Vetëm dy javë pas rrahjes barbare të biznesmenit libian Faadi Mitri dhe katër ditë pas largimit të tij nga Shqipëria, njësia hetimore Task-Forcë pranë prokurorisë së Durrësit ka vendosur të sekuestrojë sipërfaqen e tokës ku ishte planifikuar të ndërtohej resorti 480 milion euro.

Vendimi për sekuestrimin e sipërfaqes së pyllëzuar, është marrë ditën e djeshme nga gjykata e Durrësit,gjykatë kjo që pak kohë më parë ka pranuar kërkesë padinë civile 71-vjeçarit Pal Seçuni, për njohjen e kësaj sipërfaqe në emër të tij. Në 15 shtator gazeta “Shqiptarja.com” botoi vendimin e gjykatës së Durrësit ku Pal Selçuni ka kërkuar njohjen e pronësisë mbi këtë truall me parashkrim fitues. Në pretendimin e tij, Selçuni e ka bazuar kërkesën e tij se personi që ka poseduar qetësisht e pa ndërprerje, duke u sjellë sikur të ishte pronar për njëzetë vjet në një pronë të paluajtshme, bëhet pronar i saj”.

Hetimet e prokurorisë
Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet mbi përfitimin e të drejtës së pronësisë,menjëherë pas plagosjes me mjete të forta të shtetasit Fadi Mitri,i cili nga ana e tij ka një kontratë qeraje me shtetin shqiptar për zhvillimin e pronës së njohur tashmë, në emër të shtetasit Pal Selçuni. Prokuroria e Durrësit nisi këtë hetim, menjëherë pasi Policia e Shtetit referoi në Prokurorinë e Tiranës materialin mbi kryerjen e veprës penale “Plagosje e lehtë me dashje”, në dëm të shtetasit Fadi Mitri. Nga materialet paraprake të referuara në prokurorinë e Tiranës, dyshohet se goditja ndaj biznesmenit Mitri është kryer për shkak të një sipërfaqe toke, e cila i është dhënë në përdorim kompanisë së administruar prej tij, “Omnix Albania” shpk. Po në këtë sipërfaqe, ka pretendime mbi pronësinë familja e shtetasit Pal Selçuni, banues në Draç të Ishmit, në Durrës. Për këtë arsye, Prokuroria e Durrësit ka nisur veprimet hetimore mbi regjimin e pronës në zonën e Draçit, në Ishëm të Durrësit, e cila dyshohet se ka shërbyer si shkak për goditjen e biznesmenit Fadi Mitri. Në bazë të akteve të administruara deri në këtë fazë, janë krijuar dyshime të arsyeshme se, në procesin gjyqësor për njohjen e pronës, pala paditëse Pal Selçuni) ka paraqitur dokumenta të fallsifikuara për të provuar posedimin “e pandërprerë dhe të qetë të kësaj prone për një afat prej njëzet vjetësh”.

Konflikti fizik në 2011
Nga aktet e administruara, rezulton se shtetasi Pal Selçuni, në vitin 2011, ka pasur një konflikt fizik me disa shtetas të tjerë, në pronë kufitare për pronësinë mbi terrenin objekt shqyrtimi gjyqësor. Të dyja palët e përfshira në konflikt në atë kohë kanë bërë kallëzim. Prokuroria e Durrësit ka vendosur mosfillimin e procedimit penal, për shkak se “dëmet nuk kanë qenë të konsiderueshme për t’u klasifikuar si vepër penale. Po ashtu, rezulton se në vitin 2014, shtetasi Pal Selçuni ka bërë një padi për pushtim toke kundër shtetasit libanezo-amerikan, Fadi Mitri, administrator I kompanise “Omnix Albania”. Edhe në atë kohë, Prokuroria e Durrësit vendosi mosfillimin e procedimit penal,për shkak se “Omnix Albania”, shpk, ka një kontratë qeraje me shtetin shqiptar për shfrytëzimin e kësaj sipërfaqeje toke. Për të paktën këto dy raste, Prokuroria e Durrësit ka krijuar dyshime të arsyeshme se, në procesin gjyqësor civil për njohjen e pronës, paditësi Pal Selçuni ka paraqitur dokumenta të fallsifikuara, duke pretenduar se e ka poseduar pronën pa shqetësim për një periudhë 20-vjeçare.
 
Vangjush Dako
Kryebashkiaku Dako ka miratuar lejën për kompaninë “Omnix Albania”, duke pretenduar se toka në Gjirin e Lalzit është shtetore dhe jo private.
 
Joana Qeleshi
Ka qënë kryegjyqtarja Joana Qeleshi, e cila me vendimin e saj e ka futur në një spirale pa zgjidhje këtë çështje.

(d.b/Shqiptarja.com)