Ligji i ri/ Si ndryshojnë shërbimet në gjendjen civile, gjoba që ‘ngrin’

Qeveria ka vendosur pezullimin e gjobave për qytetarët që nuk kanë deklaruar dhe nuk do të deklarojnë ndryshimin e vendbanimit. Ndryshimet në ligjin për gjendjen civile, të depozituara për miratim në Kuvend, parashikojnë pezullimin e gjobave për gjashtë muaj nga momenti i hyrjes në fuqi. Në vitin 2016, parlamenti miratoi disa ndryshime në ligjin për gjendjen civile, të cilat parashikon dënimin me gjobë me gjobë, në masën 10 000 lekë, dhe me pezullim të shërbimit deri në vjeljen e gjobës, të cilën e vendos dhe e vjel nëpunësi i gjendjes civile, për shtetasit që nuk deklaronin ndryshimin e vendbanimit.

Ligji parashikon që në rast ndryshimi të vendbanimit, apo kur një banesë nuk përdoret më për përdorim vetjak apo të familjes, ky ndryshim deklarohet në zyrën e gjendjes civile. Regjistrimi fillestar i vendbanimit apo ndryshimi i tij bëhet jo më vonë se 30 ditë nga ardhja në këtë vendbanim. I njëjti afat zbatohet edhe për deklarimin e banesave që nuk kanë statusin e vendbanimit. Qeveria propozon pezullimin e dënimit me gjobë për gjashtë muaj, për t’u dhënë një mundësi qytetarëve, sidomos atyre që jetojnë jashtë vendit. “Në nenin 11, të projektligjit, është parashikuar një dispozitë kalimtare, me qëllim pezullimin e masës së gjobës për një periudhë prej 6 muajsh, e cila, aktualisht, aplikohet ndaj shtetasve që nuk deklarojnë ndryshimin e vendbanimit, brenda afateve ligjore.

Vlera e gjobës, e cila u rrit ndjeshëm me ndryshimet ligjore të ligjit për gjendjen civile, në vitin 2016, nuk solli efektet e pritshme në ndërgjegjësimin e shtetasve për deklarimin e ndryshimit të vendbanimit. Pezullimi për gjashtë muaj i aplikimit të kësaj mase administrative konsiderohet një mundësi, shtysë tjetër për ndërgjegjësimin e atyre shtetasve që nuk kanë deklaruar vendbanimin aktual, përmendim këtu shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të cilët nuk kanë pasur informacionin e duhur për detyrimin ligjor të deklarimit të vendbanimit”, thuhet në relacionin shpjegues. 

Rregulli i ri 

Qytetarët shqiptarë nuk mund të marrin më një shërbim në zyrat e gjendjes civile jashtë territorit ku kanë vendbanimin. Në nenin 9 të projektligjit, është parashikuar një shtesë dhe një ndryshim në nenin 69, të ligjit. Në shkronjën “a”, është propozuar të shtohet paragrafi “dhe ofrojnë shërbimin e gjendjes civile për shtetas që kanë vendbanimin brenda juridiksionit territorial të tyre;”, me qëllim që të përcaktohet qartë se shtetasit e marrin shërbimin nga zyra e gjendjes civile ku janë regjistruar, pra ku realizohet lidhja e tyre me territorin. Në përmbajtje të dispozitave aktuale ky koncept nuk rezulton të jetë i shprehur qartë në ligj. Ky parashikim duket se bëhet me qëllim për të nxitur qytetarët që të deklarojnë ndryshimin e vendbanimit si dhe vendbanimin real. 

Për emigrantët 

Projektligji parashikon që emigrantët mund të marrin vetë shërbime në gjendjet civile të vende të huaja, duke shmangur Ministrinë e Jashtme. Konkretisht në nenin 2 të projektligjit propozohet që aktet e lindjes, të martesës etj., të mbajtura nga shërbimi i gjendjes civile të vendeve të huaja, mund të paraqiten në zyrën e gjendjes civile në bashki / njësi administrative edhe nga vetë shtetasit.” Në ligjin aktual në fuqi parashikohet që aktet e martesës, të mbajtura në postet konsullore, si dhe deklarimet e lindjes e të vdekjes, të mbajtura në shërbimin e gjendjes civile të vendeve të huaja, për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, përcillen periodikisht, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, e cila ia dërgon për regjistrim zyrës së gjendjes civile përkatëse. Duke qenë se një numër i madh shtetasish shqiptarë jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe përcjellja e të gjitha akteve për fakte juridike të ndodhura jashtë vendit për këta shtetas do të ngadalësonte këtë proces, aktet e mbajtura nga shërbimi i gjendjes civile i vendit të huaj mund të paraqiten edhe nga vetë shtetasit. Pasqyrimi dhe përditësimi i të dhënave do të bëhet drejtpërdrejt nga nëpunësit e zyrave të gjendjes civile në bashki / njësi administrative.

Gjobat 

Qeveria ka vendosur pezullimin e gjobave për qytetarët që nuk kanë deklaruar dhe nuk do të deklarojnë ndryshimin e vendbanimit. Ndryshimet në ligjin për gjendjen civile parashikojnë pezullimin e gjobave për gjashtë muaj nga momenti i hyrjes në fuqi.

Rregulli i ri 

Qytetarët shqiptarë nuk mund të marrin më një shërbim në zyrat e gjendjes civile jashtë territorit ku kanë vendbanimin. Ky parashikim duket se bëhet me qëllim për të nxitur qytetarët që të deklarojnë ndryshimin e vendbanimit si dhe vendbanimin real. 

Ndryshimet në ligjin për gjendjen civile 

Neni 1
Në pikën 7, të nenit 2, pas fjalëve “... janë emrat ...”, shtohen fjalët “... dhe mbiemrat ....”.

Neni 2
Pas pikës 3, të nenit 27, shtohet pika 3/1, si më poshtë vijon: “3/1. Aktet e lindjes, të martesës dhe të vdekjes, të mbajtura nga shërbimi i gjendjes civile të vendeve të huaja, mund të paraqiten në zyrën e gjendjes civile në bashki/njësi administrative edhe nga vetë shtetasit.”.

Neni 3
Në pikën 2, të nenit 33, fjalia e parë ndryshohet, me këtë përmbajtje: “Regjistri Kombëtar administrohet nga institucioni përgjegjës, i përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 4
Në nenin 36 bëhen këto ndryshime dhe shtesa: Titulli i nenit ndryshohet dhe bëhet “Plotësimet dhe korrigjimet në Regjistrin Kombëtar”; Pas shkronjës “c” shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje: “Për korrigjimin si gabim të provuar material të rubrikës së emrit, mbiemrit, emrit të babait, emrit të nënës, ndiqet procedura e parashikuar në nenin 57/7 e vijues të këtij ligji.”.

Neni 5
Në fjalinë e tretë, të pikës 1, të nenit 60, hiqet fjala “... administron ...”.

Neni 6
Pas nenit 64 shtohet neni 64/1, si më poshtë vijon:

“Neni 64/1. Marrëdhënia e punës së nëpunësit të shërbimit të gjendjes civile Marrëdhënia e punës së nëpunësit të shërbimit të gjendjes civile në bashki/njësi administrative dhe në zyrat e arkivit të gjendjes civile pranë prefektit të qarkut rregullohet sipas dispozitave të Kodit të Punës.”.

Neni 7
Shkronja “c”, në nenin 65, shfuqizohet.

Neni 8
Në pikat 2 dhe 3, të nenit 68, hiqen fjalët “... njësisë administrative ...”.

Neni 9
Në nenin 69 bëhet shtesa dhe ndryshimi, si më poshtë vijon: 1. Në shkronjën “a”, në fund të fjalisë shtohen fjalët “... dhe ofrojnë shërbimin e gjendjes civile për shtetas që kanë vendbanimin brenda juridiksionit territorial të tyre;”;

2. Shkronja “dh” ndryshon, me këtë përmbajtje: “dh) informojnë kryetarin e bashkisë/njësisë administrative si dhe zyrat e arkivit të gjendjes civile pranë prefektit të qarkut për veprimtarinë e tyre, sipas kërkesës së tyre.”.

Neni 10
Në nenin 72, fjalët “... regjistrat e gjendjes civile ...” zëvendësohen me “... Regjistrin Kombëtar ...”.

Neni 11
Dispozitë kalimtare
Gjoba e parashikuar për shkeljen ose mosrespektimin e dispozitës së përcaktuar në shkronjën “ç”, të pikës 1, të nenit 74, të ligjit nr. 10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar, pezullohet për 6 muaj, nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pavlin: 28/05/2019 12:59

    Si qendron problemi i vendbanimit per shtetasit shqitare qe kane dyshtetesi qe kane dy vend banime ne fakte jetojne jashte.

    Përgjigju
  • Azbi: 05/10/2018 14:14

    Sa afat ka ky ligj per kalim ne gjob

    Përgjigju
  • Meri: 16/09/2018 09:07

    Ndryshimi i gjendjes civile te shtetasve do te thote edhe ndryshimi i pashaportizimit te tyre?!!! Me sa duket per shume arsye qytetareve shqiptare nuk u duket e drejte nje gje e tille. Mendoj se do te ishte me mire, qe nese qytetaret nuk duan ta ndryshojne ate, te pakten me ligj te parashikohet qe vendbanimi i ri (nje zyre tjeter e gjendjes civile, adresa e banimit ne nje qytet tjeter te ndryshem nga ai i gjendjes civile te meparshme, te rregjistrohet me nje deklarate noteriale me format tip te nxjerre nga Zyra e pergjithshme e gjendjes civile, nga qytetari prane gjendjes civile ku ai banon aktualisht dhe gjendja civile e fundit, t'a shtoje elektornikisht ne adreses e certifikates se pare te pashaportizimit te qytetit tjeter ose ne nje rregjister te vecante. Keshtu edhe qytetaret do te marrin sherbimet e gjendjes civile kudo qe jetojne edhe zyrat e gjendjes civile do te dine adresen e sakta aktuale te shtetasve shqiptare.

    Përgjigju
    • Eneida: 23/10/2018 22:24

      Po roli i noterit ku hyn ketu?? Kjo qe thua ti nuk behet sepse ti nuk jeton 3 dit ne nje qytet 3 dite ne nje tjeter. Ligji te detyron ta deklarosh pasaportizimin aty ku ti banon per me te shumten e kohes, aty ku ke vendin e ndodhjes se punes vendin e realizimit te aktiviteteve dhe interesave te tua. Vendodhja faktike do pasqyrohet edhe ne zgjc. Sa i perket propozimit tuaj ekziston nje mundesi e deklarimit te vendqendrimit te perkohshem qe ti pavarsisht se jeton ne nje qytet dhe ke banesen tende aty, aty dhe ku figuron banore me dokumentacion, mundet te levizesh perkohesisht per shkak te studimeve, kurimit afatgjate ne institucione shendetsore ose denimit per shkak te kryerjes se vepres penale ne nje qytet tjeter ku sipas percaktimeve ne ligj duhet ta deklarosh si vendbanim te perkohshem prane zyres se gjendjes civile qe ka ne juridiksion territorial vendin ku ti po qendron per sa thash me siper. Kjo do te thote qe do marresh sherbim nga ajo zyre ku ke deklaruaf vendqendrimin.

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

'Klanet, korrupsioni dhe arroganca e organizatorëve!', Barrikada FC tërhiqet nga çdo garë e FSHF dhe Sunday League Albania

'Klanet, korrupsioni dhe arroganca e organizatorëve!', Barrikada FC tërhiqet nga çdo garë e FSHF dhe Sunday League Albania