LEZHË - Një ngjarje tragjike është regjistruar këtë të mërkurë rreth orës 16:30 në zonën turistike të Ranës së Hedhun në Shëngjin. Dy të rinj nga Kosova, Leonid Alia nga Fushë-Kosova dhe Jetmir Çopa nga Prishtina kanë humbur jetën si pasojë e mbytjes në det, ndërsa tre të tjerë të identifikuar si Dion Myftari, Arbër Beqaj dhe Drilon Rrustemi ndodhen në spital.

Sipas informacioneve paraprake bashkë me tre të rinj të tjerë ata ishin futur për t’u larë, por janë rrëmbyer nga dallgët e forta. Fatmirësisht 3 të tjerët i shpëtuan mbytjes dhe ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. 

Kanë qenë disa qytetarë që ndodheshin në zonë me Jet Ski, të cilët, në bashkëpunim me policinë, arritën të nxjerrin nga deti pesë të rinjtë, dy prej të cilëve pa shenja jete.

Ndërkohë shfoferi i ambulancës që mori viktimat tha se, ata ishin rreth moshës 25-vjeç dhe kur shkuan në vendngjarje, ata ishin pa shenja jete.

“Ne na njoftoi qendra kombëtare, dhe shkuam në vendngjarje. I gjetëm në breg, por dy prej tyre ishin pa shenja jete. Viktimat ishin rreth moshës 25-vjeç. Kanë qenë në varkë, por është përmbytur për shkak të dallgëve të mëdha. Pasi na njoftuan shkuan 4 ambulanca menjëherë” tha Jak Gjoka, shoferi i ambulancës.

Të rinjtë ishin pjesë e një grupi turistësh nga Kosova, të cilët kishin ardhur me autobusë për të vizituar Shëngjin dhe zonat përreth.

Në zonën e plazhit ku ndodhi ngjarja e rëndë, mësohet se nuk ka kulla vrojtimi dhe as flamuj të kuq që përdoren si sinjalizues për të ndaluar pushuesit të futen në det të trazuar. 

"Rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.

Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.

Sipas informacionit paraprak nga Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, 2 prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore", njoftoi sot policia.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:42
Kryebashkiaku Ndreu dhe ambasadori i Kosovës, vizitojnë të rinjtë që i mbijetuan tragjedisë te Rana e Hedhun

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, vizituan në Spitalin Rajonal të Lezhës tre të rinjtë nga Kosova që po marrin trajtim mjekësor pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në plazhin e Ranës së Hedhun në Shëngjin.

Sipas ambasadorit Durmishi, gjendja e tre të rinjve është e stabilizuar dhe ata vijojnë të jenë nën kujdesin e vazhdueshëm të bluzave të bardha në urgjencën e Lezhës.

Ai falënderoi ekipet mjekësore dhe strukturat vendore për reagimin e shpejtë dhe ndihmën e ofruar, ndërsa shprehu solidaritetin me familjet e personave të përfshirë në këtë ngjarje tragjike.

“Gjendja e tyre është e mirë, është fati i tyre. Ndërkohë kjo ngjarje është shumë tronditëse”, tha Durmishi, teksa vuri në dukje kujdesin e mjekëve.

Mjekët bëjnë me dije se të rinjtë po monitorohen në mënyrë të vazhdueshme dhe, deri tani, parametrat e tyre shëndetësorë paraqiten të qëndrueshëm.

Ora 18:44
Tragjedia në Lezhë, Begaj shpreh ngushëllimet famljarëve për dy të rinjtë nga Kosova

1777982947_bajrambegaj.jpg

Foto: Bajram Begaj

Presidenti Bajram Begaj, ka reaguar pas ngjarjes tragjike të ndodhur në Shëngjin, ku humbën jetën dy të rinj nga Kosova. Përmes një mesazhi publik, kreu i shtetit shprehu ngushëllimet për familjet dhe të afërmit e viktimave, ndërsa uroi shërim të shpejtë për tre personat e tjerë të lënduar në këtë ngjarje.

“Me hidhërim të thellë mësova për ngjarjen tragjike që u mori jetën dy të rinjve nga Kosova sot në Shëngjin. Në këto çaste të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave, ndërsa uroj shërim sa më të shpejtë për tre shokët e tyre”, shkroi Begaj.

Presidenti theksoi se kjo tragjedi duhet të shërbejë si një kujtesë për rëndësinë e respektimit të masave të sigurisë në plazhe.

Ai u bëri thirrje institucioneve qendrore dhe vendore, si edhe operatorëve turistikë, që të marrin të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë gjatë sezonit veror.

Sipas Begajt, forcimi i masave të sigurisë është i domosdoshëm për të parandaluar ngjarje të ngjashme dhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe vizitorëve në zonat bregdetare të vendit.

Xh.K/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ngushéllime: 03/06/2026 18:06

    Ngushéllime te sinqerta

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 1 Qershor, 11:02

    Jeni me Edi Ramën për zhvillimin e Zvërnecit?