PS dhe LSI gjejnë dakordësinë për ligjin e kamerave të sigurisë. Tashmë nuk do ët jetë më e detyrueshme vendosja e kamerave në çdo institucion publik e privat, por kjo do të përcaktohet rast pas rasti.
 
Kjo u vendos gjatë negociatave në zyrën e kreut të Komisionit të Sigurisë Kombëtare Spartak Braho, mes tij, ministrit Tahiri, kreut të grupit të LSI-së Vasili dhe deputetit Pirro Lutaj.
 
Takimi zgjati fare pak , por sipas Vasilit mjaftueshëm për eliminuar nga drafti elementet që mund të keqpërdoren dhe të cënojnë pavarësinë.
 
"Dakordësimi është ky, nuk do të ketë një detyrim automatik për të gjithë, por detyrim që rrjedh vetëm aty ku vlerësohet, pas analizës së riskut aty ku vlerësohet se ka rrezik të shtuar përsa i përket sigurisë. Do të ketë një analizë profesionale të riskut të shtuar dhe mbi këto do të merret vendimi" tha Vasili. 

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri e konsideron të domosdoshëm ligjin për vendosjen e kamerave në ambientet publike. Pas takimit të zhvilluar me kryetarin e grupit parlamentar të LSI dhe anëtarët e Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Tahiri tha se në ligj do reflektohen të gjitha vërejtjet dhe miratimi i tij do bëhet të enjten e ardhshme.
 
"E ndjej detyrim madhor timin, në kuadër të detyrës që bëj dhe respektit që kam ndaj çdo deputeti në Kuvend, që të punoj me çdo deputet, veçanërisht me aleatët tanë në qeverisje, për të bërë çdo gjë të mundur që projektligji të përputhet me të gjitha standardet dhe çdo shqetësim të reflektuar nga çdo deputet.
 
Jemi në detyrë për të përmbushur çdo shqetësim që kanë ligjvënësit, në mënyrë që të gjithë bashkë të garantojmë qytetarëve të republikës së Shqipërisë qytete dhe lagje sa më të sigurta.
 
Ky ligj shtron bazat për të pasur masa paraprake të cilat do të dekurajojnë ngjarjet kriminale. Jam shumë besimplotë se me deputetët do të gjejmë gjuhën për ta miratuar, jo këtë të enjte, por të enjten tjetër, projektligjin për masat shtesë të sigurisë. Është një projektligj i domosdoshëm, jemi të fundit në Ballkan që nuk kemi ende një ligj të tillë.
 
E mirëkuptoj me shumë dashamirësi, vërejtjet e çdo deputeti dhe jam gatshëm t'i marr parasysh. Jemi ulur e kemi punuar siç na takon në një parlament e republikë demokratike, për të bërë gjithçka të nevojshme për të garantuar qytetarët"
, u shpreh Tahiri.  

6 muaj më parë Presidenti i Republikës ktheu mbrapsht ligjin për kamerat e sigurisë në Kuvend duke e cilësuar antikushtetues.
 
Edhe LSI kishte vërejtjet e saj përsa i përket faturës financiare tek buxheti i shtetit dhe financat e privatëve që detyrohen ët blejnë kamerat.
 
Për shkak të mos dakordësisë mes këtyre forcave, rrëzimi i dekretit të Presidentit është prej muajsh. As seancën e kësaj të enjte nuk do të hidhet në votë, pasi grupi negociator ka rënë dakord të marrë dhe një javë kohë.
 
Komisioni sigurisë do të bëjë ndërhyrjet në draft I cili do të votohet I redaktuar , në 22 shator së bashku me rrëzimin e dekretit të nishanit.

tahiri

tahiri
Tahiri duke hyrë në kryesinë e kuvendit