Floriani ende nuk i kishte mbushur 4-vjeç 21 nëntorin e vitit 2009, kur një ngjarje makabre i shënjoi 13 vitet e ardhshme të jetës së tij, deri mesditën e sotme kur 'u detyrua' të bëhet vrasës dhe deri në fund të jetës së tij, kur do të vuajë pasojat. Fenomeni i gjakmarrjes shkatërroi të tjera jetë sot në fshatin Manati të Lezhës.  

Florian Pervathi, vetëm 17-vjeç, me 4 plumba pistolete i mori jetën 65-vjeçari Lek Lekgjonaj, i cili të vetmin 'faj' që kishte ishte vëllai i vrasësit të babait të Florianit. 17-vjeçari e ka ekzekutuar Lekgjonajn në oborrin e shtëpisë së vëllait të tij, Ndue Lekgjonaj, i cili bëri vrasjen 13 vite më parë.

17-vjeçari tashmë është vënë në pranga nga autoritetet të cilat edhe kanë sekuestruar armën e krimit, një pistoletë tip mulli. Për Florian Pervathin tashmë nis saga e përballjes me drejtësinë, për një krim kaq të rëndë. 

21 nëntorin e vitit 2009 babai i Florianit ishte duke ecur në rrugët e fshatit të tij kur u ekzekutua nga Lekgjonaj, i cili më pas i përplasi me makinën të birin e mitur, vëllain e Florianit, i cili fatmirësisht shpëtoi. Tragjedia për familjen e 4-vjeçarit Florian Pervathi atëherë u shumëfishua kur në të njëjtën ditë që vritet babai, nëna  Martine Përvathi helmon veten me fotoksinë, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike dhe se kujtoi se i shoqi dhe i biri kishin vdekur të dy. 

Kjo gjakmarrje që ka bërë që një fëmijë të mendojë gjatë gjithë rritjes së tij hakmarrjen për vrasjen e të atit, duket se ka qenë edhe drejtësia e cunguar, pasi për vrasjen me dashje të Gjon Përvathit, Ndue Lekgjonaj ishte dënuar me 10 vite burgim një dekadë më parë. Dhënia e minimumit të dënimit nga gjyqtarja Gentiana Muçaj në Gjykatën e Lezhës para 13 viteve dhe aplikimi i dënimit të shkurtuar bëri që autori të lërë qelinë brenda 7 vitesh dhe të largohet jashtë vendit. Kjo padrejtësi nxiti edhe gjakmarrjen.

Florian Pervathi është rritur jetim, ndërsa sot u fut zyrtarisht në 2 'lista': në atë të vrasësve dhe në atë të viktimave, viktimë e një zakoni që na vjen nga thellësia e shekujve por që vijon të marrë dhe të shkatërrojë jetë edhe në shekullin e 21-të.

Lek Lekgjonaj

Pamje nga vendi i ngjarjes

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:30
Vrau vëllanë e vrasësit të babait pas 13 vitesh, çfarë shkruante 17-vjeçari në Instagram para krimit: Nuk jam hakmarrës, thjesht rikthej nderin

 

Vetëm 17-vjeç, por Florian Pervathi duket se e kishte të qartë drejtimin e jetës së tij, pas vrasjes së të atit, 13 vite më parë kur ai ishte vetëm 4 vjeç e megjithatë i mbushur me mllef. Qëllimet e tij, në një farë mënyre, Prevathi i bënte publike edhe në Instagram, ku në përshkrim e profilit të tij shkruan: " Nuk jam hakmarrës, thjesht rikthej nderin". Ndërkohë, në një tjetër postim, i mituri ka publikuar një foto ku shkruhet: "Mos u dorëzo kurrë, gjërat e mëdha kërkojnë kohë". "Rrini gati për gjithçka, shkaku se jeta është e padrejtë", shkruhet në një tjetër postim të Florianit.

Ora 16:40
Drejtësia e cunguar që solli gjakmarrjen në Lezhë, vrasësi i babait të 17-vjeçarit bëri vetëm 7 vite burg

1643033692_florianpervathi.jpg

13 vjet më parë, vëllai i viktimës, Ndue Lekgjonaj kishte vrarë babanë e Florianit pas një sherri për motive të dobëta mes fqinjëve. Për vrasjen me dashje të Gjon Përvathit, Ndue Lekgjonaj ishte dënuar me 10 vite burgim një dekadë më parë. Dhënia e minimumit të dënimit nga gjyqtarja Gentiana Muçaj dhe aplikimi i dënimit të shkurtuar bëri që ai të lërë qelinë brenda 7 vitesh dhe të largohet jashtë vendit.

Drejtësia e cunguar dhe dogma kanunore duket se ndikuan në formimin e adoleshentit i cili ekzekutoi Lek Lekgjonaj, pa faj, vetëm se është vëllai i personit që i kishte vrarë babanë. Për të tashmë nis saga e përballjes me drejtësinë si dhe hap një plagë të rëndë siç është gjakmarrja mes dy fiseve.

(Kliko këtu për të lexuar vendimin e dënimit të vëllait të viktimës për vrasjen e të atit të Florian Pervathi)

Ora 13:23
I vranë babanë, ky është i mituri që qëlloi për vdekje 65-vjeçarin në Lezhë për gjakmarrje

Ky është Florian Pervathi, i cili vrau për gjakmarrje ditën e sotme Lek Lekgjonajn, pasi vëllai i këtij të fundit, vite më parë i kishte vrarë babain. Ishte vetëm 4-vjeç kur Ndue Lekgjonaj, vëllai i viktimës, i kishte vrarë babanë, por ndjenjën për t'u hakmarrë për gjakun e babait të tij nuk e kishte harruar. Po në të njëjtën ditë, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, mamaja e të miturit kishte vrarë veten me fotoksinë! Ndërsa sot në oborrin e shtëpisë së vrasësit të babait në 2009, ka marrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të Lek Lekgjonajt, duke e lënë të vdekur në vend.

Ora 12:56
Vrasja në Lezhë/ Historia tronditëse 17-vjeçarit që u bë vrasës për të marrë gjakun e babait! Çfarë ndodhi para 13 vitesh

Report Tv ka mësuar detaje të reja nga vrasja në Lezhë. Mësohet se djaloshi 17-vjeçar, Florian Pervathi ka marrë hak për babanë e tij të vrarë në 2009. Babai i 17-vjeçarit, Gjon Pervathi  është ekzekutuar nga vëllai i viktimës së sotme, Ndue Lekgjonaj me motivin se i kishte bllokuar rrugën. Prej vitesh Përvathi kishte pasur probleme me familjen Lekgjonaj.

Sot, kur kanë kaluar 13 vite, djali ka vrarë vëllanë e autorin që i vrau babanë, Lekë Lekëgjonin. Tragjedia rëndohet pasi mamaja e 17-vjeçarit, në kushte të rënda psikike, piu fostoksinë, duke vdekur në të njëjtën ditë me të shoqin. Çifti Përvathi la 4 fëmijë jetimë. 

Si ndodhi vrasja e Gjon Pervathit, babait të 17-vjeçarit, Florian Pervathit
Krimi ndodhi në rrugën kryesore që lidh Lezhën me Laçin duke pasur si viktimë Gjon Pervathit. I biri 14 vjeç dhe një kushëri i tij u plagosën nga autori, ndërsa e shoqja e viktimës u vetëhelmua pasi mësoi atë çka kishte ndodhur. Duke kujtuar se veç të shoqit kishte vdekur dhe i biri i vetëm, 40-vjeçarja Martine Përvathi i dha fund jetës me fostoksinë, duke lënë jetimë brenda ditës 4 fëmijët.
Autori, Ndue Lekgjonaj e ka ruajtur Përvathin e ka qëlluar për vdekje. Një konflikt i hershëm mes viktimës dhe fqinjëve të tij, në fshatin Grykë-Manati të Lezhës, u bë shkak për këtë ngjarje të rëndë. Për policinë ishin të njohura konfliktet e pronësisë dhe kanosja me armë që Pervathi i kishte bërë fqinjëve, prandaj ai ishte burgosur e dënuar. Me makinë i ka ndjekur tre udhëtarët, Gjon Përvathin, të birin, Danielin, si dhe kushëririn Gjergj Përvathi. Në hyrje të Lezhës, e shumë pranë vendbanimit, që nga makina autori Lekgjonaj, rreth 50 vjeç, ka qëlluar me breshëri automatiku. Dy plumba i morën jetën shënjestrës së tij, ndërsa një tjetër aksidentalisht dhe kushëririt të viktimës. Përballë kësaj skene, djali vetëm 14 vjeç është sulur drejt makinës së autorit për ta nxjerrë jashtë, por në tentativë për t’u larguar ai e përplasi fuqishëm.
Tragjedia e familjes Përvathi nuk përfundoi këtu. Martine Përvathi ndërroi jetë pak orë pas vrasjes së të shoqit. Nga të afërm e dëshmitarë që panë skenën e krimit, 40-vjeçarja ka mësuar se veç të shoqit, kishte vdekur dhe i biri. E rënduar nga ky lajm, gruaja ka kaluar në gjendje të rëndë depresive, duke pirë një sasi fostoksine, e cila ka qenë fatale për jetën.
Edhe më herët, Gjon Përvathi ishte bërë protagonist i një sherri me armë me fqinjët e tij, Lekgjonajt. Ata shpeshherë ishin konfliktuar për kufirin e pronave që kishin dy familjet, derisa në 2008 Lekgjonaj kapi një nga delet e fqinjit që kishin hyrë në tokën e tij, duke u therur.

Ora 12:53
Ekzekutimi për gjakmarrje në Lezhë, policia jep detajet, 65-vjeçari u ekzekutua me një pistoletë mulli

1643025181_WhatsAppImage20220124at12.48.59.jpeg

Policia e Lezhës ka dhënë detajet e para në lidhje me ngjarjen e rëndë të regjistruar sot në fshatin Manati.

"Policia e Lezhës neutralizon dhe vë në pranga në kohë rekord, një 17-vjeçar që kreu vrasjen e 65-vjeçarit, para pak minutash, në fshatin Manati të Lezhës. Sekuestrohet dhe arma e krimit. Shërbimet e DVP Lezhë dhe të Komisariatit të Policisë Lezhë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Manati kishte të shtëna me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.  Falë reagimit profesional e të menjëhershëm është bërë i mundur neutralizimi dhe kapja e 17-vjecarit F. P. 17-vjeçari, rreth orës 12:00, në rrethana ende të paqarta dyshohet se vrau me armë zjarri shtetasin L. L., 65 vjeç, banues në Manati, dyshohet për motive hakmarrjeje.  Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar dhe armën zjarrit pistoletë me të cilën dyshohet se 17-vjeçari kreu krimin. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Ora 12:48
E vrau në oborrin e shtëpisë për gjakmarrje, autori një 17-vjeçar! Vëllai i viktimës i vrau babain

Policia ka identifikuar autorin e vrasjes së Lek Lekgjonajt, i cili është i mituri, Florian Pervathi vetëm 17 vjeç. Dyshohet se vrasja ka ndodhur për gjakmarrje. Burime për Report Tv bëjnë me dije se vëllai i viktimës Ndue Lekgjonaj ka vrarë babain e të miturit Gjon Pervathi në vitin 2009. Por ngjarja është bërë edhe më dramatike, pasi pas vrasjes së Gjon Përvathit, mamaja e të miturit ka vrarë veten duke pirë helm.

Ora 12:43
Vrasja e  65-vjeçarit në oborrin e shtëpisë, ja pamjet nga vendngjarja

 

Report Tv ka siguruar pamjet nga vendi i ngjarjes, ku është vrarë paraditen e sotme 65-vjeçarit Lek Lekgjonaj.

65-vjeçari është vrarë në oborrin e shtëpisë.