Bizneset do të paguajnë për shkollat e mesme profesionale. Ky fakt është pohuar nga zv/ministrja e Ministrisë së Mirqenies Sociale, Gentjana Sula gjatë diskutimit mbi ndryshimet e ligjit për arsimin profesional, në Komisionin parlamentar të Medias. Sula ka theksuar se është vetë biznesi që ka kërkuar një bashkëpunim për të arritur në përgatitjen e të rinjve profesionist, pasi deri më tani stafi i ri që merret në punë është thuajse i patrajnuar. Nga ana e tij zv/ministri i Arsimit Arbian Mazniku ka theksuar faktin se deri më tani 30 për qind e të rinjve që mbarojnë shkollën e lartë nuk kanë shpresë për punë. Ndaj dhe është e nevojshme që të kemi një rishikim të skemës së arsimimit profesional.

Të ardhurat

Sula ka konfirmuar se janë tre mundësi për mbledhjen e të ardhurave nga biznesi. Ndërsa është duke u diskutuar nëse do të ketë një shtesë në taksë ose një ndryshim të ligjit mbi përdorimin e të ardhurave nga tatimi i bizneseve. Një nga mundësitë e mbledhjes së të ardhurave është tatimi mbi fitimi, ku ose do të ketë një rritje me 1 për qind, ose kjo shumë do ti kalojë nga e njëjta taksë buxhetit të arsimit profesional. Po e njëjta skemë mund të përdoret nga sigurimet shoqërore në fondin e papunësisë ose në tatim-fitim. Gjithsesi sipas përllogaritjeve, vetëm një 1 për qind të taksës që do të paguajnë bizneset fasone do të mblidhen 2,5 milionë dollarë. Ndërsa nga futja në skemë dhe të bizneseve të tjera si janë, turizmi, peshkimi, bujqësia dhe komunikacioni do të arrihet të mblidhen të paktën 10 milionë dollarë. Kjo do të shërbejë për realizimin e shkollave të mesme profesionale. Ndërsa si formulë financimi i shkollave profesionale prej biznesit është marrë nga
modeli Austriak.

Përplasja

Por në ndryshimin e ligjit është parashikuar që të mos jetë vetëm ministria e Arsimit që do të ketë eskluzivitetin mbi kurikulën e arsimit profesional. Por kjo do të jetë në bashkëpunimin me Ministrinë e Mirëqenies Sociale. Ndërsa vetë kurikulat do të jenë të ndryshueshme në çdo vit duke ndjekur trendin e kërkesave të tregut. Por për deputetët e opozitës kjo do të jetë e rrezikshme pasi ashtu si Ministria e Mirëqenies Sociale do të kërkojë dhe Ministria e Shëndetësisë apo ajo e Drejtësisë duke nxjerrë jashtë loje Ministrinë e Arsimit. Ndërkohë që në skemën e propozuar prej qeverisë, Ministria e Arsimit do të jetë në kuadrin e licencimit dhe monitorimit të funksionimit të ligjit.

Funksionimi

Sipas skemës së diskutuar në komisionin e medias, shkollat e mesme profesionale do të ndahen në dy vitet e para arsimim profesional, ku nxënësit do të përqendrohen vetëm në specialitetin e tyre. Ndërsa ata që do të duan të vazhdojnë më tej do të kenë dhe dy vite shtesë, ku do të marrin më shumë lëndë teorike. Kjo do ti lejojë dhe për të konkurruar në provimet e maturës duke siguruar dhe certifikatë aftësimi ashtu dhe diplomë.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com", versioni print

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)