“Lëvizja për Universitetin”, krahas protestave të studentëve dhe debatit të fortë publik kundër pr/ligjit të Arsimit të Lartë, do t’i drejtohet edhe Presidentit të Republikës, Bujar Nishani përmes një peticioni.

Pas miratimit në Kuvend, ligji do t’i kalojë kreut të shtetit për dekretim. Pedagogët dhe nismëtarët e “Forumit për Universitetin” do të tentojnë të shfrytëzojnë pikërisht këtë moment për të ndikuar tek Presidenti, në mënyrë që ai ta kthejë për rishqyrtim në Kuvend ligjin, duke e arsyetuar me shkeljen e disa neneve të Kushtetutës. Pedagogët kanë nisur mbledhjen e firmave duke konkretizuar kështu zyrtarisht hapin e tyre të parë institucional për të bllokuar zbatimin e reformës në Arsimin e Lartë. Qëndrimi i akademikëve, pedagogëve dhe përfaqësuesve të opozitës është se ligji në tërësi është antikushtetues, çka bën që debati të jetë edhe më i përqendruar tek aspekti teknik se sa ai politik.

Ndërkaq, burime pranë Presidencës bënë të ditur për Shqiptarja.com se presidenti Nishani do të organizojë një tryezë të përbashkët me akademikë, pedagogë dhe përfaqësues të universiteteve, për të dëgjuar shqetësimet e tyre lidhur me ndryshimet e bëra nga qeveria në ligj. Në tryezën e organizuar dje nga opozita, trupa e pedagogëve tha se ligji është antikushtetues dhe me ndryshimet e bëra nga qeveria, rrezikon falimentimin e publikut dhe privatit njëkohësisht. Akademiku Artan Fuga e cilësoi sërish antikushtetues pr/ligjin, pavarësisht votave të mazhorancës në Kuvend, të cilët e miratuan reformën në 02:00 të mëngjesit të djeshëm.

“Projektligji mbi Arsimin e Lartë, përtej kërcënimeve, sharjeve dhe shantazheve që erdhën nga foltorja e Kuvendit për mendimin e lirë, është thjesht, as më shumë e as më pak, antikushtetues”, u shpreh Fuga. Për profesorin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës dhe ish deputetin e PD, Mark Marku debati publik kundër projektligjit do të vazhdojë pa ndërprerje. Pas tryezës me opozitën, Marku tha për Shqiptarja.com se ka hapësira dhe instrumente për ta kundërshtuar dhe kthyer ligjin. “Normalisht që ne do të vijojmë debatin publik kundër ligjit për “Arsimin e Lartë”, u shpreh Marku. Ndërkohë, “Lëvizja për Universitetin” paralajmëron ndjekjen e hallkave të mëtejshme institucionale, duke mos përjashtuar edhe ankimimin në Gjykatën Kushtetuese. 

Tryeza
“Presidenti Nishani do të organizojë një tryezë të përbashkët me akademikë, pedagogë dhe përfaqësues të universiteteve, për të dëgjuar shqetësimet e tyre lidhur me ndryshimet e bëra nga qeveria në ligj”.

Artan Fuga
“Projektligji mbi Arsimin e Lartë, përtej kërcënimeve, sharjeve dhe shantazheve që erdhën nga foltorja e Kuvendit, për mendimin e lirë, është thjesht, as më shumë e as më pak, antikushtetues. Është Gjykata Kushtetuese ajo që ndan shapin nga sheqeri”
 
Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)