/ATSH-Gjergji Mima/ - Ministrja e Decentralizimit dhe Administratës Publike të Republikës së Francës, Marylise Lebranchu deklaroi sot në një pritje në Ambasadën e Francës në Shqipëri, se "Franca dhe Shqipëria prej shumë vitesh kanë treguar vullnetin të bashkëpunojnë dhe këtë e pashë edhe gjatë ditës së sotme".
Lebranchu theksoi se, gjatë këtyre dy viteve ka pasur vizita të shumta të niveli të lartë mes dy vendeve. "Kryeministri shqiptar, Edi Rama është pritur në qershorin e shkuar në Paris si dhe 5 ministra shqiptarë kanë vizituar Francën. Gjithashtu në janar u mallëngjyem për mbështetjen që populli shqiptar i dha atij francez. Ndërs kolegu im, Ministri i Brendshëm francez ka vizituar Shqipërinë vitin e shkuar, prandaj dhe për mua ishte e rëndësishme kjo vizitë për administratën publike".
Lebranchu u shpreh se gjatë ditës së sotme pati takime të frytshme. Kjo vizitë qe rasti për të sjellë në vëmendje mbështetjen e Francës për aderimin e Shqipërisë në BE dhe mbështetjen e Francës për reformat që po ndërmerr Shqipëria".
Ministrja e Decentralizimit dhe Administratës Publike të Republikës Franceze, Marylise Lebranchu në një pritje në Ambasadën e Francës në Shqipëri: Foto: Agim Dobi
Sipas ministres Lebranchu, këto reforma janë rruga e duhur drejt një aksioni modern dhe rruga drejt një integrimi europian të Shqipërisë".
"Kjo vizitë ka bërë të mundur hapjen e një etape të re në bashkëpunimin franko-shqiptar. Sot paradite nënshkruam një marrëveshje me znj. Harito që është më parisiene se unë, dhe asaj nuk kam ç'ti mësoj mbi organizimin e administratës publike dhe punën e së ardhmes".
"Dilogu mes nesh është i pastër dhe hap pas hapi më i fortë. Kur të shkoj në Francë do t'i them Presidentit dhe Kryeministrit se kishin të drejtë që mbështetën Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit europian", tha ministrja franceze Lebranchu.
Në kuadër te vizitës zyrtare të Ministres së Decentralizimit dhe Administratës Publike të Republikës franceze, Marylise Lebranchu, u nënshkrua sot me ministren e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito marrëveshja administrative për administratën publike mes Ministrisë për Inovacionin dhe Administratën Publike të Shqipërisë dhe Ministrisë së Decentralizimit dhe Administratës Publike të Republikës franceze.
Kjo marrëveshje ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit me Administratën Publike të Republikës së Francës në kuadër të reformës së administratës publike duke përfshirë aspekte institucionale, juridike, teknike, administrimin e burimeve njerëzore, sistemet e vlerësimit të performancës së nëpunësve dhe sistemin e informatizuar të administrimit.
Në takim, merrnin pjesë Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, përfaqësues të trupit diplomatikë të akredituar në Tiranë, miq dhe të ftuar.