Portet turistike mund të jepen sërish pa garë. Kështu paralajmëroi të dielën deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, duke komentuar një propozim të ri ligjor për portet turistike që mban firmën e deputetes socialiste Zamira Sinaj.
Sipas Tabakut, skema është e qartë: kush ka marrë statusin “investitor strategjik”, mund të marrë edhe portin, pa procedurë konkurruese. Deputetja demokrate thotë se kjo bie ndesh edhe me angazhimin e qeverisë për ta shfuqizuar Ligjin për Investimet Strategjike në kuadër të procesit të integrimit europian.
“Këdo që të pyesësh sot se çfarë është ligji i investimeve strategjike, të gjithëve iu kujtohet ligji që ndan porte, aeroporte e fshatra turistike pa garë. Veç këtij ligji, mazhoranca ka sjellë edhe një ligj tjetër të porteve strategjike. Kushdo që ka marrë investim strategjik tani do të ketë të drejtë ta marrë edhe portin pa garë. Pa garë e para dhe pa garë e dyta. Megjithëse qeveria shqiptare ka marrë angazhimin edhe si rezultat i procesit të integrimit që ta shfuqizojë ligjin për investime strategjike, ata përsëri vazhdojnë bëjnë ligje që bien ndesh edhe me procesin e integrimit dhe interesat e qytetarëve shqiptarë,” shprehet ajo në një video në Facebook.
Sipas saj, ndërkohë që flitet për afrimin me BE-në, po shtohen ligje që, në praktikë, përqendrojnë asetet në pak duar.
“Sot në ekonominë shqiptare nuk ka garë. Një biznes normal nuk ka mundësi të futet në një garë dhe ta fitojë atë. Ose ndahen si investime strategjike, ose nëpërmjet tenderave e koncesioneve në pak duar, ose jepen pa procedurë, siç po pretendohet me portet. Kjo e ka shkatërruar ekonominë shqiptare. Pastaj dëgjojmë përralla për investime të huaja. Si mund të vijnë investimet e huaja kur nuk ka garë?” tha Tabaku.
Aktualisht, ligji për portet turistike parashikon që ndërtimi i tyre të bëhet përmes procedurës së koncesionit. Me ndryshimin e propozuar, subjektet që kanë statusin e investitorit strategjik mund të përjashtohen nga ky detyrim.
Investitorët strategjikë përfitojnë një sërë lehtësish: përjashtime nga disa taksa, procedura të përshpejtuara dhe mbështetje nga shteti me infrastrukturë, si rrugë, energji apo kanalizime. Një pjesë e tyre kanë marrë edhe shfrytëzimin e zonave bregdetare me vlerë simbolike 1 euro për disa dhjetëvjeçarë. Me propozimin e ri atyre u shtohet edhe një avantazh tjetër.
Komente










Kjo hajdutja kriminelja qe drejtoj protesten e 20 Shkurtit duke mbeshtetur dhunen nuk ka asnje te drejt me te flasi nga kuvendi i popullit .Te hapet dhe te hetohet urgjentisht dosja e saj ne Spak dosja e Sude Tabakut oligares miliarderes qe ka ncjerr gjithe grabitjet e Berishes nga Shqiperia .Ne karrigen e saj duhet te ulet Flutra Acka.
Përgjigju