Në një kohë kur gjithnjë e më shumë flasim për teknologjinë dhe ndikimin e saj edhe në interesin e fëmijëve për librin, ky i fundit vijon të jetë afër të vegjëlve. Muajt e verës, pavarësisht perceptimit se pas përfundimit të shkollës ata largohen nga leximi, janë një periudhë mjaft e mirë për të afruar këtë grupmoshë me librin.   Ndërkohë, krahasuar me brezat e mëparshëm, sot ata kanë shumë më tepër tituj dhe zhanre ku mund të zgjedhin.

“Fëmijët kanë shumë më tepër mundësi për të zgjedhur tituj, por mbetet sfidë përzgjedhja e librave të duhur. Duhet parë jo vetëm suksesi i një libri jashtë vendit, por edhe sa i përshtatshëm është ai në nivel gjuhësor dhe kulturor për fëmijët tanë.”, thotë shkrimtarja për fëmijë, Rovena Rrozhani për “Report TV”.

Rrozhani vlerëson se periudha e verës mund të shfrytëzohet për ta kthyer leximin në një aktivitet të këndshëm dhe jo në një detyrim si gjatë vitit shkollor.

“Mendoj që lidhja e fëmijëve me librin qëndron, sidomos në kampet verore, në kohën e lirë, por kjo lidhje varet sigurisht nga të rriturit.”, vijon ajo.

Sipas saj, ndikimin më të madh e kanë prindërit dhe mjedisi familjar. Nëse libri mbetet i pranishëm në jetën e përditshme, edhe fëmijët e ruajnë interesin për të lexuar. Për këtë arsye, aktivitetet verore, kampet dhe takimet me autorët po shihen gjithnjë e më shumë si ura që i mbajnë të rinjtë pranë letërsisë.

Pikërisht këtë përpiqet edhe të bëjë edhe ajo përmes librave të saj, si në rastin e librit “Sekreti i fshehur në libra”, i cili është ribotuar pas ezaurimit të tirazhit të parë dhe së fundi është vlerësuar edhe me çmimin e librit më të mirë në Panairin e Librit Shqip në Shkup.

“Kam vazhdimisht kërkesa nga kampet verore që të bëjmë takime me shkrimtarët, lexojmë libra dhe përpiqem që t’u përgjigjem të gjithëve. Po u krijua zakoni i leximit që në moshë të vogël, atëherë krijohet një kulturë që e shoqëron lexuesin gjatë gjithë jetës.”, shprehet Rrozhani.

Megjithatë, krahas sasisë së botimeve, mbetet e rëndësishme cilësia e tyre, sidomos në rastin e librave të përkthyer.

“Ka libra, të cilët mund të kenë qenë të suksesshëm jashtë, por nuk përputhen me kulturën apo mentalitetin e vendit tonë edhe për pasojë edhe të fëmijëve tanë. Kështu që mund të kërcasin pak me realitetin dhe mund të stonojnë dhe të mos jenë aq të pëlqyeshëm. Dhe në këtë drejtim u takon jo vetëm po botuesve, por edhe përkthyesve që ta vlerësojnë shumë mirë një libër përpara se sa ta sjellin në gjuhën shqipe. Jo thjesht të mjaftohen vetëm që ky libër është një besteller apo ka shumë vlera apo ka shumë çmime, por duhet të shihet dhe mënyra se sa i përshtatshëm është ai, qoftë në nivelin gjuhësor, qoftë në nivelin kulturor.”, shton ajo.

Rrozhani vlerëson se letërsia shqipe për fëmijë ka shënuar zhvillim gjatë viteve të fundit, por kërkon më shumë mbështetje për autorët dhe ilustruesit, të cilët janë pjesë e rëndësishme e krijimit të një libri cilësor. Ndërkohë ajo ngre edhe shqetësimin për gjendjen e bibliotekave, të cilat sipas saj duhet të jenë më aktive gjatë muajve të verës dhe të pasurohen vazhdimisht me botime të reja. Kjo, jo vetëm për të nxitur leximin, por edhe për të krijuar brezin e ardhshëm të lexuesve.