Tekniku brazilian konfirmoi mungesën e sulmuesit gjatë konferencës për shtyp, para takimeve me Ukrainën dhe Gjeorgjinë, më 7 dhe 10 Shtator. Çfarë thotë për talentet e reja dhe shanset që të shkojnë në Botërorin e ardhshëm
Ndryshon lista e Kombëtares së Shqipërisë, vetëm pak ditë para takimit me Ukrainën për Ligën e Kombeve.
Ka qenë vetë tekniku brazilian Sylvinho, që në konferencë për mediat konfirmoi sot (2 Shtator) se sulmuesi kuqezi Armando Broja nuk ia ka dalë dot ta kalojë dëmtimin e pësuar në kohë dhe e ka nxjerrë nga lista e grumbullimit për dy ndeshjet e radhës.
Kombëtarja shqiptare nga dita e sotme nisi dhe punën për ndeshjet e Ligës së Kombeve, ndaj Ukrainës më 7 Shtator dhe Gjeorgjisë më 10 Shtator, sfida këto të vlefshme për Ligën e Kombeve, në Grupin B.
“Armando Broja nuk do të jetë në dispozicion me ne. Kemi mbetur në kontakt me stafin mjekësor të ekipit të tij dhe na kanë njoftuar se ka një problem me tendinën e Akilit dhe do t’i duhen rreth 10 ditë rikuperim, kështu vendosëm ta zëvendësojmë me Uzunin. E kemi pritur deri në fund nga Evertoni, por i duhet te beje disa analiza. E sigurtë që në 10-15 ditët e ardhshme nuk do jetë i gatshëm”, tha Sylvinho.
Trajneri vlerësoi Ligën e Kombeve si një mundësi të mirë për të kapur një biletë për Botërorin e ardhshëm.
“Ndeshjet me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Çekinë do të jenë të forta. Jemi një kombëtare që po rritet. Në listën që kemi përpiluar vetëm Zeka dhe Spahiu janë thirrur për herë të parë. Duhet të bëjmë vlerësime, por jo eksperimente. Ne futemi në fushë me shpirt dhe me zemër”, tha ai.
I pyetur për portierin Etrit Berisha, që ndeshjet e fundit është zëvendësuar nga Thomas Strakosha, tekniku tha: “Kombëtarja është e hapur për të gjithë. Berisha nuk ka një kontratë. Prandaj e humbet këtë periudhë. Po punojmë për të ndërtuar ekipin, kështu që është e hapur për në vazhdim”.
Ai theksoi punën për grumbullimin edhe të talenteve.
“Një pjesë e rëndësishme e punës sot është mbledhja e talenteve. Kemi 3 milionë banorë në Shqipëri, por shumë të tjerë janë jashtë. Është e vështirë, nuk është një punë sekrete”.