Një ditë para protestës së opozitës, kreu demokrat, Lulzim Basha, ka thirrur në zyrën e tij të gjithë aleatët. Basha ju ka përcjellë porositë e fundit aleatëve, ku të pranishëm ishin dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, dhe kreu i grupit parlamentar të kësaj force politike, Petrit Vasili.

Këto janë lëvizjet e fundit të opozitës së bashkuar para protestës, ku krerët e dy partive kryesore opozitare, Basha dhe Kryemadhi, bëjnë thirrje për pjesëmarrje masive në aksionin e të shtunës.

Report Tv ka zbardhur detaje të reja nga protesta e nesërme e opozitës, e cila do të nisë nga Ministria e Brendshme. Burime nga PD bëjnë me dije për Report Tv se manifestimi i 26 majit do të jetë ndryshe nga ai i 27 janarit.

Bëhet e ditur se do të jetë një marshim protestë, që nis nga Ministria e Brendshme, në orën 11:00, dhe ku PD kërkon të përcjellë një mesazh, pas akuzave të shumta ndaj ministrit Fatmir Xhafaj, ku opozita ka kërkuar dhe dorëheqjen e tij.