Bizneset i ofrojnë shërbime apo i shesin mallra institucioneve shtetërore dhe nuk paguhen në kohë. Në fund të 2025-ës ishin afro 11 milionë euro borxhe që shteti kishte vetëm për faturat e papaguara ndaj privatëve për punët që këta të fundit kanë kryer sipas kontratave të lidhura.

Kësaj situate, qeveria synon t’i japë fund përmes ndryshimeve ligjore. Një projektligji i ri është hedhur për konsultim publik nga Ministria e Ekonomisë, që kushtëzon në mënyrë më strikte afatet për të paguar detyrimet.

Nëse një biznes, një i vetëpunësuar apo profesionist i lirë ka kryer punën, ka dorëzuar mallin ose shërbimin dhe institucioni publik nuk likuidon në kohë, biznesi ka të drejtë të marrë menjëherë kamatëvonesë.

Ndryshimet e propozuara synojnë që autoritetet shtetërore qendrore apo vendore, duhet të kryejnë pagesat për sipërmarrjet private brenda 30 ditësh, dhe nëse ky afat nuk respektohet do të nisë të llogaritet automatikisht kamatëvonesa, pa pasur nevojë për paralajmërime apo kërkesa formale që kreditori privat do duhej t’i bënte shtetit.

“Ndryshimet adresojnë problematikën e vonesave të pagesave me impakt në likuiditetin e sipërmarrjeve dhe mungesën e një mekanizmi për kamatëvonesat, që ndikon në konkurrueshmërinë e bizneseve shqiptare, veçanërisht të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM). Përafrimi ligjor do të përmirësojë klimën e biznesit dhe do të shërbejë si një tregues i arritur për piketat përmbyllëse të Kapitullit 20” thuhet në relacion.

Kur afati për të kryer pagesën - thuhet në projektligj - nuk është i përcaktuar në kontratë, pas 30 ditëve nga data e marrjes së faturës për pagesë, apo nga dorëzimi i mallrave/shërbimeve, nis llogaritja e kamatëvonesave bashkë me interesat. Këto afate nuk ishin të përcaktuar në mënyrë strikte në ligjin aktual, i cili lë hapësira për zvarritje deri në 90 ditë.

Po ashtu projektligji “Për pagesat e vonuara dhe detyrimet kontraktore dhe tregtare”, synon të rregullojë edhe marrëdhëniet midis sipërmarrjeve.

Edhe në këtë aspekt biznesi ka të drejtë të marrë kamatëvonesë pa qenë nevoja të njoftojë biznesin që i ka borxh, nëse nuk paguhet brenda datës së caktuar në kontratë ose maksimumi deri brenda 60 ditëve pas marrjes në dorëzim të mallrave ose shërbimeve, me përjashtim të rasteve kur palët kanë rënë dakord për zgjatje afati.