TIRANE - Ndërsa para dy vjetësh me një grup gazetarësh vizituam Hollandën, të vendosur në Hagë për çështjen e funksionimit të Gjykatës Ndërkombëtare atje, në turin e vizitave u përfshi edhe një takim në Ministrinë e Brendshme Hollandeze.

Perceptimi ynë si gazetarë dhe sigurisht pyetja e parë që të vjen në mend ka të bëjë me Hashashin. Dmth, Hollanda është vendi që e ka të legalizuar hashashin, por nuk lejon daljen e sasive të ndryshme jashtë kufijve. Çdokush në ballkonin e shtëpisë së vet mund të mbjellë nga një rrënjë Canabis dhe ta konsumojë atë. Ose, nëse nuk e bën një gjë të tillë, për turistë dhe gjithë ata që vizitojnë Amsterdamin, mund të ndalesh në CoffeShop, mund të tymosësh një cigare dhe të përfshihesh në botën magjepëse që të ofron Amsterdami.

Kjo është një panoramë që për shumicën e shqiptarëve të metropolit është e njohur. Thelbi i kësaj ekspozeje që bëra është pyetja që drejtuam te zyrtarët e rendit: cili është raporti në përqindje i kriminalitetit në Holandë, krahasuar me vende të tjera të Bashkimit Evropian, apo edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Dhe teksa hapja shënimet të shikoja shifrat, vura re se zyrtarja hollandeze ka treguar se kriminaliteti, vrasjet, grabitjet etj, janë 23 përqind më ulët në Hollandë sesa SHBA dhe në vende të tjera.

Argumenti i thjeshtë: konsumimi i cigareve të hashashit i bënte njerëzit më të qetë, më qeflinj, larg sherreve dhe konflikteve, dhe jo me shumë kokëçarje. Pjesa më e madhe e turistëve nuk e shmangnin këtë provë lirie që u krijon Amsterdami turistik apo zonat e tjera rreth Hollandës.

Por le të kthehemi në Shqipëri, në realitetin që na ka përfshirë të gjithëve dhe diskutimet që bëjmë në çdo tryezë. Të ulesh në kafenetë e Vlorës, Krujës, Gjirokastrës, Shkodrës, Pukës etj, pra zona që çdo gazetar por edhe zyrtar e di se kultivon bimën e Canabis Sativa, çdokush të thotë se “qeveria duhet t’i lërë çunat të punojnë”. Thënë me shkoqur, le të korret edhe ky sezon hashashi.

Qeveria në ikje, u përpoq me të gjitha mënyrat që t’i thoshte ndal kultivimit, prodhimit dhe tregtimit të lëndës narkotike. U vendos moratoriumi i skafeve dhe gomoneve, por u pa qartë se kjo strategji ishte e dështuar. Përveçse dëmtoi turizmin, nuk ndihmoi në luftën parandaluese të kultivimit të hashashit. Prodhuesit e kësaj bime, gjetën rrugë të tjera tokësore për të kaluar prodhimin nga një vend në tjetër.

U provua edhe strategjia e ndërhyrjes në zona të ndryshme, me forca RENEA dhe të FNSH. U pa qartë se ishte një strategji e dështuar, larg të qenurit të suksesshme, sepse asnjë prodhues nuk kultivonte vetëm një plantacion, por disa. Pra, nëse policia asgjesonte disa rrënjë hashash, të tjerat kultivoheshin në plantacione të tjera dhe shiteshin.

U provua edhe strategjia e dënimit të personave që ishin përdorues (pra ishin konsumues të cigareve të hashashit) apo edhe ta shisnin atë. Por u pa qartë se burgun e bënë persona që ishin thjesht dhe vetëm konsumatorë, ndërkohë bosët e vërtetë, ata që e kultivonin, prodhonin e shisnin, lëvizin nëpër Shqipëri dhe jashtë saj me makina luksoze që i kanë përfituar nga paratë që kanë marrë nga shitja e bimës narkotike.

Shkurt, u pa qartë se çdo lloj strategjie dështoi. Për të ardhur te “turpi i turpeve” kur zyrtarët e policisë së shtetit dolën dhe deklaruan publikisht se do të asgjesojnë parcelat e kultivuara me “hartat që i ka dhënë Guardia di Financa italiane”, duke treguar qartë se policia e shtetit nuk e ka nën kontroll territorin.

Nisur nga gjithë argumentet që thamë më lart, ndoshta lind si domosdoshmëri një pyetje më e thjeshtë: pse të mos mendojë qeveria të aplikojë në Shqipëri sistemin holandez për çështjen e kultivimit të bimës narkotike? Pra të liberalizimit të prodhimit dhe konsumimit familjar të saj? Pse të mos provohet edhe kjo strategji për një periudhë të caktuar kohe, për të pasur mundësi që të bëhen edhe studimet përkatëse dhe të nxirren konkluzionet mbi efektshmërinë e parandalimit të prodhimit e trafikimit të saj, apo edhe të shifrave të kriminalitetit?

Sigurisht kjo do të ishte një nismë e guximshme, shumë paragjykuese, pse jo, e pasuar me akuza politike të gjithëfarëllojshme. Unë psh, po e propozoj e para me këtë editorial. Të shohim se çdo të ndodhë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)