Tërmeti me epiqendër në Klos, 29 shtëpi të dëmtuara, 4 prej tyre në Tiranë! Banorët: E kaluam natën jashtë! Mblidhet shtabi i Emergjencave Civile

Pas tërmetit të mbrëmshëm me magnitudë 4.7 ballë të shkallës Rihter, me epiqendër në Klos, janë regjistruar pasgoditje deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Pjesa më e madhe e tyre janë regjistruar në njësinë administrative Xibër të Klosit. Në dy pasgoditjet e fundit të regjistruara rreth orës 09:05, epiqendra ka qenë në Burrel me magnitudë 3.1 ballë të shkallës Rihter. 

Deri më tani në qarkun e Dibrës raportohet se janë dëmtuar 25 shtëpi të cilat janë ndërtuar që para shumë vitesh. Fshati ku banorët kanë pësuar dëme më të konsiderueshme në banesa, ka qenë Fullqeti. Ndërsa dëmtime të tjera ka pasur edhe në fshatrat Xibër Murrize, Xibër Hane, Shkallë, Guri i Bardhë. Për të bërë bilancin e dëmeve dhe masave që duhen ndërmarrë, në bashkinë e Klosit është mbledhur Shtabi i Emergjencave Civile. Ekipet e emergjencave civile të bashkive të qarkut Dibër kanë dalë në terren për të inspektuar dëmet që tërmeti ka shkaktuar në banesat e qytetarëve. Pritet që procesi i verifikimit të dëmeve të mbyllet brenda 24 orëve.

Pasojat e tërmetit u ndjenë edhe në Tiranë, ku konkretisht në fshatin Zall Bastar, raportohet të jenë dëmtuar 4 shtëpi, riparimi i të cilave pritet të mbulohet nga fondet që do të caktojë Këshilli Bashkiak i Tiranës. 

Ndërkohë ministri i Mbrojtjes së Kosovës gjatë mbrëmjes së djeshme, ka telefonuar homologun e tij në Shqipëri, Niko Peleshin të cilit i ofroi gatishmërinë e plotë të FSK-së për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve në zonat ku mund të ketë nevojë.

Sizmiologu, Rrapo Ormeni u shpreh gjatë mbrëmjes së djeshme për Report TV se tërmeti ishte i zakonshëm për zonën ku u regjistrua dhe gjithashtu tha se priteshin edhe pasgoditje duke theksuar se nuk kishte vend për panik.

Qendra Kombëtare e Emergjencave Civile ka bërë me dije gjatë mbrëmjes së djeshme se tërmeti ka shkaktuar dëme të vogla materiale kryesisht në njësinë administrative Xibër të Klosit ku ka qenë edhe epiqendra. Në një pallat të Bulqizës të dëmtuar nga tërmeti i 2019-tës, u raportuan plasaritje të shtuara dhe banorët e kaluan mbrëmjen tek të afërmit e tyre. Lëkundjet e forta janë ndjerë në Klos, Tiranë, Lezhë, Fushë-Krujë, Durrës, Elbasan, Shkodër, si dhe Pogradec.

Korrespondentët e Report TV raportuan situatën në qytetet ku janë ndjerë lëkundjet, duke bërë me dije se fatmirësisht nuk ka persona të lënduar përveçse dëme të vogla materiale.

Në qarkun e Dibrës, ku edhe ishte epiqendra e tërmetit, konkretisht në Klos, u raportua për dëme të lehta në disa banesa, kryesisht plasaritje muresh si dhe në disa oxhaqe.

Në Tiranë nuk raportohet për dëme materiale, por lëkundjet e forta kanë krijuar panik tek banorët, një pjesë e të cilëve dolën nga banesat.

Në Elbasan, lëkundjet janë ndjerë të lehta dhe nuk ka pasur dëme në banesa.

Në Shkodër lëkundjet janë ndjerë të lehta në katet e sipërme të pallateve dhe nuk raportohet për dëme.

Në Durrës tërmeti është ndjerë i lehtë, por nuk ka shkaktuar panik tek banorët.

Lezhë pavarësisht se u ndjenë lëkundjet sizmike që shkaktuan frikë dhe panik tek qytetarët një pjesë e të cilëve kanë dalë nga banesat, nuk janë raportuar dëme materiale.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:25
4 familje të prekura nga tërmeti, Veliaj: Këshilli bashkiak i Tiranës do japë ndihmë financiare për riparimin e dëmeve në Zall Bastar

Prej mbrëmjes së djeshme, ekipet e emergjencave të Bashkisë së Tiranës janë në terren për evidentimin e dëmeve nga tërmeti.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryebashkiaku Erion Veliaj shprehet se Këshilli Bashkiak i Tiranës do të akordojë ndihmë financiare për 4 shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti i djeshëm në Zall Bastar.

“Ekipet e Emergjencave Civile te Bashkise Tiranë janë tashme ne fshatrat e larget te njesise Zall Bastar per te vleresuar 4 shtepite e demtuara nga termeti mbreme! Keshilli Bashkiak do te akordoje ndihmen financiare per riparimet! Mirenjohje skuadres sone profesioniste!”, shkruan Veliaj në twitter. 

Postimi i Veliajt në twitter
Ora 13:21
Dhjetëra banesa të dëmtuara nga tërmeti, mblidhet shtabi i Emergjencave Civile në Klos, të pranishëm kryetarët e bashkive të qarkut Dibër

 

Në bashkinë e Klosit është mbledhur shtabi i emergjencave Civile. Në takimin ku po flitet për masat e marra dhe dëmtimet që kanë pësuar banesat e qytetarëve, kanë marrë pjesë të gjithë kryetarët e bashkive të qarkut Dibër.

Ora 11:23
Tërmeti në Klos, sizmiologu Ormeni: Janë regjistruar rreth 90 pasgoditje! Në Tiranë s’ka vend për panik! U ndje fort sepse ishte i cekët

Tërmeti me magnitudë 4.7 të shkallës rihter me epiqendër në Klos, që u ndje jo pak edhe në disa qytete të vendit ka shkaktuar edhe panik tek qytetarët. Sizmiologu Rrapo Ormeni në një intervistë për Report Tv tha se janë ndjerë edhe 90 pasgoditje të tjera, 30 prej të cilave janë lokalizuar. Ormeni tha se një tërmet i tillë nuk shkakton dëme materiale, pavarësisht se lëkundja ndihet e fortë.

‘Gjatë këtyre orëve mbas 10 e 37 janë regjistruar rreth 90 pasgoditje nga të cilat janë lokalizuar 30 prej tyre nga të cilat kanë qenë deri më 3.3 magnituda. Një tërmet i tillë varet dhe nga epiqendra ose zona që e gjeneron atë ose magnituda e goditjes kryesore. Shoqërohet nga pasgoditje që mund të zgjasin për pak ditë. Edhe magnitudat e tyre vijnë duke u zvogëluar, por nuk ndodh që të arrihet magnituda e goditjes kryesore. Tërmeti ishte një tërmet i cekët kjo është arsyeja se pse është ndjerë. Janë tërmete që nuk shkaktojnë dëmtime. Është ndjerë rreth 5 ballë edhe në Tiranë për shkak të cektësisë së tërmetit. Kjo është zona e Klosit. Në këtë zonë historikisht kanë rënë tërmete. Tërmete që kanë arritur deri në 5.2 të shkallës rihter. Janë tërmete që shkaktojnë vetëm dëmtime në shtëpi të vjetra, ndihen fort por nuk shkaktojnë dëme. Në Tiranë nuk ka nevojë fare për panik. Njerëzit duhet të jenë mësuar se në jemi vend me aktivitet sizmik dhe këto janë tërmete normale pa dëme.’- u shpreh Ormeni.

Ora 11:16
25 shtëpi të dëmtuara nga tërmeti në Klos, banorët largohen nga banesat e tyre! Ja cilat janë fshatrat më të prekura

Deri më tani raportohen 25 shtëpi të dëmtuara nga tërmeti me magnitudë 4.7 ballë me epiqendër në Klos. Fshati Fullqet ka qenë më i prekuri, ku janë dëmtuar më së shumti shtëpitë e banorëve të cilët janë larguar nga banesat e tyre. Tërmeti ka dëmtuar banesat më të vjetra.

Fshatrat, Fullqet Xibër Murrize, Xibër Hane, Shkallë, Guri i Bardhë, janë ato që kanë më së shumti dëmtime.

Ora 10:30
Vazhdojnë pasgoditjet, dy lëkundje tërmeti me epiqendër në Burrel

1673819377_WhatsAppImage20230115at10.48.53PM.jpeg

Mëngjesin e sotëm dy lëkundje të njëpasnjëshme janë ndjerë në disa qytete të vendit. Epiqendra e tërmetit, ka qenë në Burrel. Tërmeti i parë me magnitudë 3.1 ballë të shkallës Rihter dhe thellësi 2 km, e kishte epiqendrën 11 km larg qytetit të Burrelit.

Ndërsa tre minuta më vonë, një tjetër lëkundje me të njëjtën thellësi dhe epiqendër është regjistruar në Burrel. Magnituda e tij ka qenë 2.6 ballë. Ndërkohë mendohet se këto janë pasgoditje që kanë pasuar tërmetin e mbrëmshëm me magnitudë 4.7 ballë të shkallës Rihter.

Ora 09:44
Disa këshilla që duhet të ndiqni kur bie tërmet

Lëkundje tërmeti u ndjenë një natë më parë në vendin tonë, ndërsa epiqendra ishte në Klos. Por si duhet të veproni në rastet kur bie tërmet? Drejtori i Trajnimit dhe Mbështetjes Logjistike në Ministrinë e Brendshme, Arben Cara jep disa këshilla të vyera. Në rast se ndodheni brenda në shtëpi, futini nën mobilje të ngurta, siç janë tavolina apo poshtë shtratit, si edhe mbuloni kokën për të parandaluar goditjet nga rënia e objekteve.

Ndërkohë, nëse jeni jashtë kur fillon tërmeti qëndroni në një vend të sigurt dhe sugjerohet të mos lëvizini derisa të ndalen dridhjet e plota.

Këshillat

Disa këshilla, gjatë tërmetit! Kudo që gjendeni kur fillon tërmeti, merrni masa të menjëhershme. Lëvizni disa hapa në një vend të afërt dhe të sigurt, dhe nëse është e nevojshme qëndroni në atë vend derisa të ndalen krejtësisht dridhjet e tokës.

Nëse jeni brenda në shtëpi:

"BINI POSHTË PËRTOKË, MBULOHUNI DHE PRISNI”

Qëndroni brenda,

• Qëndroni dhe shtrihuni nën mobile të rënda të tilla si tryezë, tavolinë, shtrat ose ndonjë mobile të ngurtë,

• Mbuloni kokën tuaj për të parandaluar goditjet nga rënia e objekteve,

• Qëndroni dhe pritni  poshtë mobileve për të mbetur të mbuluar. Përgatituni të lëvizni së bashku me objektin derisa të përfundojnë dridhjet e tokës,

• Në qoftë se nuk keni diçka të fortë pranë vetës dhe gjendeni  në  korridor, strukuni afër një muri të brendshëm për të mbrojtur kokën qafën dhe krahët tuaj,

• Nëse gjendeni në një qendër tregtare, drejtohuni tek ndonjë shitore që gjendet aty afër. Qëndroni larg  dritareve dhe rafteve me objekte të rënda,

• Nëse gjendeni në shkollë, qëndroni nën një tavolinë ose tabelë dhe pritni. Qëndroni larg dritareve,

• Nëse gjendeni në një karrocë, bllokoni rrotat për të mbrojtur pjesën e prapme të kokës dhe qafës,

Në rast se keni nevojë për ndihmë telefononi në nr; 128, 127, 112.

Ora 09:26
Tërmeti me epiqendër në Klos, banorja: Dolëm të gjithë të jashtë nga frika, s’ka ardhur askush të na shohë nëse kemi nevojë për ndihmë

Banorët e Klosit në Dibër janë prenoncuar për Report Tv ku tha se frika i mbajti jashtë dyerve të shtëpisë dhe në të ftohtë. E pyetur nëse patën një kontroll nga institucionet përkatëse për dëmet, banorja u shpreh se askush nuk ishte interesuar për të ditur nëse kanë nevojë për ndihmë.

“Po e ndjemë, dolën të gjithë jashtë nga frika. Më është dëmtuar edhe banesa.”- tha banorja.

Pyetje: Ka ardhur njeri për t’iu parë nëse keni dëme nga tërmeti?

Banorja: Jo

Ora 08:54
Tërmeti me epiqendër në Klos, 12 shtëpi kanë pësuar dëmtime

12 shtëpi raportohet se kanë pësuar dëmtime nga lëkundjet e tërmetit që u regjistruan një natë më parë në Klos të Dibrës. Sipas përgjegjësit të emergjencave pranë Bashkisë Klos, Nerim Dema i kontaktuar me telefon nga Report Tv tha se deri tani janë 12 shtëpi të dëmtuara, ndërkohë grupi i emergjencave po vijon punën në terren për verifikimin katër njësive të Bashkisë Klos.

Ora 08:45
Tërmeti, qytetarët në Klos: Ishte i fuqishëm, u frikësuam! Natën e kaluam jashtë

Mbrëmjen e djeshme u regjistrua tërmet me epiqendër në Klos me magnitudë 4.7 ballë të shkallës Rihter. Qytetarët në Klos thonë për Report Tv se u frikësuan nga lëkundjet e fuqishme, ndërsa disa prej tyre e kanë kaluar natën jashtë.

“Vallai e kam ndjerë dhe kam nejt gjithë natën jashtë me gjithë njerëzit. Shtëpia ime e pabanueshme është, futem në te veç se skam ku shkoj. E pabanueshme ka qenë. Se kam parë sot në mëngjes, a e ka shemb krejt a ça ka bo. Na ka bërë dëme, është shtëpi e vjetër. Prej frikës. Ca të bëj. 20 njerëz jam, me gjithë kalamajtë e kalamajve.

Ishte i fuqishëm. Sidomos i pari ishte i fuqishëm. Të tjerët më të lehtë. Lëkundje pati. U ndje shumë, frikësuar s’do mend ajo punë”, shprehen qytetarët.

Ora 08:33
Pas tërmetit, ministri i Mbrojtjes së Kosovës telefonon Peleshin: Të gjithë kapacitetet e FSK-së, janë në gatishmëri të plotë

Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj ka kontaktuar me ministrin e Mbrojtjes së Shqipëisë, Niko Peleshi pas tërmetit të mbrëmjes së djeshme me magnitudë 4.7 ballë të shkallës Rihter.

Mehaj nëpërmjet një postimi në facebook, bën me dije se gjatë një bisede telefonike me Peleshin i ka ofruar këtij të fundit të gjithë ndihmën dhe kapacitetet specialiste të FSK-së në mbështetje të qytetarëve të Shqipërisë.

“Nga autoriteti im zyrtar dhe përgjegjësia vëllazërore, i shpreha gatishmërinë e plotë dhe të menjëhershme për mbështetje në reagim me të gjitha kapacitetet tona specialistike operacionale të FSK-së. Përveç mirënjohjes vëllazërore, Ministri Peleshi më gëzoi me informacionin se aktualisht gjendja është nën menaxhim dhe kontroll të strukturave të Mbrojtjes Civile të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkisë së Klosit.

Së bashku me Ministrin Peleshi do të jemi në komunikim intenziv, si gjithmonë, për monitorim të situatës në vazhdim. Në të mirë e në vështirësi jemi bashkë si gjithmonë!” ka shkruar Mehaj në facebook.

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Bushka: Të marrim masa reformuese me qëllim forcimin e luftës ndaj korrupsionit

Bushka: Të marrim masa reformuese me qëllim forcimin e luftës ndaj korrupsionit