Për të 9-in vit radhazi Lezha ka festuar ditën e shtegtarëve, ose ndryshe dita që i dedikohet emigrantëve. Festa nisi me vendosjen e buqetave me lule në memorialin që përkujton sakrificën e tyre, për të vazhduar më pas me aktivitete të tjera kulturore. Emigrantët u mblodhën në ditën e tyre në hollin e bashkisë, ku edhe u përshëndetën nga kryetari i Bashkisë së Lezhës Viktor Tushaj.

“Bashkia e Lezhës e ka kthyer këtë ditë, në festën e gëzimit e bashkimit me njerëzit tuaj të afërt por edhe ditë homazhi për kontributin që ju keni dhënë dhe jepni në mënyrë të vazhdueshme për qytetin tonë.” tha Kreu i Bashkisë Viktor Tushaj 

Po në këtë ditë, u inaugurua edhe ura e rikostruktuar mbi lumin Drin, një investim I cili sipas kreut të bashkisë, pritet të lehtësojë trafikun në këtë qytet.

“Në ditën e shtegtarëve në bëjmë edhe inaugurimin e kësaj ure, rikonstruksionin e Urës së Zezë që është quajtur tradicionalisht. Një urë e cila ishte amortizuar tejskajshëm, dhe kërkonte vëmendje pikërisht për të bërë të mundur që të shfryhej trafiku, por edhe të ishte në shërbim të banorëve të kësaj lagje, dhe në mënyrë të veçantë të nxënësve të shkollave dhe kësaj shkolle që është këtu afër.” u shpreh Tushaj

Gjatë festës u çel edhe një panair me produktete e zonës, ndërkohë që nuk munguan artistë të cilët me performanat e tyre gjallëruan mbrëmjen në këtë qytet.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)