Gjatë seancës së sotme plenare Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) kërkoi votimin për “Projektligjin e Rinisë”, një ligj i cili sipas saj për herë të parë do të krijojë mekanizmat për fuqizimin e plotë të rinisë. Sipas Ministres Shahini, falë këtij ligji rregullohet mbështetja e organizimit rinor, përfaqësimi i rinisë në vendimmarrje dhe financimi publik i aktiviteteve rinore: “Ligji përcakton ‘Rininë’, personat nga mosha 15-29 vjeç. Identifikon 2 kategoritë e organizimit rinor: organizatat rinore, të përbëra nga të rinj dhe organizatat për të rinj që zbatojnë projekte dhe aktivitete të cilat kanë në fokus të rinjtë. Për herë të parë mundëson financimin publik të tyre”, shprehet ajo. Ndër të tjera, Ministrja Shahini nënvizon faktin se ky ligj është i ndërtuar mbi parime bazë: ai i mosdiskriminimit; parimi i lirisë së organizimit të iniciativave rinore dhe i vetëqeverisjes së organizatave; si dhe parimin e mundësive të barabarta dhe garantimit të pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse në fushat që inkurajojnë zhvillimin e të rinjve.
Për sa i përket pjesëmarrjes, Ministrja Shahini thekson se ajo do të sigurohet përmes themelimit të dy institucioneve të reja: a) Këshilli Vendor Rinor – pranë secilës bashki me përbërje nga të rinjtë (e përzgjedhur nga vetë organizata dhe miratuar nga bashkitë) dhe të përfaqësuesve përkatës që merren me politikat rinore në nivel bashkiak; b) Këshilli Kombëtar Rinor – pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin, me përbërje nga të rinjtë (të përzgjedhur nga vetë organizata rinore) dhe përfaqësues të ministrive të tjera përkatëse për politikat rinore. “Këto dy këshille do të propozojnë prioritetet e politikave rinore që duhen zbatuar nga bashkitë dhe ministria; propozojnë orientimin e buxhetit drejt këtyre politikave; marrin pjesë në hartimin e strategjisë së rinisë dhe bëjnë monitorimin e strategjisë së rinisë”, tha ajo. Në fund të fjalës së saj, Ministrja Shahini nënvizon se nëpërmjet këtij ligji synohet rritja e përfaqësimi i të rinjve shqiptarë në vendimmarrje dhe mbështetja e vetë-organizimit të të rinjve sipas interesave të tyre duke mundësuar financimin publik të nismave të tyre.
Por deputeti opozitar Ralf Gjoni kritikoi projektligjin që është parashikuar të miratohet sot në Kuvend. "Në këtë ligj nuk përmendet fjala punësim. Ligji synon ta kthejë vendin 30 vite pas duke synuar ta kthejë rininë në militante të partive. Të zgjedhurit e PS-së do të diktojnë fondet për rininë. Të dashur shqiptar, kjo qeveri nuk e çan kokën për ju, kujdeset për tepsinë dhe kazanin. Kush janë ka fajin sot Ramës, Meta apo Berisha, tepsinë e ka për vete të gjithë. Këta po mundohen ta fusin rininë në legen. Është e turpshme të flasim për rininë, kur rinia e ka humbur shpresën, prandaj do të luftojmë për sistemin zgjedhor që të rinjtë të hapen dyert jo si militantë" tha ai. Në fund ai sulmoi edhe Lulzim Bashën që ka nisur një tur takimesh në vend me të rinjtë. "Flasin për ture shprese por janë tregtar të shpresës, këta nuk kanë cfarë të tregojnë tjetër përveç shpresës se edhe atë ua kanë vrarë" përfundoi ai.
Lajmi kryesor: