Letta: Italia s'ka dyshime për
Statusin, Rama: E meritojmë

Letta: Italia s'ka dyshime për<br />Statusin, Rama: E meritojmë
ITALI- Kryeministri Edi Rama ndodhet në Itali për një vizitë pune dhe është takuar me kryeministri italian Enrico Letta.

Dy homologët pas takimit kanë dhënë një konferencë për shtyp në Pallatin Chigi në Rome, ku Letta ka theksuar se Italia nuk ka dyshime për integrimin e Shqiperise dhe po punon per te bindur ndonje vend skeptik. Letta e ka quajtur gjithashtu Shqipërinë partner strategjik të Shqipërisë dhe ka përgëzuar punën e qeverisë Rama.

Ndersa Rama ka shprehur mirënjohjen për lobimin e Italisë dhe se po pret me durim dhe ndonjë vend skeptik. "Shqiperia e meriton statusin, për të do ishte stimul në reforma të tjera", ka theksuar Rama. 

Kreu i qeverisë shqiptare, i shoqëruar nga një delegacion i gjerë qeveritar është takuar sot paradite me guvernatorin e Puglias, Nichi Vendola dhe më pas ka marrë pjesë në konferencën mbi Alterenergy, “projekt i rëndësishëm për kooperimin mes Shqipërisë dhe Puglias”.
 
Sipas mediave italiane, ky “është një takim i një rëndësie strategjike dhe hedh bazat për bashkëpunim të gjerë mes dy brigjeve të Adriatikut mbi temat e energjisë nga burime të ripërtëritshme, të domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm të territoreve tona”.
 
Ndërsa gjatë pasdites së sotme, kryeministri Rama ka zhvilluar takime në Confindustria. Vizita e kryeministri Rama në Itali u parapri nga një takim që kreu i qeverisë shqiptare Rama zhvilloi më 5 dhjetor me sipërmarrësit italiane.

LETTA: PËR ITALINË S'KA DYSHIME MBI STATUSIN E SHQIPËRISË NË BE
Kryeministri italian Enrico Letta, pasi ka falenderuar kryeministrin Rama për praninë e tij në Romë për herë të parë si kryeministër, herën tjetër ishte para se të bëhej formalisht kryeministër, pastaj takim në Nju Jork, Letta e ka quajtur një raport  të konsoliduar atë mes dy vendeve, që do vijojë të forcohet jo vetëm këtu në Romë, por dhe në Tiranë së shpejti. Letta ka theksuar se për Italinë nuk ka asnjë dyshim mbi Statusin e Shqipërisë në BE, pasi për Italinë sot ekzistojnë kushtet që të kemi një rezultat pozitiv për Statusin. "Folëm edhe për çështjen e integrimit të Shqipërisë. Për ne nuk ka asnjë dyshim, sepse për Italinë sot ekzistojnë kushtet që të kemi një rezultat pozitiv. Diskutuam format dhe modalitetet e punës për ditët që do vijnë dhe duam të bindim edhe vendet e tjera, që po bëjnë një lloj rezistence për integrimin e Shqipërisë. Familja europiane është një familje shumë e gjerë, e zgjeruar dhe kur të bëheni pjesë në BE ju do ta kuptoni, se ç’do të thotë. Ne dimë diçka për të. Ne do bëjmë një punë për t’i bindur. Jemi të bindur për këtë gjë. Ne e dimë që qeveria e Shqipërisë është e vendosur të vazhdojë në rrugën e reformave, sepse rruga e tyre është nga diktatura në demokraci dhe janë të nevojshme hapat, që janë në qendër të vëmendjes së qeverisë Rama".

LETTA: FOLËM PËR TAP, POLICINË, KOSOVËN, SË BASHKU REZULTATE TË MËDHA
"Fola për temat e marrëdhënieve dypalëshe. Jemi vende mike, folëm për mundësitë, që në marrëdhëniet mes dy vendeve, në Puglia sot këtu për të paraqitur këto mundësi. Ne duam të ndihmojmë në këtë drejtim, se Shqipëria sot është një partner strategjik i Italisë dhe do punojmë në këtë drejtim brenda bashkëpunimit multilateral si TAP një infrastrukturë energjitike për ne fondamentale dhe isha në Baku muajin e kaluar për të finalizuar udhëtimin. Jemi shumë të kënaqur për këtë punë. Parlamenti ynë e ratifikoi dhe thamë që është pikë tjetër shumë e rëndësishme. Folëm për bashkëpunime të tjera në polici, për tema të tjera të lidhura me rajonin, Serbinë, Kosovën, për të cilat i kemi dhënë rëndësi shumë të madhe. Puna jonë së bashku do japë rezultate shumë të mëdha. Ju përgëzoj për punën që jeni duke bërë dhe drejt rrugës së Shqipërisë në BE".

RAMA: FALEMNDERIT ITALISË, PO PRESIM ME DURIM STATUSIN, SHQIPËRIA E MERITON
"Falemnderit për mbështetjen që Italia i ka dhënë gjithmonë Shqipërisë drejt BE. Edhe ministres Bonino që ka dhënë rezultat në punën e saj, rezultat që do jetë ai i Statusit. Po presim me durim edhe ndonjë shtet anëtar, që ka ende një pozicion meditues për Shqipërinë, që të hedhë hapin e duhur drejt këtij konsensusi e t’i japë Shqipërisë atë që meriton. Do t’i jepte shoqërisë atë stimul të nevojshëm për reformat ë tjera. Të vizitoj Italinë është gjithmonë kënaqësi e veçantë. Por këtë herë vizitë në ndërmarrjet italiane në Puglia, një rrugë që do vazhdojë edhe në janar. Ky është mesazh i fortë dhe i qartë se Shqipëria është e gatshme të presë investime të reja italiane me kushte që unë besoj se për to do jenë optimale", u shpreh kryeministri Rama.
 
RAMA: EJANI INVESTONI NË SHQIPËRI, FLASIM ITALISHT, KRAHU I LIRË I PUNËS, TAKSA TË ULËTA
Jemi një vend që e kupton lehtësisht gjuhën italiane dhe puna e krahut kushton pak. Italia është vend në BE, por tek ne taksat janë të ulëta, por kemi edhe një vullnet për të ecur të thjeshtëzuar burokracitë në maksimum, që ndërmarrjet të gjejnë hapësirat e duhura për të punuar. Kjo jo vetëm është e mundur, por është me leverdi dypalëshe dhe do kontribuojë më shumë. Folëm për situatën në rajon, që Italia ka dhënë ndihmë shumë të rëndësishme, një rajon që e pret vitin e ri si vit i parë që të tërë janë në shtëpi me paqe, me paqen që kanë dhuruar serbët dhe shqitparët në Kosovë, me histori mirëkuptimi, paqeje dhe zhvillimi.

ITALIA E GJYSHËRVE TANË, TA VIZITOJ KËNAQËSI E VEÇANTË,  I JEMI MIRËNJOHËS
" Të vizitoj Italinë është gjithmonë kënaqësi e veçantë. Unë i jam mirënjohës Italisë, se na ka ndihmuar në këtë udhë nga kalimi nga një regjim diktatorial, në një sistem të ri demokratik, që e duam akoma më demokratik, edhe për të ndërtuar strukturat e nevojshme, siç janë duke bërë dhe tani me ndihmën ndaj policisë. Ka rëndësi që kjo fazë bashkëpunimi të jetë më intensive, për të lehtësuar punën e tyre këtu dhe atje, një të keqe që duhet ta luftojmë së bashku, jo vetëm mes dy shtetesh, por dhe midis shumë shtetesh, sepse dhe forma e kriminalitetit është e ndryshme. Kjo ndihmë që po na japin në këtë aspekt të jetë më eficente, për të pasur më shumë vëmendje për të ecur në rrugën e BE. Kryeministri Letta edhe pse ka shumë për të bërë gjen gjithmonë kohë. Kjo shenjë e miqësisë që ekziston mes dy vendeve. Italia jo vetëm e gjyshërve tanë, por pjesë e Europës, pjesë e rëndësishme e vetë Italisë".

Fjala e plotë e dy kryeministrave

Redaksia Online
(mag/e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat