Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me ligjin që u jep të drejtë serbëve në veri të Kosovës që nuk kanë dokumente kosovare të marrin lejeqëndrime, si dhe njohjen e kartave të identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe.
“Ne veçse po zbatojmë një ligj nga periudha para 13 vjetëve dhe më në fund po zbatohet ligji. Do të bëjmë inkorporimin e të gjitha strukturave që janë në sistemin e shëndetësisë dhe arsimit. Ju e dini që strukturat e tjera ilegale të Serbisë, sikurse ato të sigurisë, pastaj financave dhe administrimit, nuk ekzistojnë më në Republikën e Kosovës. Kanë ngelur arsimi dhe shëndetësia – ato do t’i inkorporojmë. Por, që ta bëjmë këtë është e domosdoshme që një herë të kemi listën e të gjithë mësimdhënësve, të gjithë mjekëve e infermierëve që punojnë në këto struktura. Ne nuk dëshirojmë që pacientët serbë të ngelen pa trajtim shëndetësor, ne nuk dëshirojmë që nxënësit serbë të ngelen pa mësim. Por, kjo duhet të bëhet në mënyrë legale. E, në mënyrë legale, do të thotë përbrenda kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Republikës së Kosovës. Në këtë aspekt po punojmë, duke dhënë një dritare 12-mujore, përkatësisht 3-mujore, për qëndrim, për punë, dhe pastaj për pajisje me dokumente të Republikës së Kosovës”, tha Kurti.
Kryeministri tha se veprime të ngjashme u ndërmorën edhe me rastin e targave të automjeteve.
“Afate të tilla të ngjashme kemi dhënë edhe kur ka qenë puna për targa të automjeteve. Ky nuk është një veprim politik, është zbatim i ligjit dhe zbatim gradual në bashkëpunim me BE-në”, deklaroi Kurti.
Ligji i ri, i cili hyri në fuqi më 15 mars u mirëprit nga BE-ja, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe nga Serbia. Pas njoftimit, BE hoqi edhe masat ndëshkuese financiare ndaj Kosovës, të vendosura në vitin 2023.
Komente












