Prej 6 muajsh Instituti i Statistikave ngre shqetësimin për mungesën e të dhënave nga institucionet qendrore për lejet e ndërtimit që ato japin.

Njëjtë si në tremujorin e dytë të vitit, edhe në raportin e fundit për tremujorin e tretë për ‘Lejet e ndërtimit’, INSTAT thotë se shifrat e lejeve nuk mund të krahasohen me 2024-ën pasi nuk janë shifrat totale.

Kjo për shkak se institucionet shtetërore që miratojnë leje ndërtimi, siç është Këshilli Kombëtar i Territorit, që aprovon lejet për kullat apo resortet e mëdha nuk kanë raportuar të dhëna mbi lejet e aprovuara.

Pra edhe pse shifrat për periudhën e verës tregojnë për një ulje të numrin krahasuar me verën e 2024-ës, kjo nuk është plotësisht e vërtetë pasi institucionet qendrore po ‘fshehin’ të dhënat.

“Duke qenë se ende nuk ka një raportim të standardizuar dhe të plotë nga të gjitha këto ente pranë INSTAT, të dhënat e publikuara për tremujorin e tretë bazohen vetëm në burimet bashkiake. Të dhënat e publikuara në tremujorin e tretë 2025, nuk mund të krahasohen me të dhënat e tremujorit të tretë 2024”, thuhet në raportin e INSTAT.

Në total bashkitë kanë dhënë në këtë tremujor të tretë të vitit 289 leje me sipërfaqe 350.603 metra katror, me vlerë totale 15,9 miliardë lekë ose rreth 160 milionë euro.

“Qarku i Tiranës mban peshën kryesore me 93 leje ndërtimi të reja dhe sipërfaqe ndërtimi 252.026 metër katror”, thuhet në raportin e INSTAT.

Ndërsa si periudhë 9 mujore bashkitë kanë miratuar në total 899 leje ndërtimi, ku vijon trendi i shtimit të kullave, për shkak edhe të pakësimit të trojeve për të ndërtuar.