Vdekja e të rinjve nga kanceri apo arresti kardiak prej kohësh po përjetohet mes nesh si një statistikë sezonale, pothuaj si një grip që kalon nga një trup te tjetri. Mirëpo, ky realitet nuk është thjesht biologjik, ai është thellësisht shoqëror dhe filozofik. Përballë shpeshtësisë së këtyre humbjeve, shoqëria duket se është mësuar me to, duke i pranuar gjithnjë e më pak si tronditje dhe gjithnjë e më shumë si pjesë të zakonshme të realitetit.
Ky banalizim dhe pranimi i vdekjes së të rinjve si normalitet ka një kosto të lartë. Ai e zhvesh vdekjen nga pesha e saj morale dhe e bën jetën të duket e lehtë, pothuaj e zëvendësueshme, kur ikja e një të riu nuk trondit më askënd. Në këtë mënyrë, shoqëria fillon të humbasë ndjeshmërinë, duke e përjetuar humbjen jo si dramë, por si një fakt të zakonshëm që nuk kërkon më reflektim të thellë.
Humbja e një miku të mirë dhe një individi të spikatur publik në këtë kontekst bëhet edhe më e rëndë. Jo vetëm sepse ishte një djalë i mençur, një njeri që mbante gjallë marrëdhënien me librin në një epokë algoritmesh dhe përgjigjesh të shpejta, por sepse ai përfaqësonte një formë rezistence. Të lexosh, të reflektosh, të guxosh të adresosh problemet e demokracisë në një kohë konsumi dhe në një shoqëri si e jona është një akt kundër rrjedhës.
Në një kohë ku opinioni shpesh zëvendëson dijen dhe reagimi i menjëhershëm zëvendëson reflektimin, ai zgjidhte rrugën më të vështirë, të menduarit kritik. Mendimi i tij nuk ishte i zhurmshëm, por i qëndrueshëm. Ai shpesh nuk kërkonte vëmendje të shpejtë, por kuptim të thellë. Pikërisht kjo e bënte të veçantë jo vetëm si mik, por si një zë që i jepte peshë fjalës dhe seriozitet debatit.
Ky rast duhet të na bëj të kuptojmë se vdekja e njerëzve të mirë nuk është thjesht një ngjarje individuale, por një boshllëk që vazhdojmë e ndjejmë çdo ditë. Kur njerëz të tillë nuk janë më mes nesh, ata lënë një hapësirë që nuk mbushet thjesht me fjalë apo zëra të rinj. Kujtimi i tyre na bën të ndalemi, të reflektojmë dhe të vlerësojmë thellësisht çfarë do të thotë të jetosh me mendim, guxim dhe ndershmëri. Është boshllëku i tyre që na thërret të mos harrojmë, të ruajmë vlerat që ata përfaqësuan dhe të krijojmë hapësirë për reflektim të vërtetë në botën që vazhdon të lëvizë pa pushim.
Në mënyrë cinike mund të thuhet se shoqëria mësohet shpejt me mungesat, sepse sistemi nuk ndalet për askënd. Shtypi do të vazhdojë, debati publik do të rrjedhë, dhe zëra të rinj do të shfaqen për të mbushur boshllëqet.Por kjo nuk është vazhdimësi e vërtetë, është vetëm zëvendësim sipërfaqësor. Kjo pasi ka individë që nuk janë thjesht role apo funksione, por bartës të mendimit, kujtesës dhe kuptimit dhe kur ata largohen, ajo që humbet nuk rikrijohet më në të njëjtën formë.
Komente












