TIRANE-Prej orës 10:00 u zhvillua seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa në rendin e ditës janë disa cështje të rëndësishme, nga interpelanca lidhur me çështjen e Alvinit, 11-vjeçarit të mbyllur në kamp në Siri, pas kërkesës së tetë deputetëve të opozitës, por edhe akti normativ për buxhetin e taksat vendore dhe projektligjin për Rininë. Opozita kërkoi në interpelancë ministrin e Jashtëm, post që e mban kryeministri, por Edi Rama ia delegoi ministres së Shtetit Elisa Spiropali, kjo solli edhe një debat mes kryetarit të Kuvendit dhe deputetit të opozitës Andi Përmeti që i drejtoi pyetjet. Përsa i përket fatit të fëmijës, por edhe të tjerëve që ishin në Siri dhe tani ndodhen në kamp, Spiropali tha se u tentua një operacion për t'i kthyer në gusht, por pas ndezjes së konfliktit operacioni ngriu. Ajo tha se gjithsej janë 28 fëmijë shqiptarë.
Rendi i ditës
Interpelancë me Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, kërkuar nga 8 deputetë të opozitës
Akt normativ “Për buxhetin e vitit 2019"
Akt normativ “Për sistemin e taksave vendore”
Projektligji “Për rininë”
Projektligji “Për aderimin në Konventën Ndërkombëtare për Luftën Kundër Falsifikimit të Monedhës"
Alvin Berisha me të atin
Gjatë seancës së sotme plenare Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) kërkoi votimin për “Projektligjin e Rinisë”, një ligj i cili sipas saj për herë të parë do të krijojë mekanizmat për fuqizimin e plotë të rinisë. Sipas Ministres Shahini, falë këtij ligji rregullohet mbështetja e organizimit rinor, përfaqësimi i rinisë në vendimmarrje dhe financimi publik i aktiviteteve rinore: “Ligji përcakton ‘Rininë’, personat nga mosha 15-29 vjeç. Identifikon 2 kategoritë e organizimit rinor: organizatat rinore, të përbëra nga të rinj dhe organizatat për të rinj që zbatojnë projekte dhe aktivitete të cilat kanë në fokus të rinjtë. Për herë të parë mundëson financimin publik të tyre”, shprehet ajo. Ndër të tjera, Ministrja Shahini nënvizon faktin se ky ligj është i ndërtuar mbi parime bazë: ai i mosdiskriminimit; parimi i lirisë së organizimit të iniciativave rinore dhe i vetëqeverisjes së organizatave; si dhe parimin e mundësive të barabarta dhe garantimit të pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse në fushat që inkurajojnë zhvillimin e të rinjve.
Për sa i përket pjesëmarrjes, Ministrja Shahini thekson se ajo do të sigurohet përmes themelimit të dy institucioneve të reja: a) Këshilli Vendor Rinor – pranë secilës bashki me përbërje nga të rinjtë (e përzgjedhur nga vetë organizata dhe miratuar nga bashkitë) dhe të përfaqësuesve përkatës që merren me politikat rinore në nivel bashkiak; b) Këshilli Kombëtar Rinor – pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin, me përbërje nga të rinjtë (të përzgjedhur nga vetë organizata rinore) dhe përfaqësues të ministrive të tjera përkatëse për politikat rinore. “Këto dy këshille do të propozojnë prioritetet e politikave rinore që duhen zbatuar nga bashkitë dhe ministria; propozojnë orientimin e buxhetit drejt këtyre politikave; marrin pjesë në hartimin e strategjisë së rinisë dhe bëjnë monitorimin e strategjisë së rinisë”, tha ajo. Në fund të fjalës së saj, Ministrja Shahini nënvizon se nëpërmjet këtij ligji synohet rritja e përfaqësimi i të rinjve shqiptarë në vendimmarrje dhe mbështetja e vetë-organizimit të të rinjve sipas interesave të tyre duke mundësuar financimin publik të nismave të tyre.
Por deputeti opozitar Ralf Gjoni kritikoi projektligjin që është parashikuar të miratohet sot në Kuvend. "Në këtë ligj nuk përmendet fjala punësim. Ligji synon ta kthejë vendin 30 vite pas duke synuar ta kthejë rininë në militante të partive. Të zgjedhurit e PS-së do të diktojnë fondet për rininë. Të dashur shqiptar, kjo qeveri nuk e çan kokën për ju, kujdeset për tepsinë dhe kazanin. Kush janë ka fajin sot Ramës, Meta apo Berisha, tepsinë e ka për vete të gjithë. Këta po mundohen ta fusin rininë në legen. Është e turpshme të flasim për rininë, kur rinia e ka humbur shpresën, prandaj do të luftojmë për sistemin zgjedhor që të rinjtë të hapen dyert jo si militantë" tha ai. Në fund ai sulmoi edhe Lulzim Bashën që ka nisur një tur takimesh në vend me të rinjtë. "Flasin për ture shprese por janë tregtar të shpresës, këta nuk kanë cfarë të tregojnë tjetër përveç shpresës se edhe atë ua kanë vrarë" përfundoi ai.
Deputetja Rudina Hajdari u shpreh gjatë fjalës së saj në Kuvend se askush nuk mban përgjegjësi për ngjarjet që ndodhin. Ajo përmendi ngjarjen e tre ditëve më parë ku iu bë atentat prokurorit të Durrësit Arian Ndoja, por edhe vrasjen e gjyqtares Fildes Hafizi duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po heq përgjegjësinë nga vetja.
"Kush e ka fajin sot që një prokuror qëllohet me kallashnikov në mes të rrugës, që një grua gjyqtare u vra në rrugë edhe kur kërkoi të mbrohej nga ligji. Kush e ka fajin që janë hequr më shumë se gjysma nga sistemi. Kush e ka fajin që askush nuk ka besim tek sistemi i drejtësisë dhe se persona të lidhur me botën e krimit kanë mbështetjen për t'u futur në dyert e bashkive. Kush e ka fajin që këto rrjete kriminale nuk janë në gjendje të kontrollohen dhe sot nuk e lënë vendin të përparojë. Kush e ka fajin që akoma një ligj zgjedhor që garanton vetëm votën e listës. Zoti kryeministër, dil njëherë dhe mbaj përgjegjësi për një nga këto pika. Sot nuk ke të blesh dhe shesësh më, ke vetëm veten tënde nuk ke asnjë alibi që të mbrojë. Sot je vetëm lakuriq para shqiptarëve pa asnjë shpresë dhe pa shënuar asnjë arritje në 6 vitet e fundit, ke kabinetin më të dobët me performancë të dobët që nuk ka bërë asgjë. Ke një vend të varfër, ku 30 % e popullsisë nuk shtyjne dot muajin, kurse shtresa më e vyer e shoqërisë që po largohet", u shpreh Hajdari.
Kryetarja e Grupit Parlamentar Demokrat Rudina Hajdari është shprehur sot në Kuvend kundër propozimit të ministrisë së Arsimit për krijimin e një parlamenti rinor. Ajo tha se ky projektligj i trajton të rinjtë si një shtresë e margjilizuar dhe nuk është i bauzuar në asnjë platformë ndërkombëtare.
"Kabineti qeveritar ka propozuar një projektligj për të rinjtë që ju nuk e keni idenë. Ministria përkatëse është munduar ta përdorë si një propagandë të radhës për t'iu joshur me një gjë boshe. E para ky projektligj ka dy vjet që sorollatet në korridoret e komisioneve sepse ka patur një luftë. Ministria nuk ka marrë asnjë lloj mendimi nga shoqëritë civile që merren me këtë punë. Ai thotë se do përkujdeset për rininë dhe për rininë që jeton në diasporë. Por në të nuk ka asnjë rresht për të rinjtë që jetojnë në diasporë.Ky projektligj nuk është i bazuar në asnjë platformë ndërkombëtare. Edhe në vendet ku është aplikuar ka rezultuar i pasuksesshëm. Ky është një dështimi i radhës i qeverisë. Të dashur studentë më thoni çfarë prisni nga një kryeministër që iu keqtrajton që sillet në mënyrë vulgare me ju. Kush e ka fajin që ju nuk jeni më në prioritetin e tyre. Ju jeni 30% e kësaj shoqërie dhe nuk jeni një shtresë e margjinalizuar", u shpreh Hajdari.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj në Kuvend u ka kthyer përgjigje të gjithë kritikëvë të koncensionit të sterilizimit, duke theksuar se nuk ka asnjë vonesë për ndërhyrjet kirurgjikale më instrementat e rinj.
“Asnjë ankesë, nga asnjë qytetar nuk ka sot për vonesa në shërbimin e kirurgjisë me instrumentat e rinj kirurgjikalë. Por për ata që flasin, kush nga padija dhe kush nga ligësia i informoj se ky koncesion, nuk është koncesioni i veglave të kirurgjisë, por ka lidhje me ofrimin e shërbimit të plotë të sterilizimit dhe dua të siguroj qytetarët se asnjë vonesë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë për ndërhyrjet operatore, qoftë kur janë urgjente, gjithashtu dhe për pjesën tjetër të ndërhyrjeve të planifikuara të cilat janë duke u realizuar sipas të gjitha procedurave, me instrumentet e rinj kirurgjikalë, në të gjithë spitalet e vendit”, tha Manastirliu në Kuvend.
Në fjalën e saj në Kuvend, Manastirliu tha se vetëm në 10 muajt e parë të këtij viti më shumë se 47 mijë qytetëarë kanë kryer ndërhryje me standarde bashkëkohore, duke theksuar dhe investimet e kryera në 9 centralet e sterilizimit.
“47 mijë pacientë kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale me standarde të larta, me siguri të lartë. 7.3 % më shumë ndërhyrje të kompleksitetit të lartë së një vit më parë. 12 % ndërhyrje kirurgjikale më shumë të kompleksitetit të mesëm së një vit më parë. Më shumë se 9 centrale sterilizimi janë investuar në spitalet rajonale të vendit. Më shumë se 90 mijë sete instrumentash kirurgjikalë sot përdorin mjekët tanë kirurgë”, u shpreh ministrja.
Në fjalën e saj në Kuvend ministrja është shprehur se buxheti për 2019 është buxheti i qytetarëve pasi ka përmbushur nevojat e tyre në të dy sektorët. Mnastirliu theksoi se 450 mijë qytetarë janë përfitues të drejtpërdrejtë të shërbimit të përmirësuar në 100 qendrat e rindërtuara të kujdesit parësor. Janë më shumë se 499 mijë qytetarë të siguruar ose jo kanë përfituar nga paketa e barnave të rimbursueshe. Gjithashtu ministrja u ndal edhe tek bonus i bebes dhe ndihma ekonomike që vijnë në ndihmë të drejtëpërdretë të familjeve shqiptare, për 30 mijë fëmijë në vit.
Manastirliu u ndal edhe tek programet e tjera të mbrojtjes sociale, duke theksuar 63,860 familje në nevojë kanë përfituar pagesën e plotë të ndihmës ekonomike, e cila deri dje jepej si lëmoshë, e copëzuar prej abuzimeve e politikës së mbrapshtë. Buxheti 2019 është rritur me 300 milion lekë më shumë për aftësinë e kufizuar, për implementimin e reformës së aftësisë së kufizuar, nga e cila do të përfitojnë më shumë qytetarë.
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj shpjegoi nga foltorja e Kuvendit në seancën e sotme plenare aktin normativ të buxhetit me ndryshimet që do të rrjedhin nga rishpërndarja e fondeve te ministritë. Denaj u shpreh se ngadalësimi ekonomik ka bërë që të korrigjojmë edhe ritmin e rritjes ekonomike të këtij viti në 3.4%. "Sigurisht kjo do të sjellë një efekt negativ edhe në nivelin e të ardhurave ndaj parashikimit. Në vitet e fundit borxhi publik neto është reduktuar nga niveli më i lartë prej 71.9% i regjistruar në vitin 2015. Në 64% i pritshëm për vitin 2019" tha ajo. Ndër sektorët që sipas ministres Denaj kanë shënuar performance të ulët janë ai i energjisë elektrike dhe ai i argëtimit dhe shlodhjes ku bëjnë pjesë lojërat e fatit me minus 1.6%, krahasuar me një vit më parë. Rritja në gjysmën e parë të vitit është gjeneruar nga rritja e kërkesës së brendshme specifikisht nga konsumi si dhe nga eksportet neto të shërbimeve, të cilat reflektojnë një performance mjaft të mirë të turizmit.
Por ku po shkojnë fondet që janë rishpërndarë nga akti normativ? Ministrja tha se ndër të tjera u alokuan burimet e nevojshme shtesë njerëzore dhe financiare për disa institucione të reja të vetingut dhe konkretisht SPAK dhe Byroja e Hetimit. "Ky akt normativ alokoi burimet e nevojshme shtesë njerëzore dhe financiare për disa institucione të reja të Vetingut dhe konkretisht SPAK dhe Byroja e Hetimit, kemi akomoduar organikën e re prej 100 punonjës shtesë dhe një buxhet total prej 66 milionë lekë shtesë.
Inspektorati i Lartë i Drejtësisë kemi akomoduar organikën e re prej 40 punonjësish me një buxhet prej 10 milionë lekë për periudhën tetor-dhjetor 2019. Prokuroria e Përgjithshme buxhet shtesë 600 milionë lekë, shpenzime për personel. Këshillit të Lartë Gjyqësor buxhet shtesë 400 milionë lekë shpenzime personeli. Këshillit të Lartë të Prokurorisë i akordohen 65 punonjës shtesë dhe një buxhet prej 88 milionë lekë për shpenzime korente dhe 20 milionë lekë investime. Këshillit të Lartë Gjyqësor i akordohen 54 punonjës shtesë dhe një buxhet 62 milionë lekë shpenzime korente dhe 20 milionë lekë. Gjykatës së Lartë i akordohet fond shtesë 13 milionë lekë shpenzime korente”.
Me aktin e ri normativ, Denaj theksoi se ministrisë së Brendshme i kalojnë 450 mln lekë për orët jashtë orarit për efektivët e Policisë së Shtetit dhe ushqim & orë pune Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë/Kursantet. Gjithashtu Bashkia Tiranë 1 miliardë lekë për avancimin e punimeve për projektin e “Bulevardit Verior dhe Rehabilitimit të Lumit të Tiranës”.
Akti Normativ sipas Denajt, do t’i japë zgjidhje disa problematikave të hasura gjatë implementimit të deritanishëm të buxhetit të shtetit, duke ruajtur të pandryshuar nivelin e planifikuar të parametrave kryesorë makroekonomikë, por duke garantuar financimin e nevojave të pushtetit vendor, garantimin e financimit të fondit rezervë të buxhetit të shtetit për përballimin optimal të situatës emergjente, si dhe rritjen e eficencës së përdorimit të burimeve publike nëpërmjet rialokimeve mes zërave të shpenzimeve.
Realizimi i buxhetit mbetet në përputhje me objektivat, tha ministrja, që shtoi se të ardhurat në total janë 3.7% më shumë se në 9-mujorin e një vit imë parë. "Të ardhurat nga doganat janë 2.5% më shumë dhe të ardhurat nga tatimet 4.6% më shumë”, deklaroi Denaj. Por a do të ketë shpërblim në fund të vitit për pensionistët? Këtë gjë ministrja nuk di ta thotë me siguri. "Pensionet këtë vit janë rritur 2.8%. Ajo që po analizohet është bonusi, dhe ne nuk kemi dhënë një përgjigje përfundimtare. Ne jemi duke e analizuar situatën dhe do shpresojmë që ta akordojmë fondin e shpërblimit për në fundvit. Pushteti vendor ka rritje të konsiderueshme të ardhurave, dhe kjo tregon që nismat e ndërmarra kanë qenë efektive.
Por shlyerja e detyrimeve të detyrimeve të prapambetura është gjëja e parë që duhet të bëjë çdo bashki" përfundoi ajo. Me ministren për Aktin Normativ replikoi deputeti opozitar Myslim Murrizi duke u ndalur te borxhi publik. “Borxhi publik shkon 69.9% dhe jo 67.1%, pra është rreth 2.9% më i lartë nga ai i deklaruar nga qeveria. I bie që shqiptarët të kenë sot rreth 10 miliardë euro borxh ose nga 3000 euro borxh për frymë” tha Murrizi. “Nuk na thuhet se kujt po i hiqen konkretisht fondet. Pra kujt i ishin planifikuar rreth 25-26 milionë euro që do ti jepnit më parë, nga lëvizin këto para që ishin planifikuar për x ministri dhe që po i shpërndani sot” u shpreh Murrizi.
Fjala e plotë e ministres Anila Denaj
Në prezantimin e sotëm të Aktit Normativ Nr. 2 “Për disa ndryshime në Ligjin për Buxhetin e vitit 2019”, më lejoni ta filloj së pari me një përmbledhje të shkurtër të zhvillimeve makroekonomike gjatë këtij viti, si dhe perspektivën në vijim. Pavarësisht një ngadalësimi të rritjes ekonomike në gjysmën e parë të vitit për shkak të disa faktorëve të luhatshëm dhe të përkohshëm, sektorët kryesorë të ekonomisë vazhdojnë të përmirësohen. Konkretisht, sektorët që kanë shënuar rritje të qenësishme pozitive në tremujorin e dytë të këtij viti, me kontribut më të lartë pozitiv, janë:
- Industria nxjerrëse, ajo përpunuese (përveç energjisë elektike), me 15.6% rritje’
- Industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve me 4.4% rritje, ajo e produkteve të drurit dhe letrës me 15.6 % rritje;
- Rritje të qenësishme që varion nga 4.8 në 13.9% pati në pjesën më të madhe të sektorit të shërbimeve, që nga akomodimi dhe shërbimi ushqimor, transporti, komunikacioni, aktivitetet financiare dhe ato të pasurive të paluajtshme.
Performancë të ulët kanë shënuar sektori i energjisë elektrike dhe atij të “argëtim dhe shlodhje” ku bëjnë pjesë “lojrat e fatit”, të dyja me një efekt minus 1.6 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.
Ky ritëm më i ulët i rritjes ekonomike se sa ai i parashikuar për këtë vit ka rritur edhe përgjegjshmërinë për të parë ritmin e rritjes së këtij viti, duke e korrigjuar atë në 3.4% në përfundim të këtij viti.
Sigurisht kjo do të sjellë një efekt negativ edhe në nivelin e të ardhurave ndaj parashikimit.
Në aspektin e kërkesës agregate, rritja në gjysmën e parë të vitit 2019 është gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, specifikisht nga konsumi, si edhe nga eksportet neto tё shёrbimeve, të cilat reflektojnë një performance mjaft të mirë të turizmit edhe gjatë këtij tremujori.
Treguesit kryesorë të ekonomisë gjatë tremujorit të dytë dëshmojnë bazat e forta:
- Së pari Vijueshmëria e performancës pozitive në tregun e punës me një ulje tё mëtejshme tё shkallës së papunësisë nën nivelin prej 12%, niveli më i ulët i regjistruar gjatë dy dekadave e fundit. Punësimi u rrit me 3.3%, e ushqyer kjo kryesishisht nga rritja e shkallës së pjesëmarrjes në forcat e punës.
- Stabiliteti financiar dhe përshpejtimi i kreditimit të ekonomisë. Qëndrueshmëria e sektorit financiar, në terma të kapitalizimit, likuiditetit dhe përfitueshmёrisё, vazhdon të mbetet e përmirësuar. Kreditё me probleme (NPL) kanë vijuar të ulen, tashmë deri nё nivelin rreth 11%, nga 24% që u akumuluan rreth dy vite më parë. Gjithashtu, kreditimi i sektorit privat të ekonomisë ka njohur tashmë për tre tremujorë rresht të këtij viti një zgjerim të qenësishëm, duke regjistruar një rritje prej mbi 7% kundrejt një viti më parë, e cila i atribuohet si kredisë drejt bizneseve ashtu edhe asaj drejt konsumatorëve.
- Qëndrueshmëria e financave publike dhe vijimi i konsolidimit fiskal. Konsolidimi fiskal ka dhënë efektet e tij edhe për vitin 2019, ku pritshmëria e deficitit buxhetor mbetet nën 2% nga 5% të PBB-së në vitin 2013. Në vitet e fundit borxhi publik neto2 është reduktuar nga niveli më i lartë prej 71.9% të PBB i regjistruar në vitin 2015 në rreth 64% i pritshëm për vitin 2019.
Gjithashtu edhe rritja e fortë prej 10% e Investimeve të Huaja Direkte në tremujorin e parë dhe me pothuajse 20% në tremujorin e dytë, të shpërndara në disa sektorë të ekonomisë, mbulojnë efektet e përfundimit të fazës së ndërtimit të investimeve madhore.
Disa nga rezultatet paraprake fiskale deri në Shtator-2019 tregojnë se realizimi i përgjithshëm i buxhetit mbetet plotësisht në përputhje me objektivat dhe parametrat kryesorë fiskalë.
- Të ardhurat totale të mbledhura për 9 (nëntë) mujorin e vitit 2019 u realizuan në masën 301.3 miliardë lekë, 3.7% ose 10.8 miliardë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar,
- Të ardhurat e mbledhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u realizuan në vlerën 120.8 miliardë lekë, 2.5% më shumë se 9 mujori i vitit 2018,
- Të ardhurat e mbledhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u realizuan në vlerën 180.5 miliardë lekë, ose 4.6% më shumë se 9 mujori i vitit 2018
- Rimbursimi i TVSH-se është rritur +40% krahasuar me vitin 2018, ose +4.2 miliard lekë.
- Të ardhurat e mbledhura nga DPT për Kontributet u realizuan në masën 70 miliardë lekë, 5.8% ose 3.8 miliardë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2018.
Në 9-Muaj të vitit 2019:
· Shpenzimet korente rezultuan në rreth 304.3 miliardë LEK ose 71 përqind e planit vjetor, ose me një rritje prej rreth 8.1% kundrejt 2018;
· Shpenzimet kapitale rezultuan në një realizim në masën 41.4 miliardë LEK ose 47 përqind e planit vjetor.
Shpenzimet kapitale me financim të brendshëm kanë patur një realizim relativisht të kënaqshëm prej rreth 53% të planit vjetor, apo me një rritje prej rreth 8.9% krahasuar me 2018.
Defiçiti i përgjithshëm për nëntë muajt e parë të vitit 2019 rezultoi në nivelin 2.3 miliardë LEK. Për tre muajt e mbetur të vitit, sipas trendit të zakonshëm të financave tona publike, pritet që shpenzimet në përgjithësi dhe ato kapitale në veçanti të kenë një përshpejtim të ekzekutimit të tyre, sidomos në Nëntor e Dhjetor.
Për tu rikthyer në diskutimin e Aktit Normativ Nr. 2, dëshiroj të theksoj arsyet kryesore të nevojës së këtij akti;
- Garantimi i financimit të fondit rezervë të buxhetit të shtetit, në vijim të situatës emergjente të krijuar pas tërmetit të datës 21.09.2019.
- Kompensimi i disa zërave të shpenzimeve buxhetore, të prekura në 2019 për efekt të financimit të Paktit për Universitetin;
- Reflektimi i ecurisë optimale të të ardhurave vendore, gjatë gjysmës së parë të vitit 2019.
Rritja e efiçencës së përdorimit të burimeve publike për rialokimeve drejt projekteve të investimeve me progres të mirë deri tani.
Disa ndër synimet kryesore të këtij Akti Normativ janë:
1. Ruajtja e nivelit të planifikuar në buxhetin e vitit 2019, të parametrave kryesorë makroekonomikë të theksuar më sipër.
2. Sistemime dhe/ose rialokime të tjera pa kosto shtesë efektive mes zërave të shpenzimeve buxhetore, por të cilat ndikojnë ndjeshëm në rritjen e performancës së pritshme të realizimit të treguesve në fund të vitit 2019.
Konkretisht:
a) Sigurojnë financimin për disa zëra sensitivë të shpenzimeve korente, si fondi rezervë, skema e fermerëve, skema e PAK, arsimi i lartë, rendi, mbrojtja, etj, dhe konkretisht disa prej tyre:
- Ministria e Brendshme: 450 mln leke për orët jashtë orarit për efektivët e Policisë së Shtetit dhe ushqim & orë pune Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë/Kursantet,
- Ministria e Mbrojtjes: 120 mln lekë për mirëmbajtjen e sistemeve IT;
- Ministria e Shëndetësisë: 300 mln lekë për Skemën e Personave me Aftësi të Kufizuar - PAK,
- Ministria e Arsimit: 300 mln lekë për Arsimin Bazë,
- Ministria e Bujqësisë: 200 mln lekë për Skemën e Fermerëve, për kompensimin e çmimit të qumështit.
b) Rrisin performancën e shpenzimeve kapitale, përmes alokimit të burimeve dhe rialokimit të fondeve drejt projekteve të investimeve publike, të cilat rezultojnë me progres të mirë, me qëllim arritjen e nivelit të programuar të tyre për vitin 2019. Konkretisht, ky Akt Normativ garanton specifikisht, ndër të tjera, sa vijon:
- MIE: 1 miliardë lekë financim i huaj për të mundësuar avancimin e punimeve në By-Pass Fier dhe përfundimin e një krahu të rrugës; dhe 370 milionë lekë shpronësimet në objektet e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
- FSHZH: 800 milionë lekë për avancimin e projekteve kryesore;
- Ministria e Kulturës: 200 milionë lekë për shtimin e ritmit të punimeve për rikonstruksionin dhe pajisjet e godinës së TKOB;
- Ministria e Bujqësisë: 200 milionë lekë për vazhdimin e financimit të projekteve me fokus mbrojtjen e argjinaturave lumore, dhe sistemin e kanaleve ujitëse;
- Ministria e Financave: 125 milionë lekë për blerjen e pajisjeve për “Polin e Drejtësisë”;
- Ministria e Shëndetësisë: 90 milionë lekë “Rikonstruksioni i godinës së Maternitetit të Vjetër”.
- Bashkia Tiranë: 1 miliardë lekë për avancimin e punimeve për projektin e “Bulevardit Verior dhe Rehabilitimit të Lumit të Tiranës”.
3. Reflektimi i rritjes së tavanit të shpenzimeve për njësitë vendore
Përmes këtij akti normativ në nivel vendor është siguruar një rritje e të ardhurave nga taksat lokale me rreth 3 miliard lekë, rritje në të ardhurat vendore është relizuar me argumentimin si më poshtë:
· Për 6-mujorin e parë të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore janë realizuar në masën 60.9% të planit vjetor ose 22% më shumë se plani i periudhës;
· Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore në 6 mujorin e dytë të vitit 2019 pritet të tejkalojnë planin e parashikuar të të ardhurave të veta vendore si pasojë e rritjes së eficencës së mbledhjes së të ardhurave;
· Trendi rritës i të ardhurave vendore konstatohet edhe në realizimin 9 mujor, ku të ardhurat vendore krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018 janë në rritje.
Gjithashtu, rritja e të ardhurave të njësive të vetëqeverisjes vendore do të reflektohet në rritjen e shpenzimeve me rreth 4 miliard lekë.
4. Akomodimin e nevojave të reja të funksionimit të institucioneve të sistemit të drejtësisë (Vettingu-t), si nga pikëpamja e shpenzimeve ashtu edhe e numrit të punonjësve.
Ky Akt Normativ alokoi burimet e nevojshme shtesë, njerëzore dhe financiare, për disa institucione të reja të Vetting-ut, dhe konkretisht:
· SPAK/Byro Hetimi – Kemi akomoduar organikën e re prej 100 punonjesish shtesë, me një buxhet total prej 66 milion lekë, për periudhën tetor-dhjetor 2019.
· Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD) – Kemi akomoduar organikën e re prej 40 punonjësish, me një buxhet prej 10 milion lekë, për periudhën tetor-dhjetor 2019.
Ndërkohë që, në retrospektivë për të gjithë 9 mujorin e parë të vitit 2019, financimi i pagave të reja të magjistratëve për Institucionet e Sistemit të Drejtësisë (Vetting) është realizuar në zbatim të nenit 13 të Ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, në zërin “Fondi Rezervë për Sistemin e Drejtësisë”. Ky fond i planifikuar në masën 1.35 miliard lekë, deri në datën 31 Tetor 2019 është përdorur në masën 1.2 miliard lekë ose në rreth 89.1% të tij, dhe konkretisht:
- Prokurorisë së Përgjithshme –buxhet shtesë 600 milion lekë, shpenzime personeli;
- Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) –buxhet shtesë 400 milion lekë shpenzime personeli;
- Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) – I akordohen 65 punonjës shtesë dhe një buxhet prej 88 milion lekë shpenzime korente dhe 20 milion lekë investime;
- Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) – I akordohen 54 punonjës shtesë dhe një buxhet prej 62 milion lekë shpenzime korente & 20 milion lekë investime.
- Gjykatës së Lartë – I akordohet shtesë buxheti në masën 13.2 milion lekë, shpenzime korente.
Bazuar në sa më sipër, në rëndësinë për ecurinë e financave publike, për funksionimin e strukturave të lidhura me Reformën në Drejtësi dhe në bindjen se ndryshimet e propozuara ruajnë treguesit kryesorë makroekonomikë dhe fiskalë, si dhe sjellin përmirësim të të gjithë projekteve deri në fund të vitit, Ju ftoj të votoni këtë Akt Normativ.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në fjalën e mbajtur në Kuvend tha se me aktin normativ “Mbi rishikimin e ligjit të buxhetit të vitit 2019” Ministrisë së Drejtësisë i janë shtuar 62 milionë e 500 mijë lekë investime. Ajo tha se gjatë vitit 2019 pagat e punonjësve u rritën me 7%, duke theksuar se kjo është rritja e parë që bëhet pas shumë vitesh.
“Nëpërmjet këtij akti normativ do të jepet mundësia për të vijuar më tej objektivat që udhëheqin punën tonë si në zbatimin e Reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, rritjen e sigurisë në institucionet penitenciare si dhe vijimin e investimeve dhe modernizimit të sistemeve. Me këtë akt normativ që po diskutojmë sot “Mbi rishikimin e ligjit të buxhetit të vitit 2019” në total Ministrisë së Drejtësisë i janë shtuar 62 milionë e 500 mijë lekë investime të brendshme, duke rialokuar dhe mirëmenaxhuar një pjesë të shpenzimeve korente të pashpenzuara kjo falë edhe mirëmanxhimit që ju është bërë fondeve.
Projekti i investimit për ndërtimin e arkivit elektronik, motorrit të kërkimit të Qendrës së botimeve zyrtare do të jetë pjesë e këtij akti normativ për të bërë të mundur modernizimin e sistemit dhe lehtësimin në aksesimin e akteve, si dhe informimin më mirë të publikut. Gjithashtu një fond i konsiderueshëm i është rialokuar Drejtorisë së përgjithshme të burgjeve për investim dhe shërbim në pajisje të ndryshme sigurie për sistemin e burgjeve.
Gjatë vitit 2019 pajisëm pas 10 vitesh personelin policor të burgjeve me uniformë. 3.559 punonjës policie. Po ashtu pagat e punonjësve të Policisë së Burgjeve për vitin 2019 janë rritur me 7% ose rreth 181 milionë lekë. Dëshiroj të theksoj se kjo është rritja e parë që ju bëhet pas kaq shumë vitesh. Në sajë të rritjes së kërkesës për realizimin e investimeve prej 429 milionë të akorduara për vitin 2019 për Drejtorinë Burgjeve është bërë e mundur përmirësimi i kushteve dhe rritja e sigurisë,” u shpreh Gjonaj.
Situata në grupin Demokrat vijon që të jetë e tensionuar. Korab Lita, që pretendon drejtimin e grupit kërkoi nga Ruci t’i japë përgjigje shkresës nisur në adresë të tij, për t’i dhënë zgjidhje situatës së krijuar. Lita kërkoi gjithashtu të hiqet nga lista e diskutantëve edhe emri i një prej deputetëve, që sipas tij nuk është pjesë e grupit. "Grupi ka vendosur që ka vetëm nënë anëtarë, po ashtu u kërkoj të reagoni ndaj shpresës që kam dërguar për ta mbyllur njëherë e mirë këtë situatë, pasi po na pengon punën" tha Lita.
Por Ruci u shpreh se debatet brenda grupit demokrat nuk janë kompetencë as e tij dhe as e seancës. "Ju lutem edhe njëherë u kam sqaruar seancën e kaluar dhe se nuk është kompetencën as e kryetarit të Kuvendit dhe as e seancës të merret me grupet parlamentare, duhet ti zgjidhni ju brenda për brenda. Mos implikoni parlamentin". Pas ditë më parë Rudina Hajdari denoncoi se është kërcënuar në zyrë, ndërsa deputeti Ligoraq Karamelo tha për Report Tv se e kërcënoi pikërisht Korab Lita, rivali për drejtimin e grupit Demokrat.
Elisa Spiropali u shpreh se kampi Al Hol ku ndodhet Alvin Berisha është i sigurt, ndërsa vijon puna me partnerët për t'i nxjerrë për t'i riatdhesuar. "Detajet mbi rastin e djalit nuk dua të hyj, por prezenca e tij në kamp është njoftuar nga Kryqi i Kuq në Kajro te ambasada jonë në fillim të shtatorit.
Babai i djalit mori një letër nga djali në 27 qershor, ambasada jonë në Romë është kontaktuar nga ministria italiane në 20 shtator. Po në 20 shtator erdhi një telefonatë në konsullatë në Milano nga programi ku theksohet se do të udhëtohej drejt Sirisë. Ka një komunikim në vijim me familjen Berisha. Tani në kampion Al Hol ka ndodhur në 25 shtator, përpjekjet për të riatdhesuar të gjitha gratë dhe fëmijët vijojnë.
Kontaktet me Alvin dhe të tjerët është mbajtur përmes organizatave ndërkombëtare humanitare. Kampi Al Hol është i sigurt, atje janë 70 mijë gra dhe fëmijë, 10 mijë të huaj. 150 janë shqiptarë në të gjitha trevat, 72 nga Shqipëria, 11-13 burra të klasifikuar terroristë në burgjet e kontrolluara nga kurdët, 28 janë fëmijë që janë identifikuar.
Ka edhe fëmijë të lindur, por numrin e tyre nuk mund ta konfirmojmë". Por Andi Përmeti këmbënguli duke kërkuar nga ministrja "Shkoni dhe shpëtoni djalin se është 11-vjeç, kur do të shpëtojë ai dhe fëmijët e tjerë. Pse ambasadori shqiptar në Turqi tha PO e tërheq unë. Sot kampi mund të jetë i sigurt, por ajo është zonë lufte".
Spiropali reagoi sërish duke i thënë Përmetit se "Ishit kopje e shëmtuar e atyre që janë jashtë, ashtu kishim më mirë kopjen se origjinalin, më mirë të ishin ata. Ne jemi përballur me Berishën, Bashën, etj dhe nuk jemi trembur".Por deputeti i opozitës së re tha se nuk po bën politikë. "Ju jeni në pritje dhe unë baba në pritje, ajo video ishte emocionuese, po të ishte për të mos bërë politikë i zije derën atij te ministria e Jashtme që nuk di shqip" tha ai.
Elisa Spiropali theksoi se në fund të gushtit qeveria shqiptare tentoi në një operacion për kthimin e shqiptarëve që kanë qenë pjesë e ISIS dhe tani mbahen në kampe, por dështoi për shkak të rindezjes së konfliktit.
"Po bëjmë detyrën për t'i shpëtuar sipas modelit të Kosovës. Janë identifikuar shqiptarët, përfshirë fëmijët e lindur atje. Duke pasur parasysh mungesën e strukturave në zonën e konfliktit, kontaktet janë vendosur me partnerët në Korrik dhe Gusht, në fund të Gushtit u diskutua për një operacion të mundshëm.
Pas propozimit të planit për transferimin në struktura të specializuara për transportin drejt Shqipërisë situata ndryshoi, pasi u ndez konflikti duke ngrirë operacionin. SHBA u tërhoq dhe pati luftime të forcave turke në terren. Aktualisht një grup operacional po rivendos kontaktet në terren dhe po peshon mundësinë për të riatdhesuar shqiptarët pas roleve të ndryshuara të aktorëve në terren".
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali e deleguar nga kryeministri Rama, që është edhe ministër i Jashtëm për t'iu përgjigjur pyetjeve të opozitës lidhur me interpelancën për cështjen e 11-vjeçarit shqiptar në Siri dhe të tjerëve, u shpreh se qeveria është duke bërë gjithcka është e mundur për të kthyer fillimisht gratë dhe fëmijët.
"Kas pasur shkëmbim informacione me partnerët për të shqiptarët që gjendeshin në atë zonë, por të gjithë jemi të vetëdigjshëm se përballja me këtë fenomen kërkon para së gjithash ndërgjegjësim social, përvec komunikimit dhe ndërveprimit me partnerët. E bërë këtë përmbledhje për të gjithë ata në këtë sallë apo jashtë, që mendojnë se filluam të kujdesemi për këtë problem pas rastit të fundit. I kemi kushtuar vëmendje të vecantë luftëtarëve shqiptarë që kanë marrë pjesë në konflikt. Situata në Siri është tejet e komplikuar.
Shqiptarët kanë kaluar kufijtë në mënyrë të paligjshme, ndërsa kanë ndryshuar edhe emrat, duke e bërë të vështirë identifikimin. Shqipëria është duke bërë gjithcka është e mundur për të kthyer fillimisht gratë dhe fëmijët. Hapat e ndërmarrë nuk mund të bëhen publike, pasi do të ishte e papërgjegjshme, pasi do të vinte në rrezik operacionin. Duke zbuluar identitetin e tyre i ekspozojmë përpara një rreziku vdekjeprurës. Për pasoja do u lutesha mos të kompromentojmë situatën dhe jetën e personave që po përpiqemi ti shpëtojmë. Ju garantojmë se institucionet e përfshirë po bëjnë detyrën me profesionalizëm pa zhurmë dhe bujë" tha ajo.
Interpelancës së kërkuar nga deputetët e opozitës në Parlament për cështjen e Alvin Berishës nuk iu përgjigj Edi Rama, por Elisa Spiropali. Andi Përmeti iu drejtua kryetarit të Kuvendit duke e akuzuar se ka shkelur rregulloren me ndryshimin që është bërë. Por Ruçi theksoi se Rama ka të drejtë që të delegojë interpelancën, megjithatë replikat vijuan.
Debati Ruçi-Përmeti në Kuvend
Andi Përmeti: Ministri i Jashtëm nuk ka ardhur dhe përgjegjësi që do të përgjigjet është ministrja Spiropali. Unë jam njoftuar vetëm sot në mëngjes për këtë ndryshim. Ju keni thirrur një ministër tjetër në shkelje të rregullores për t'u përgjigjur. Më vjen keq, nuk jeni ju nga ata që Rama tërheq për hundësh. Sot në nderin tuaj do të ishte të kishit detyruar ministrin e Jashtëm të kishte ardhur këtu
Gramoz Ruçi: Në radhë të parë si administrata dhe unë e kemi zbatuar rregulloren. Shkelje do të kishte nëse nuk do të vinte në seancën më të parë interpelanca e parë, kryeministri që është edhe ministër i Jashtëm është e drejtë e tij ka delegojë nëse e ka të pamundur ardhjen në parlament.
Andi Përmeti: Kryeministri ka të drejtë ta delegojë kur interpelanca kërkohet me kryeministrin, por unë e kërkova interpelancën me zotin Rama si ministër, pra ministri nuk ka të drejtë ta delegojë interpelancën
Gramoz Ruçi: Fjalë e rëndë ti thuash kryetarit të parlamenti se gënjen për rregulloren, prandaj tërhiqe mbrapsht dhe duhet të dish se nëse do të ishte jo Edi Rama kryeministër dhe ministër i Jashtëm, ke të drejtë ti se nuk mund ta delegojë, por kur është kryeministër dhe ministër i Jashtëm ka të drejtë ta delegojë
Andi Përmeti: Pyesni këdo jurist nëse e kam gabim u kërkoj ndjesë publikisht për fjalën gënjeshtar, nëse e keni ju tërhiqni fjalën 'i paditur'.
Rasti i Alvinit u publikua nga emisioni investigativ “Le Iene”. Ata arritën të futeshin në një nga kampet – burgje ku kurdët mbajnë ish-luftëtarët e ISIS. Në kampin AL HOL janë gratë e luftëtarëve të ISIS, por dhe shumë fëmijë, shumë prej të cilëve kanë lindur pikërisht atje. Gazetari shpjegon se reportazhi në këtë kamp nuk ishte një rastësi, por një mision i vërtetë, për të gjetur një fëmijë shqiptar me emrin Alvin. Një fëmijë, i cili ka lindur në Itali 11 vite më parë (lexoni ketu historinë e plotë).
Moj Spiropalle kur ti ktheni kujt do t ua rrasni, taksapaguesve apo do ti merrni në shtepitë tuaja ?!
Përgjigju