Situata e përmbytjeve në Lezhë po shkon drejt përmirësimit. Uji është larguar nga zonat e përmbytura, ndërsa Bordi i Kullimit ka nisur ndërhyrjet në pikat më problematike.
 
Prej dy ditësh ka nisur puna për pastrimin e kolektorëve shkarkues në zonën e Zejmenit dhe të Rrilës, të cilët ishin dhe shkaktar kryesor i përmbytjeve të fundit.
 
Drejtori i Bordit të Kullimit për veriun Petrit Gjoni thotë se në Lezhë dhe Kurbin janë 4 ekskavator të cilët po punojnë gjatë gjithë kohës në zonat ku janë konstatuar probleme. Sipas tij të gjithë hidrovorët janë në punë përgjatë 24 orëve dhe kjo ka dhënë ndikim në evadimin në një kohë të shpejtë të ujit nga zonat e përmbytura.
 
Nga të dhënat e fundit është bërë e ditur se në të gjithë rajonin e Lezhës vijojnë të jenë të përmbytura më pak se 200 hektarë tokë bujqësore, ndërsa uji nga oborret e banesave  në Njësinë Administrative të Zejmenit është tërhequr plotësisht.

Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)