Ligji i ri, izolohen Nishani- Gjin
Gjoni, ndalen emërimet e KLD 

Ligji i ri, izolohen Nishani- Gjin<br />Gjoni, ndalen emërimet e KLD 
Ka një arsye të fortë se pse shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nën influencën e kryetarit Bujar Nishani dhe partisë më të madhe në opozitë, nxitoi ditët e fundit duke mundësuar vlerësime, transferime, komandime dhe emërime gjyqtarësh në gjykatat e shkallës së parë dhe apelit.

Aksioni i fundit e KLD, me emërimet politike në gjyqësor, lidhjet me afatin e hyrjen në fuqi të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ligji në fjalë parashikon disiplinimin dhe kufizimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Drejtësisë, deri në shkrirjen e KLD dhe ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve u botua në Fletoren Zyrtare në datën 7 Nëntor, duke hyrë në fuqi 15 ditë më votën, pikërisht në datën 22 nëntor. Deri në datën 18 nëntor, KLD intensifikoi mbledhjet, me objekt kryesisht emërime dhe vlerësime gjyqtarësh.

Ndërkaq, pas datës 22 nëntor, kreu i KLD, Bujar Nishani dhe anëtari Gjin Gjoni, dy personazhet më me ndikim në këtë institucion, janë të detyruar të zbatojnë ligjin e ri, sa i takon ushtrimit të kompetencave.

Ligji i ri
Neni 160 i ligjit të ri, rrëzon nenin 2 të ligjit për KLD, ku parashikohen detyrat kryesore të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ligji i ri, i cili sipas gjasave pritet të ankimohet në Kushtetuese nga KLD, parashikon që KLD emëron vetëm magjistratët kandidatë të diplomuar në vitin 2016, duke kufizuar funksion e emërimeve dhe komandimeve të çfarëdollojshme të Këshillit.

“Deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe inspektoratet ekzistuese do të vazhdojnë të ushtrojnë kompetencat e mëposhtme, sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj”, thuhet në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Gjithashtu ligji ndalon KLD të komandojë gjyqtarë dhe kryetar gjykatash, parashikim i cili është ngritur si shqetësim edhe nga anëtarët e KLD në mbledhjen e datës 4 nëntor. Po ashtu, ligji ndal KLD që të emërojë dhe shkarkojë, kryetarët dhe zëvendëskryetarët e gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit

Alarmi
Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në mbledhjen e datës 4 nëntor, i kanë bërë thirrje njëri-tjetrit që të bëjnë rezistencë, duke kërkuar rrëzimin e ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Gjykatën Kushtetuese.

“Kuvendi, konkretisht me ligjin “Për statusin e gjyqtarit” – nuk e di, mund të jetë botuar edhe në fletore zyrtare, nuk e kam informacionin shumë të saktë, mund të na ndihmojë Albana me këtë pjesë – janë vendosur disa kufizime për KLD-në çuditërisht.

Të kërkojmë shfuqizimin e atyre dispozitave që bien në kundërshtim me Kushtetutën. Pse e them këtë z. President? Është shumë e habitshme z. President sepse referuar kompetencave që na kanë përcaktuar në ligjin “Për statusin e gjyqtarit”, ne nuk kemi të drejtë as të komandojmë një kryetar gjykate z. President”, ka pohuar anëtari, Neritan Cena.
 
 
1. Neni 162 i ligjit për statusin e gjyqtarëve, kompetencat e KLD

1. Deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe inspektoratet ekzistuese do të vazhdojnë të ushtrojnë

kompetencat e mëposhtme, sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj:

a) Emëron magjistratët kandidatë të diplomuar në vitin 2016, në përputhje me pjesën III, kreu II, të këtij ligji, të paktën dy muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji;
 
b) Merr vendim për caktimin në pozicion të kandidatëve magjistratë të diplomuar në vitin 2016, sipas pjesës III, kreu III, të këtij ligji, brenda tre muajve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji;

c) Vendos masa disiplinore, me propozim të Ministrit të Drejtësisë, bazuar në procedurën dhe kriteret që parashikohen në pjesën V, kreu I, të këtij ligji;

ç) Pezullon gjyqtarët, sipas procedurës dhe kritereve të parashikuara në ligj;

d) Mbikëqyr trajnimin e gjyqtarëve, sipas këtij ligji dhe ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;

dh) Kryen vlerësimin e punës, siç parashikohet në dispozitën kalimtare të këtij ligji, duke përfshirë edhe ndihmën në rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve, në bazë të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”;

e) Vendos masa disiplinore për inspektorët, bazuar në aktet nënligjore në fuqi;

ë) Vërteton ndërprerjen e emërimit, në rast dorëheqjeje dhe arritjes së moshës së pensionit;

f) Transferon përkohësisht gjyqtarë për plotësimin e trupave gjyqësorë në gjykata.

2. Neni 2 i ligjit për KLD, detyrat e Këshillit
I propozon Presidentit të Republikës emërimin e gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit. 

Vendos për shkarkimin e gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit.

Vendos për transferimin e gjyqtarëve.

Vendos për marrjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve

Kujdeset për kualifikimin e gjyqtarëve.

Vendos kriteret për vlerësimin e gjyqtarëve, kontrollon dhe garanton procesin e vlerësimit dhe shqyrton ankimet e gjyqtarëve për vlerësimin e tyre.

Emëron dhe shkarkon, kryetarët dhe zëvendëskryetarët e gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit.

Emëron dhe shkarkon inspektorët e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Kryen detyra të tjera të përcaktuara në ligj. 
 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Adi Krasta ka hyrë nën sqetullën e pushtetit në Kosovë

Adi Krasta ka hyrë nën sqetullën e pushtetit në Kosovë