Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, është shprehur se Shqipëria po përgatit ligjin që dekriminalizon shpifjen për gazetarët.

Komentet Gogu i bëri në një Konferencë për mediat me temë ‘faza e re e negociatave me Bashkimin Europian dhe angazhimi politik e qytetar për t’ia dalë mbanë’.

Gogu tha gjithashtu se ligji për median audiovizive do të bëhet për më shumë transparencë për median, në mënyrë që sipas tij publiku të kuptojë kush janë pronarët e madiave dhe kush fshihet pas tyre si financues.

“Zakonet ligjore, zakonet parlamentare duhet të fillojnë të mbizotërojnë në jetën shoqërore dhe shtetërore të vendit. Kryenegociatorja Dhuka bëri një parashtrim të kornizave kryesore, unë po shkoj drejtpërsëdrejti për të mos humbur kohë. Një pjesë e rëndësishme ka të bëjë me rolin tuaj dhe median në përgjithësi.

Nisim me ligjin për median audiovizive ku rrisim transparencën. Platforma për mediat ka filluar nga puna dhe po përmirëson dhe sjell propozime konkrete për nismat ligjore. Kjo ka të bëjë me transparencën drejtpërsëdrejti të mediave. Publiku kërkon të dijë qoftë pronësinë apo se cili qëndron pas mediave. Fuqizimi i medias përsa i përket rolit jetik që media ka, do të vijë përmes këtij ligji.

Por ka të bëjë edhe rolin dhe mrojtjen tuaj si gazetarë, në atë mision jetik për demokracinë dhe ka të bëjë me dekriminalizimin e shpifjes. Gazetarët do të jenë tërësisht të çliruar nga barra e shpifjes, kuptohet kur ajo bëhet në mirëbesim, ndërsa ju përpiqeni të pasqyroni zhvillime e fundit. Këto janë një nga gurët e themelit të paketës ligjore”, tha mes të tjerash Gogu.


Lajmi kryesor:

Rruga drejt BE, Dhuka: Kushtet për integrimin duhet të plotësohen deri në fund të 2027-ës, 12 nisma ligjore të rëndësishme në Kuvend