“Vetëvendosje” përkrah bllokun
opozitar, por me kushte

“Vetëvendosje” përkrah bllokun<br />opozitar, por me kushte
PRISHTINË - “Vetëvendosje” ka përkrahur bllokun opozitar, LDK-në, AAK-në dhe Nismën, për të pamundësuar qeverisjen Thaçi 3. Por përkrahja nuk vazhdon nëse tri partitë nuk pajtohen për të ndërprerë pazaret me Serbinë dhe privatizimet neoliberale.
Kështu tha në një intervistë për “Zërin”, Albin Kurti, lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”. Ai shpalosi për “Zërin”, katër pikat se si e shohin dialogun me serbët, për të cilat po pret përgjigje prej tri partive. Kurti bën me dije se tani janë në fazën e dytë dhe nëse nuk kalon, atëherë, sipas tij, rezultati dihet, shkohet në zgjedhje të reja.
Por megjithatë faza e parë mbetet, sepse asnjëri nuk shkon me PDK-në. Në të kundërtën, Kurti shton se nëse faza e dytë kalon me sukses e bëjnë marrëveshjen, atëherë kalohet në fazën e tretë përfundimtare, që është shpalosja e programeve të tyre.
Edhe në rast se alternativa qeverisëse e LVV-së nuk pranohet prej këtij koalicioni, Kurti thotë se ata përsëri si Lëvizje i thonë “po” mbështetjes së këtij koalicioni, duke ia ofruar numrat, por jo duke u bërë pjesë e saj.

Jo Thaçi 3, arritja më e madhe

Zëri: Çfarë ju ka shtyrë të përkrahni bllokun opozitar, për të pamundësuar qeverisjen Thaçi 3?
Albin Kurti: Sikur të vazhdonte Qeveria Thaçi 3, do të ishte shumë më e keqe se Thaçi 2. Tash do të kishin legjitimitet për ta shitur PTK-në, për t’i futur duart në “Trepçë”, përveç autostradës për Shkup, do të gjenin edhe një autostradë tjetër vend e pa vend dhe në të njëjtën kohë do të finalizonin Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, përmes së cilës do të rrumbullakohej bosnjëzimi i Kosovës.
Kjo ishte alarmuese për ne, prandaj më 9 qershor morëm vendim që zgjidhja është nëse asnjë parti nuk shkon me PDK-në, t’i pamundësohet krijimi i qeverisë. Menjëherë kontaktuam me liderët e LDK-së, AAK-së dhe Nismës, e shpalosëm planin edhe përmes konferencës për media, dhe ajo që ndodhi ishte se brenda 24 orëve u arrit dakordimi, “Jo Thaçi 3”.

Zëri: Ju keni akuzuar AAK-në për haraç, LDK-në për mafi të ndërtimit, kurse lideri i Nismës, është nënshkruesi i shumë kontratave të privatizimit, të cilat ju i keni kritikuar?
Albin Kurti: Kritikat dhe akuzat që i kemi bërë ndaj tri subjekteve në fjalë, qëndrojnë dhe janë të vërteta, mirëpo ne tani kemi bërë hapa në drejtim të bashkëpunimit dhe dakordimit, në mënyrë që të mos vazhdojë regjimi i vjetër. Lëvizja “Vetëvendosje”, për hir të Kosovës ka treguar zemërgjerësi, sepse për ne më e lehtë do të ishte sikur të thoshim: “Këta janë identikë si PDK-ja dhe nuk kemi punë me ta”.Ne pamë mundësinë e parandalimit të Qeverisë Thaçi 3. Kjo ishte faza e parë që arritëm të bëjmë, dhe tani gjendemi në fazën e dytë të bisedimeve për atë se çka duhet të bëjë Qeveria e re, dhe të shohim se si do të shkojë.
Kërkesat e “Vetëvendosjes”

Zëri: Faza e dytë e bisedimeve përfshin kriteret tuaja që i keni vendosur ndaj tri subjekteve politike, ku përfshihet mosvazhdimi i dialogut me Serbinë. Çka konkretisht kërkon “Vetëvendosja”?
Albin Kurti: Tre liderëve, në takimin e fundit u kemi bërë një propozim konkret për dialogun me Serbinë dhe po presim përgjigje. Propozimi është i bazuar në katër pika:
E para ka të bëjë me themelimin e një komisioni hetimor parlamentar, i cili për 6 muaj do të hetojë procesin e gjithë dialogut 3-vjeçar. E arsyet për këtë janë se nuk ka pasur transparencë gjatë tërë procesit të bisedimeve, si dhe dy rezolutat e Kuvendit të Kosovës, ajo e 18 tetorit 2012 dhe 6 qershorit 2013, janë shkelur. Kryeministri nuk u është përgjigjur ftesave të Komisionit për Punë të Jashtme, që e kam udhëhequr unë.
Marrëveshja për energji dhe telekomunikacion kurrë nuk është raportuar në Komision. Thaçi për 2 vjet i ka zhvilluar rreth 24 takime me ish-kryeministrin e Serbisë, Daçiq, dhe ne nuk e dimë se çka krejt janë marrë vesh. Thaçi më shpesh e takonte Daçiqin sesa që vinte në Kuvend të Kosovës. Unë gjatë këtyre dy vjetëve nuk kam arritur ta takoj as nënën e vëllain tim kaq shpesh.
Pika e dytë është që Marrëveshja e 19 prillit 2013 mes dy kryeministrave, do të duhet të dërgohet në Komisionin e Venedikut. Arsyet për këtë janë se kjo marrëveshje si e tillë është raciste dhe është në mospërputhje me të drejtat e njeriut, por edhe me rregullimin juridik të Kushtetutës së Kosovës. Aty thuhet se komandanti i Policisë për veriun duhet të jetë serb. E ne themi që komandanti duhet të jetë profesionist, i ndershëm e jo serb apo shqiptar. Kategoria e profesionit nuk mund të jetë kategoria etnike. Të qenit serb nuk paraqet as aspekt moral e as profesional. Tash e kemi kremtuar 15-vjetorin e çlirimit nga Serbia dhe nuk e kuptoj se pse sërish duhet që komandanti i Policisë medoemos të jetë serb?! Prandaj jam i bindur që Komisioni i Venedikut do ta hedhë poshtë marrëveshjen.
Pika e tretë është që ne nuk kemi nevojë për dialog me Serbinë, por kemi nevojë për dialog me serbët e Kosovës. Dialogu me Beogradin as nuk i integroi serbët e Kosovës, as nuk e bashkoi Mitrovicën. Duhet ta transformojmë në dialog të hapur me serbët e Kosovës, duke i parë ata si qytetarë të Republikës së Kosovës, me të drejta dhe nevoja të njëjta sikur qytetarët e tjerë.
Ndërsa pika e katërt në këtë propozim është që të nisim një dialog të ri me Brukselin, për marrëdhënie kontraktuale Kosovë-BE, në mënyrë që të definojmë marrëdhëniet tona.
Dialogu me Brukselin duhet të kornizohet te Departamenti për Zgjerim i BE-së, ku Brukseli mund t’i parashtrojë nevojat që i sheh, që Kosova duhet plotësuar me Serbinë. Me fjalë të tjera, duhet të kthehemi te dialogu për dialog. Të kthehemi në vjeshtën e vitit 2010, kur Thaçi prapa dyerve të mbyllura negocionte me baroneshën Ashton, koha kur ka humbur pjesa më e madhe e betejës për Kosovën.
Dialogu i deritanishëm nuk ka qenë për fqinjësi të mirë, por ka qenë dialog për çështje të brendshme të Kosovës, që në gjuhën popullore i bie që nuk jemi marrë me punët e shtëpisë, por me kërkesat e komshiut, të një komshiu që ka hyrë brenda shtëpisë dhe po të përzihet në punët e shtëpisë.
 
Zëri: Sa jeni optimistë se blloku do t’jua pranojë kërkesat?
Albin Kurti: Unë ua kam thënë se përderisa ka dialog me Serbinë të tillë çfarë ishte, nuk mund të ketë as luftë ndaj korrupsionit e as zhvillim ekonomik. Meqenëse nga pikëpamja e Brukselit, Serbia është më e rëndësishme edhe si treg, edhe si shtet në aspektin politik e institucional, automatikisht kur Kosova po hyn në këtë dialog, lufta ndaj korrupsionit edhe për EULEX-in po bëhet çështje e dorës së dytë.
Sa herë që kemi bisedime me Serbinë, EULEX-i nuk bën arrestime për korrupsion, por bën për krime lufte. Unë dua që njerëzit në Kosovë të arrestohen për atë çka na kanë bërë neve që 15 vjet, me vjedhje, privatizime e uzurpime nga më të ndryshmet.
Të vetmin koncesion që ka bërë Serbia ishte njohja e diplomave të Kosovës në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë, mirëpo edhe kjo marrëveshje u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë në prill të këtij viti.
Kemi rastin e fundit që po bëhet tallje me shtetin e Kosovës, me të ashtuquajturën “Parku i paqes” midis urës në lumin Ibër në Mitrovicë.Unë nuk e di edhe sa dëshmi duhen për të treguar se kjo qeverisje nuk ishte shtetndërtuese dhe se nuk guxojmë të shkojmë rrugës së saj.

Të hetohet shitja e KEDS-it

Zëri: Kërkesa tjetër e “Vetëvendosjes” është edhe ndërprerja e privatizimit, çfarë modeli të privatizimit sugjeroni?
Albin Kurti: Ne kemi kërkuar që orvatjet për privatizimin e KEK-ut, “Trepçës” dhe PTK-së të marrin fund. Në rastin e “Trepçës” kemi nevojë për një ligj të veçantë, i cili e trajton si ndërmarrje publike me interes strategjik e të posaçëm kombëtar e publik. Po ashtu kërkojmë që të hetohet shitja më e lirë se badihava e KEDS-it për 26 milionë euro.
Aktivistë dhe deputetë të “Vetëvendosjes” janë rrahur dhe arrestuar për të mos na lejuar që të shohim kontratën e KEDS-it.
Në ditën kur nënshkruhej kontrata në ndërtesën e Qeverisë, mua si deputet truprojat e Thaçit nuk më kanë lejuar të hyj në ndërtesën qeveritare. Ne nuk jemi kundër që një ndërmarrje të blejë menaxhment të ri, por jemi kundër shitjes së aseteve. Shteti mund të mos jetë menaxher i mirë, por ai duhet të jetë pronar i mirë.

Zëri: Cili do të jetë qëndrimi i Lëvizjes “Vetëvendosje” nëse partitë në koalicion nuk i përmbushin këto kërkesa? A do të vazhdoni t’i përkrahni për ta bërë Qeverinë?
Albin Kurti: Pazaret me Serbinë dhe privatizimet neoliberale janë dy shinat e binarëve të Qeverisë Thaçi 1 dhe Thaçi 2, e që nëse nuk dalim prej tyre, ata binarë janë tren për Bosnje. E unë nuk jam për të shkuar në Bosnje.
 
LVV-ja tërhiqet nëse blloku vazhdon politikat e Thaçit

Zëri: Pra marrëveshja prishet, nëse tri partitë nuk i plotësojnë këto kushte?
Albin Kurti: Ne tani jemi në fazën e dytë, dhe nëse nuk kalon, atëherë rezultati dihet, shkohet në zgjedhje të reja. Por faza e parë mbetet, sepse asnjëri nuk shkon me PDK-në, dhe përsëri do të jetë mirë sepse tri partitë LDK, AAK dhe Nisma shkojnë me një listë në zgjedhje, “Vetëvendosje” një listë me disa sindikata, dhe është PDK.
Përndryshe, nëse faza e dytë kalon me sukses e bëjmë marrëveshjen, atëherë shkojmë në fazën e tretë përfundimtare, që është shpalosja e programeve tona. Por në rast se alternativa jonë qeverisëse nuk pranohet prej këtij koalicioni, ne përsëri si Lëvizje i themi “po” mbështetjes së këtij koalicioni, duke ia ofruar numrat, por jo duke u bërë pjesë e saj, që do të thotë ata pastaj nuk na kanë neve për miratim të ligjeve, sepse ne i përmbahemi alternativës sonë. Por, numrat e VV-së i kanë, sepse arritëm t’i heqim binarët, të cilët të dërgojnë në Bosnje.

Zëri: Çka nëse LDK, AAK dhe Nisma, i thonë “po” kushteve të Lëvizjes, sa për të ardhur në pushtet, dhe kur të vijnë i shkelin ato?
Albin Kurti: Nëse këta bëhen bashkë dhe i marrin votat e “Vetëvendosjes” e mandej e shkelin marrëveshjen, do t’i trajtojmë si PDK-në. Ne nuk duam të zëvendësojmë PDK-në me parti tjera, që njësoj na dërgojnë në Bosnje. Një gjë duhet ta kemi të qartë, se edhe nëse kalojmë këto tri faza, mandatin e kësaj qeverie ne nuk e shohim si qeveri të shpresës, por si qeveri emergjente të shpëtimit të shtetit, sepse konsiderojmë se ne kemi dallime të mëdha e probleme jo të vogla me njëri tjetrin. Prandaj, çfarëdo qeverisje e ardhshme nuk do të duhej të jetë qeveri ku tash katër vjet rehatohen ca parti të tjera. Duhet të jetë një qeveri me mandat të kufizuar dyvjeçar, e pas kësaj të rishikojmë se çka bëmë për këto dy vjet dhe a ka kuptim të vazhdojmë për dy vite të tjera. Nëse ne i kthehemi zhvillimit ekonomik dhe luftimit të korrupsionit dhe punojmë me ngulm 2 vjet, mendoj se pas 2 vjetëve, kjo qeveri ose do të mundë të vazhdonte ose do të mundë të mbaheshin zgjedhje të reja.
 
Integrim në kornizën e zhvillimit, jo të pajtimit

Zëri: Kur propozoni të bisedoni me serbët e veriut e jo me Beogradin, si pretendoni të bindni serbët që të hyjnë në dialog me ju?
Albin Kurti: Duhet të shkojmë atje vetë, nëpër lagje t’i takojmë dhe bisedojmë kudo që janë.Është e gabuar qasja veri-jug, shqiptarë-serbë, kjo është qasje e pikëpamjes ushtarake të territorit. E unë dua që të kaloj prej territorit te socioekonomia. Ideja e “Vetëvendosjes” është se konsideron se në veri të Ibrit ka serbë që nuk kanë fare të bëjnë me strukturat paralele të Serbisë, ata janë serbë që me dekada të tëra jetojnë aty dhe më parë do t’i pranonin për fqinjë të tyre shqiptarët, që i kanë pasur fqinjë për dekada të tëra, sesa serbët e ardhur prej një komune tjetër të Kosovës mbas 99-s. Këta janë serbë të vjetër të Mitrovicës me të cilët bashkëpunimi është i domosdoshëm dhe më i lehtë.
Pastaj janë serbët që përfitojnë prej strukturave të Serbisë, por nuk janë pjesëmarrës, qoftë me asistencë sociale apo pensione, dhe edhe me këtë kategori është i mundshëm dialogu. Pastaj janë serbët pjesë e strukturave paralele qoftë në shëndetësi, arsim, kulturë, dhe me të cilët dialogu është më i vështirë, por është i arritshëm. Dhe janë serbët që janë pjesë e MUP-it, me të cilët dialogu jo vetëm që është i pamundur, por edhe nuk duhet të ndodhë.
Janë këta pjesëtarë të strukturave të ndryshme paramilitare serbe, të cilët duhet të hetohet dhe në fund të rezultojë me kallëzime penale, arrestime e dënime.
Sa i përket strategjisë për integrimin e serbëve atje, nëse do të kishim një fabrikë të ujit në Mitrovicë, shqiptarët e serbët do të krijojnë sindikata të përbashkëta.

Prodhimi është ai që i bashkon njerëzit. “Mitrovica sot është vend i konsumit dhe jo i prodhimit. Nëse do integrim dërgo prodhim, nëse do ndarje dërgo vetëm konsum”. Pra unë jam për një dialog me serbët e Kosovës në kornizën e zhvillimit e jo të pajtimit. Kjo do të thotë që unë nuk pres prej një qytetari serb të Kosovës të më kërkojë falje. Kushtet e tilla duhet t’i paraqesim ndaj Serbisë si shtet, sepse një qytetar serb edhe nëse ka punuar kundër Kosovës ai këtë e ka bërë i nxitur nga shteti serb.

Zëri: Është Bashkësia Ndërkombëtare që tashmë ka filluar të shfaqë shqetësimet për mundësinë e ndërprerjes së dialogut. Ndërsa VV-në e vlerësojnë ekstreme pse kërkon ndërprerjen e dialogut?
Albin Kurti: Bashkësia ndërkombëtare në një anë e ka Thaçin, i cili para se ta pyesin thotë “po”. E duke na krahasuar neve me Thaçin, ne iu dukemi radikalë. Ndryshe do të ishte sikur të na krahasonin me partitë e vendeve të tyre. Por neve na duhet të krijojmë një situatë të re në Kosovë, ku më askush të mos krahasohet me Thaçin. Ekstremi këtu është vetë Thaçi, dhe njeriu normal kundrejt ekstremistëve duket ekstrem nga pikëpamja e ekstremes. Realisht ne jemi normalët, e ata janë ekstremët.
Unë kam pasur takime të shumta me faktorin ndërkombëtar para edhe pasi kemi hyrë në institucione, dhe duhet durim për t’ua sqaruar gjërat. Por mendoj se faktorët ndërkombëtarë do të ndryshojnë qëndrimin nëse këto tri parti kanë për ta ndryshuar qëndrimin, nëse këto tri parti e mbajnë me seriozitet qëndrimin parimor.

Zëri: Por ndaj LVV-së a ka ndryshuar qasja e ndërkombëtarëve?
Albin Kurti: Mendoj se ka nisur të rimendohet e jo të ndryshohet. Mirëkuptimi i tyre i shtuar për “Vetëvendosjen” vjen prej dy faktorëve: E para është se shteti i Kosovës me metoda të tyre nuk po ka më sukses, me privatizime të egra, pazare me Serbinë, me numër të ngritur azilkërkuesve, ku njerëzit tanë ose vdesin në lumin Tisa, ose ata që kanë fat përfundojnë në burgjet e Hungarisë.
Dhe e dyta është diskursi ynë për socioekonomi. Kësaj here e kemi shumë të shpjeguar në detaje, dhe ky diskurs që e ofrojmë ne i qendrës së majtë, i social-demokracisë, është tepër vështirë të kundërshtohet. Mendoj se tani shumë prej tyre kanë filluar që të konsiderojnë dhe të flasin më mirë për “Vetëvendosjen”.
 
 
 
Marrë nga agjencia "Zëri"

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Prishtinë, 41-vjeçarja ndërron jetë pas dhunës nga bashkëshorti! Qëndroi 3 ditë në koma

E rëndë në Prishtinë, 41-vjeçarja ndërron jetë pas dhunës nga bashkëshorti! Qëndroi 3 ditë në koma