Pas disa muajsh punime intensive, ka përfunduar rikonstruksioni i ndërtesës së Liceut Artistik "Jordan Misja", në Tiranë. Kryeministri Edi Rama, ish-nxënës i kësaj shkolle, i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit, u shpreh se Liceu e ka detyrim të jetë qendër e ekselencës shqiptare.
 
Rama tha se kjo është vetëm faza e parë e rikonstruksionit të Liceut, pasi është gati edhe kontraktimi i kompanisë për vazhdimin e punimeve në pjesën e mbetur të infrastrukturës siç është rikonstruksioni i sallës së re të koncerteve.
 
"Kaluan jo pak vite, por ia dolëm që më në fund, pas kush e di sa dekadash, Liceu të ketë pianot e reja, klasat e reja, edhe pse projekti është i paplotë, pasi duhet të plotësohet me sallën e re të koncerteve, audicioneve, aktiviteteve që liceu i ka të gjitha mundësitë të bëjë edhe për komunitetin jashtë mureve të tij. Liceu do plotësohet përfundimisht si infrastrukturë. Pastaj u mbetet mësuesve, nxënësve që të bëjnë më të mirën, për të rritur cilësinë përmes studimit të posaçëm dhe intensiv që këtu ka qenë gjithmonë traditë. Duhet që kjo shkollë të bëhet një qendër e ekselencës shqiptare, sepse duhet të jetë e tillë", u shpreh Rama.  
 
Kreu i qeverisë theksoi se kushdo që studion në Liceun Artistik, mund të realizojë ëndrrën e tij, ndërsa shtoi se kjo shkollë ka nxjerrë emra të mëdhenj si Ermonela Jaho etj. "Ermonela Jaho thoshte gjithmonë se një ditë do të këndoj në La scala, për këdo ishte e paimagjinueshme atëherë. Prandaj, çdo ëndërr që njeriu e shikon me sy hapur, është në gjendje ta realizojë. Ndryshimi mes atyre që e shikojnë me sy hapur dhe ia dalin e atyre që s'ia dalin, ata që ia dalin kanë një vendosmëri të mbinatyrshme për të kaluar detin në këmbë dhe për të bërë të mundur të njehsohen me ëndrrën e tyre", tha Rama.  
 
Kreu i qeverisë kujtoi degradimin për vite me radhë të ndërtesës së Liceut, klasat e amortizuara dhe instrumentet e vjetruara mësimore të nxënësve.
 
"Shkolla ka përjetuar një rrënim të vazhdueshëm për shkak të mungesës së plotë të vëmendjes. Duhej bërë një investim masiv në këtë shkollë, pasi që nga pianot që janë instrumenti bazë i shkollës e deri te atelietë e arteve vizuale, gjithë lënda e parë me të cilën punojnë nxënësit dhe mësuesit e Liceut ishte vërtetë e vjetër në pikë që nuk krijonte më ato kushte pa të cilat është e pamundur të kërkosh cilësi", tha Rama.
 
Liceu Artistik "Jordan Misja" është transformuar krejtësisht pas një pune intensive në infrastrukturën e tij të brendshme dhe atë të jashtme. Liceu ka tashmë një fasadë krejtësisht të rinovuar, klasa të reja si dhe instrumente moderne për nxënësit. 

[gallery]19340[/gallery]

Rama batuta me nxënësin: Ai me dy gishta mund të jetë gjeni i keqkuptuar
Ndërkohë që kryeministri po mbante fjalimin gjatë inaugurimit të "Liceut Artistik", një prej nxënësve të kësaj shkolle, e ka "shqetësuar" atë duke i ngritur dy gishtat.
 
Rama iu drejtua me batutë se gishtat do t'i duhen për t'i rënë pianos, ndërsa kërkoi nga mësuesit që ta kenë kujdes, pasi ai (nxënësi) mund të jetë një gjeni i keqkuptuar.
 
"Leri mo ato dy gishta, leri mo, leri mor, mor leri mor leri mo, ler. Mbaji të pestë gishtat se të duhen për t’i rënë pianos, mos i ndaj gishtat nga njëri-tjetri.

Fut kokën poshtë dhe mban dy gishtat lart.

Llogarit ti, ndërkohë që kokën duhet ta mbajë lart ai e fut poshtë.

(U drejtohet profesorëve) Ma kini kujdes atë me dy gishta, sepse ka shumë gjasë që të jetë një gjeni i keqkuptuar. Shumë faleminderit!"