Letra e plotë e biznesmenit amerikan që i ka marrë dyqanet gruaja e Gjin Gjonit: Ky vend na zhgënjeu, s’jemi gjendur kurrë në një situatë të tillë

TIRANË - Në Gjykatën Administrative të Tiranës si dhe në dy shkallët e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë po zhvillohet beteja gjyqësore se kujt i takon e drejta për të menaxhuar dyqanet pa taksa në Aeroportin e Rinasit. Kompania amerikane International Cruise Duty Free ka fituar tenderin si dhe ka lidhur një kontratë që në korrik të këtij vitit me TIA-n për menaxhimin e ambienteve Duty Free (dyqaneve pa taksa) në Aeroportin e Rinasit. Por, sot këto ambiente shfrytëzohen nga kompania Albania Duty Free Distribution, në pronësi të bashkëshortes së Gjin Gjonit, Elona Çaushi, e cila mori pjesë në tender dhe humbi, ndërsa kontrata me TIA-n për dyqanet i mbaroi që në 27 gusht 2019. Për të arritur deri këtu, Elona Çaushin e kanë ndihmuar dy gjyqtarë, Avni Sejdi dhe Mimoza Kajo Brahimi, të cilët pavarësisht se tenderin e ka fituar një kompani tjetër dhe ka lidhur kontratën, kanë vendosur që ADFD të vijojë aktivitetin tregtar në Rinas. Kompania amerikane International Cruise Duty Free është thellësisht e zhgënjyer nga kjo situatë.

Shqiptarja.com sjell një letër të plotë të presidentit të kompanisë  amerikane International Cruise Duty Freem, Lucio Suoto, i cili thotë se, pas shumë sipërmarrjeve të suksesshme në mbarë botën, nuk e ka gjetur veten asnjëherë në një situatë të tillë. Ai thotë se shumë njerëz e kanë paralajmëruar për mënyrën se si bëhet biznes në Shqipëri, por shton se ka shpresuar tek reforma në drejtësi se do të siguronte një sistem gjyqësor të lirë dhe të paanshëm.

Lucio Suoto pohon gjithashtu se kjo situatë do të ketë kosto, ndërsa i referohet Ministrisë së Financave, e cila i rinovoi licencën kompanisë së gruas së Gjin Gjonit pa shqyrtuar dokumentet dhe pa marrë parasysh se kishte humbur tenderin dhe gjykatave që marrin vendime duke shkelur çdo parim biznesi. Suoto thekson se kompania ICDF po lufton për një kauzë dhe një problem që nuk duhet të ekzistonin.

Letra e plotë e Lucio Suotos

“Të jemi të sinqertë, ne nuk duam të dërgojmë asnjë mesazh për qeverinë shqiptare apo asnjë nga palët e përfshira, sepse ne nuk bëjmë biznes duke dërguar mesazhe. Ky nuk ka qenë dhe nuk do të jetë asnjëherë modeli i biznesit tonë. Ne jemi një kompani serioze dhe e rëndësishme e cila punon duke respektuar ligjet e vendit ku vepron. Duke ndjekur këtë model dhe duke respektuar ligjet, na duhet ta themi këtë, përgjatë përvojës sonë të gjatë në këtë fushë, nuk e kemi gjetur veten asnjëherë në këtë situatë.

Pas shumë sipërmarrjeve të suksesshme në mbarë botën, ne vendosëm të investonim në Shqipëri, kundër këshillës së shumë njerëzve, të cilët na paralajmëruan për mënyrën e të bërit biznes këtu. Gjithsesi, ne vendosëm të investonim para, kohë dhe energji këtu, duke menduar se vendi ishte në rrugën e duhur, duke besuar se një vend i cili aspiron Bashkimin Evropian do të synonte një klimë të drejtë biznesi, dhe duke shpresuar se reforma e nisur në drejtësi do të siguronte një sistem gjyqësor të lirë dhe të paanshëm, një sistem pa ndërhyrje.

Ky vend zhgënjeu investimin dhe principet tona. Dhe ky zhgënjim ka koston e tij, jo vetëm për kompaninë tonë. Sepse ka kosto të tjera nëse Ministria lëshon një licencë pa shqyrtuar dokumentet apo nëse gjykata merr vendime duke shkelur çdo parim biznesi. Ka kosto për qeverinë shqiptare, e cila së fundmi humbi një çështje në gjykatë ndërkombëtare kundër një tjetër kompanie të huaj. Ka edhe kosto që i ndajmë me qytetarët shqiptarë, sepse kjo çështje është më shumë se një investim i huaj i humbur, por është edhe çështje e së ardhmes që këta qytetarë meritojnë.

Ne jemi të zhgënjyer, më së pakti. Në vend që koha jonë të shpenzohej në investimin e bërë, po harxhohet duke luftuar një kauzë dhe një problem që pikësëpari nuk duhet të ekzistonin. Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit, ajo që duam të shohim tani është prova që sundimi i ligjit respektohet në Shqipëri. Kjo është jetësore për vendimin tonë nëse do të qëndrojmë këtu apo jo, por edhe për çdo investim të huaj të ardhshëm në Shqipëri. Do ndiheshim të keqardhur nëse ky do ishte modeli që ky vend do t’i shfaqë të huajve. Nesër, ne do të vazhdojmë të mbetemi një nga kompanitë më të mëdha në sektorin tonë. Është tashmë në dorën e Shqipërisë, qeverisë dhe institucioneve të saj, që të provojnë se mund të përballojnë këtë nivel investimesh”.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lucio: 25/12/2019 23:37

    Ky biznesmeni I fuqishem amerikan nuk paska asnje dyqan duty free ne asnje aeroport te botes

    Përgjigju
  • Keshille miqesore biznesmenit amer: 25/12/2019 19:59

    Tako ARVIZUN dhe ai te sqaron mire per burrat e Shtetit qe Gradoj ne Shqypni dhe do kuptosh persen

    Përgjigju
  • xhin xhoni: 25/12/2019 14:40

    pune xhin xhonësh

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet ministri i Sigurisë së Bosnjës Nenad Nesic, akuzohet për korrupsion! Në pranga edhe 6 të tjerë

Arrestohet ministri i Sigurisë së Bosnjës Nenad Nesic, akuzohet për korrupsion! Në pranga edhe 6 të tjerë