SUEDI- Çdo vit në Stockholm të Suedisë prej vitit 2002 organizohet me iniciativë të qeverisë ndarja e çmimeve në përkujtim të Astrid Lindgren, autores më të njohur të librave për fëmijë, ku “Pipi Çorapegjata” është libri i saj më i famshëm. Këtë vit me këtë çmim është nderuar autorja suedeze Barbro Lindgren, e cila ndonëse ka të njëjtin mbiemër me Astrid nuk kanë asnjë lidhje, përveç faktit se kanë punuar shumë ngushtë sëbashku dhe Barbro e konsideron vetën një studente të përpiktë të Astrid.

Komiteti i çmimeve tha se Lindgren është një pionere në letërsi e cila ka përdorur një gjuhë aventuriere dhe me nuanca të gjalla psikologjike në librat e saj për fëmijë. Lindgren ka publikuar qindra tituj për fëmijë, përfshirë libra me vizatime, poezi, lojëra dhe libra për fëmijë të rritur. Ajo ka ilustruar disa prej librave të saj, të cilët janë përkthyer në më shumë se 30 gjuhë të huaja. Ndër librat e saj më të njohur është dhe historia me përralla e “Lorangës, Marsarit dhe Dartanjagut” në të cilën rrëfehen histori në një botë ku gjithçka mund të ndodhë si dhe libri me ilustrime me personazhin Max ku përshkruhet jeta plot aventuara e djaloshit të vogël.

Në fjalimin e saj gjatë ndarjes së çmimeve Barbro tha se ndihej shumë e nderuar për çmimin dhe pranoi të ndante disa kujtime nga eksperienca e saj me të famshmen Astrid. Ajo kujtoi letrën e parë të shkëmbyer mes tyre dhe faktit se gjithçka që ajo i shkroi në atë letër e përdori si një shkollë në ndërtimin e karrierës së saj të mëvonshme, duke theksuar se këshillat e Astrid i ndoqi me përpikmëri dhe se ndodhej në atë vend dhe falë ndihmës së madhe që ajo i kishte dhënë.

Redaksia Online
(Suada Bajraktari/e.s/shqiptarja.com)