dickson u lajkatua mjaft prej publikut. Nga gjithë repertori i tij si këngëtar pëlqehej veçanërisht krijimi i valsit të kënduar “Kam qarë kaq shumë për ty”, (J’ai tant pleurer pour toi), kompozuar prej Jozef Riko (Joseph Rico), me poezi të Zhorzh Milandi (Georges Milandy). Suksesi i tij u zbeh, kur ky vals u bë i pavdekshëm dhe u këndua më pas me një stil mjeshtëror të Berard-it (Adolphe Berard). Interpretimin e kësaj kënge ky e paraqiti në një mënyrë krejt të re dhe të paparë deri atëherë.

Kureshtjen tonë e shtoi edhe fakti, se lidhur me botimet muzikore me temë nga Shqipëria, ose për heronj të saj, kompozitorët e huaj nuk kanë bërë as sa gishtat e njërës dorë. Ndërsa, për një hymn kushtuar deri më sot vendit tonë - me sa dimë - është vetëm H.

Dickson. Veç kësaj të dhëne, mund të shtohet që profili i tij si këngëtar dhe kompozitor ishte prirur sidomos drejt valseve të kënduara, të ngadalta, gjithë ëmbëlsi dhe ngrohtësi. Krijimi prej tij i një hymni në gjininë e marsheve e nxjerr kompozitorin si të thuash nga shtrati i tij.

Nuk dihen motivet prej nga u nis dhe si e ndërmorri ai nismën në këtë rast për të dalë nga profili i konsoliduar i tij. Nga vepra të karakterit lirik, Dickson kaloi në një marsh, që duhet të ketë pasur përbrenda nota dhe thirrje për qëndresë, për mbijetesë, për luftën dhe fuqinë e një kombi në mbrojtje të vetvetes, apo të tjera motive të këtij lloji.

Me një fjalë, një muzikë të fuqishme që frymëzon. Veç këtij kompozimi është gjetur edhe „Marshi i avionëve”. Por, më hollësisht për analizën muzikore të këtij kompozimi mund të flasë në të ardhmen muzikologu korçar i njohur në qytetin e tij, Pandi Bello, të cilit i është dorëzuar materiali përkatës.

Interesin e rrit gjithashtu dhe prodhimi i pakët diskografik  i H. Dicksonit. Nuk dimë nëse është regjistruar ky hymn dhe, nëse po, a mund të ketë shpëtuar ndonjë disk i tij.
Figura e ballinës me autor Dykersi (Dukercy) është bërë në formën e një pllakati publicitar, apo të një afisheje tradicionale filmi e përmasave 36 x 27 cm, që për kohën mund të quhet e një cilësie shumë të mirë.

Duke u nisur edhe nga çmimi i asaj periudhe (tre franga) i bie të ketë afërsisht vlerën e pothuajse çerek napoloni, çka sot mund të llogaritet afërsisht në rreth 5000 l.r. Siç shihet, pllakati ka në qendër të tijj një vajzë të re me gërsheta, që simbolizon Shqipërinë.

Fusha e pllakatit është kryesisht në ngjyrën e verdhë dhe pjesërisht të kuqe. Vendin qendror në ballinë e zë vajza, veshur me një fustan me vija në ngjyrë të verdhë e të kuqe, me mëngë 3/4, i hapur në gjoks, pa jakë, sipër të cilit mban të veshur një jelek në ngjyrë të zezë pa kopsa, që është mbështjellë rreth belit me anë të një brezi.

Vajza është ngritur në majë të gishtave të dy këmbëve dhe mban me dorën e djathtë një flamur, shtiza e të cilit është mbështetur fort në tokë. Duket sikur figura e vajzës dhe ajo e flamurit shqiptar mbajnë njëra tjetrin.

Në qendër të flamurit të kuq është vendosur shkaba dy krenore, në ngjyrë të zezë me sqepa natyrorë. Ngjyra e saj e zezë është bërë një me gërshetat e vajzës, e cila e epur nga pas, me gojë të hapur, këndon me sa fuqi ka hymnin në fjalë.

Në të dyja faqet e brendëshme të botimit publikohet e gjithë lënda muzikore, së bashku me poezinë e krijuar prej  Buasivon & Dorsenë (Boisyvon & Dorsenne), pozi që përbën tekstin e hymnit dhe fillon me fjalët: “Mes maleve që ndërpresin rrafshinat e gjelbëra, ka lindur një popull, që  i lumtur jeton në Liri”.

Duke vazhduar më poshtë: “Ku Dielli ka lindur një racë të bekuar, që unë e përshëndes e zemrën  ia dhuroj”. Në faqen e fundit është shënuar repertori  me 39 vepra të Dicksonit, e fundit e të cilave “Mon Albanie”. Çdo njëra prej tyre ka pasur botim të veçantë, e ndarë njëra nga tjetra.

Për shqyrtimin e kësaj vepre, si për shumë të tjera është e nevojshme të zgjidhen të paktën dy probleme. Së pari, duhen zbuluar lidhjet e autorit me Shqipërinë dhe çështjen shqiptare; së dyti, data e saktë e krijimit të veprës. E para është e vështirë, ndërsa për krijimin e veprës të paktën do t’i afrohemi, duke u nisur nga data e botimit të saj.

Duke u nisur nga e drejta e kopirajt-it (copyright)  që ka marrë shtëpia botuese “Lutecia” në vitin 1919 me rastin e veprës, pavarësisht se hymni “Mon Albanie” është në fund të listës që përbën repertorin, kjo nuk do të thotë që ky hymn është krijuar po atë vit. Është e vërtetë se, çështja shqiptare u shtrua  për bisedim gjatë Konferencës të Paqes në Paris, e cila filloi punimet mbas përfundimit të Luftës I Botërore, më  1918.

Dimë se në këtë kohë shumë patriotë shqiptarë të shquar, kryesisht ata që jetonin jashtë vendit shfrytëzuan çdo lidhje të krijuar prej tyre me personalitete të rëndësishme, duke  ndikuar së tepërmi në ruajtjen e moscoptimit të mëtejshëm të teritorit të vendit tonë.

Mendojmë që kjo vepër, së bashku me marshin tjetër, mund të jenë krijuar mbas fillimit të Luftës I, kur avionët janë përdorur për herë të parë si  armë lufte. Sidoqoftë, për ne ka më shumë rëndësi që kjo vepër ekziston dhe duhet përhaqur qoftë edhe si shenjë mirënjohjeje për këta artistë të huaj.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve