Lika Janko, 'Pikasoja' shqiptare e Bullgarisë! Rrëfimi i ministrit bullgar, Velisllav Minekov ekskluzivisht për Report Tv

Njihet me emrin e saj të artit Lika Janko. Piktoren bullgare me origjinë shqiptare, Europa e quajti Pikasoja me fustan, kur ajo krijonte ende nën dhëmbët e censurës komuniste bullgare që e akuzonte për “formalizëm” dhe “avangardë”.

Me “kokëfortësinë krijuese, ajo e treti jetën e saj në ngjyra që i flisnin me gjuhën e vendit të origjinës.

Evangjelina Janko Grabova e kishte ajo emrin e plotë.

U pagëzua me këtë emër në Sofje në një vend bujar dhe mikpritës për familjen e saj që u largua nga Shqipëria në vitin 1928. Ishte e bija e Llazar Jankos, lindur në Grabovë të Gramshit, kurse e ëma, Frosina ishte nga rrethinat e Pogradecit.

Dhurata Hamzai: Zoti Velislav Minekov, ardhja juaj në Shqipëri si Ministër i Kulturës i Bullgarisë lidhet edhe me nderimin e një piktoreje të shquar bullgare Evangjelina Janko Grabova, e njohur me emrin e artit Lika Janko. Piktorja që njihet nga kritika botërore si “Pikasoja me fustan”, dihet se i ka të lidhura rrënjët e saj me Shqipërinë e viteve ’20 të shekullit të kaluar, kur familja e saj u largua nga një vend malor i quajtur Gramsh, për të qëndruar përfundimisht në vendin tuaj. A mundet të na flisni për rolin dhe vendin që zë piktorja Lika Janko në artin bullgar?

Zoti Velislav Minekov: Lika ishte një personalitet i jashtëzakonshëm, jo vetëm se ishte piktore e mrekullueshme. Lika në asnjë mënyrë e në asnjë kohë nuk i ka respektuar kërkesat e imponuara të kritikëve të realizmit socialist. Kjo sjellje e saj ishte e ndëshkuar në një farë mënyre.

Ajo nuk ishte tregtare me veprat e saj, ajo dhuronte. Për të nuk ishte me rëndësi që të merrte para për atë që kishte bërë. Lika ishte falwnderuese kur dikush i blente bojrat.

Kjo nuk është një befasi për ju pasi e keni përjetuar të njëjtën periudhë të komunizmit, kur njerëz të caktuar ishin besnikë të Partisë dhe nuk pëlqenin punime si ato të Lika Jankos. Është një gjë shumë e rrallë që një artist i madh të jetojë në kushte të mira, gjithmonë vuajnë gjatë jetës së tyre.

Bullgarët e deshën shumë piktoren, saqë një nga skulptorët më shquar të atij vendi, Veliçko Minekov, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Bullgarisë në periudhën e diktaturës komuniste, pikërisht nën hundën e një censure të rrezikshme, do ta mbronte me një miqësi të përkorë.

Ai ishte një Zeus për Lika Jankon. Skulptori i shquar i Bullgarisë Veliçko Minekov ishte si një faltore e artit në Sofje me miqtë që kishte rreth vetes. Ai është babai i ministrit të kulturës së Bullgarisë, Velisllav Minekov.

"Babai im është skulptor, një nga vendet ku takoheshim me Likën ishte atelieja e tij. Ajo vinte një, dy ose tre herë në muaj. Ata ishin miq të ngushtë. Dhe kishin një mënyrë shumë interesante, shumë të çuditshme të komunikimit. Unë si fëmijë isha shumë i habitur prej këtij komunikimi. Ata flisnin pak, një dy ose tre fjalë dhe pastaj vetëm qëndronin në heshtje dhe shkëmbenin vetëm shikime. Në një moment një grup intelektualësh, njëri prej të cilëve ishte edhe babai im, u njohën me të dhe menjëherë vlerësuan lart punimet e saj, rëndësinë që ajo ka për artin, dhe atëherë ajo u bë më e njohur. Filluan ta pëlqejnë e respektojnë edhe të tjerë, midis të cilëve edhe të huajtë, përfaqësues të ambasadave të ndryshme në Sofje", thotë Minekov.

Minekov në një intervistë ekskluzivisht për Report TV  sjell kujtime të bukura e disi misterioze që vijojnë që nga fëmijëria e tij me Lika Jankon.

Dhurata Hamzai: E keni njohur ju nga afër artisten Lika Janko. Nëse po, çfarë kujtimesh keni me të?

Z. Velisllav Minekov: Lika ishte një person që nuk buzëqeshte ose buzëqeshte shumë pak. Ajo kishte sens humori shumë delikat dhe për të tjerët ndonjëherë ishte e çuditshme. Lika Janku ishte një grua shumë simpatike, një grua normale pavarësisht nga trishtimi që mbante brenda vetes. Nganjëherë ajo nuk kishte para për të blerë bukë për veten e saj, por në atelie kur vinte na qeraste me llokum.Kishte një motër të sëmurë për të cilën kujdesej e që e bënte të ishte aq e trishtuar.

Jo vetëm për hir të detyrës por edhe për adhurimin personal që ka për të si artiste,  Minekov erdhi ta nderonte  Lika Jankon ditën që shëtitores në Parkun e Liqenit të Belshit në Elbasan iu vu emri i saj.

Belshi është shumë pranë vendlindjes së saj, Grabovës, dhe Ambasada e Bullgarisë ka investuar një projekt ndriçimi për Rrugën “Lika Janko”.

Është bukur kur miqësia e popujve lidhet përmes dritave dhe artit.

“Në kuadër të bashkëpunimeve tona, na erdhi ideja për projektin për ndriçimin modern sipas sistemit LED që punon me diell, sepse është shumë efektiv nga ana ekomomike. Kështu ne jemi të lumtur, sepse banorët e Belshit do të kenë diell edhe gjatë natës. Ndërkohë Bullgaria ka edhe projekte të tjera ndihmëse për nxitjen e turizmit edhe në Devoll, Elbasan, Bulqizë e të tjera”, tha ambasadori i Bullgarisë z. Momçill Rajçevski.

Dhurata Hamzai: Nuk janë të paktë shqiptarët që kanë emigruar përgjatë periudhave të ndryshme historike në Bullgari. A keni pasur kontakte me ta. Natyrisht edhe në vendin tonë jetojnë komunitete bullgare, dhe para pak kohës është miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë ligji për njohjen e pakicave bullgare. Cili është deri tani kontributi i qeverisë bullgare në fushën e kulturës, në ripërtëritjen e traditave apo edhe për probleme të tjera që ndikojnë në jetën e tyre?

Z, Velisllav Minekov: Këto janë komunitete që harrohen shumë shpesh. Komuniteti bullgar këtu është harruar në një farë mënyre edhe nga Bullgaria. Në Shqipëri këta njerëz jetojnë të ndarë dhe nuk njihen me njëri tjetrin. Kohët e fundit Bullgaria bëri disa aktivitete me vlerë për këtë komunitet. Prandaj jemi falenderuar për ligjin për njohjen e komunitetit bullgar në Shqipëri. Njohja e minoriteteve në Ballkan është problem, krijon shumë përçarje. Në Shqipëri ky vendim ishte marrë pa probleme dhe ne e vlerësojmë shumë këtë gjë. Nga kjo pikëpamje shqiptarët janë 100 për qind europianë.

Z. Velisllav Minekov nis të na tregojë për dritën e artit që buronte nga zemra një artisteje me origjinë shqiptare, dritë që lidhte nën petkun e errësirës komuniste artistët bullgarë me ata europianë.

“Për mua, emri Lika Jankos është me rëndësi shumë të madhe, jo vetëm se është me rëndësi për artin tonë bullgar, por një arsye për t’u emocionuar është se ne kishim lidhje miqësore me të. Babai im ishte mik i ngushtë i Likës dhe ajo ishte një person që kishte pak miq.  Për fat të keq ajo jetonte në rrethana të trishtuara, sepse ajo nuk ishte në përputhje me kanonin e artit të kohës. Artin e saj e quanin skandaloz dhe të padëshiruar për shoqërinë komuniste.  Ajo shpesh nuk kishte bukë të hante, ndërsa sot është e vështirë të blesh një pikturë të saj, edhe për faktin se ajo nuk është ngutur në krijimtari. Veprat e saj tashmë shumë të çmuara janë pronë e koleksionistëve dhe galerive të botës”

Në shtëpinë time unë kam punime të saj dhe kjo më bën shumë të lumtur. Akoma më i lumtur jam që ndodhem këtu, kjo ngjarje është e rëndësishme edhe për Bullgarinë edhe për Shqipërinë.”, rrëfen z.Minekov.

Ndërsa në vendin e saj të origjinës, piktorë të shquar si Edison Gjergo, dhe Maks Velo do të vuanin edhe më keq gjatë periudhës komuniste, do të lidheshin me pranga në qelitë e burgjeve, Lika Janko do të ndihej e bekuar me miqësinë e saj me artistin e madh bullgar Veliçko Minekov

Dhurata Hamzai: Ju vetë, Zoti Ministër, vini në këtë detyrë të rëndësishme shtetërore pas një karriere të gjatë si piktor dhe profesor në Akademinë e Arteve të Bullgarisë. Do t’ju lutesha të na jepni një përshkrim sesi është lëvruar dhe si ka evoluar estetikisht dhe stilistikisht arti bullgar përgjatë shekullit të kaluar, duke ditur se vendet tona kanë edhe një histori të përbashkët të sundimit të komunizmit që iu impononte artistëve metodën e realizmit socialist?

Z. Velisllav Minekov: Andrei Nikov është artisti më i njohur bullgar, ka qenë profesor i babait. Është një mjeshtër në artin e skulpturës me biografi të pasur. Veprat e tij qëndrojnë në artin e muzeut e arteve moderne në Romë. Babai im e ka takuar këtë artist të madh bullgar, sepse ai ka pasur dhunti të tillë dhe e ka zgjedhur si profesorin e tij. Në këtë mënyrë me udhëzimet e këtij profesori babai u bë një portretist shumë i madh. Në fakt në Bullgari skulptura, plastika funksionon në një variant të mbyllur të realizmit edhe pas luftës. Pas vitit 1944 ka qenë një periudhë shumë e vështirë për të punuar për të gjithë artistët. Në vitin 1968 babai im ka patur shumë telashe. Është shpallur armik i Atdheut.

Arsyeja kryesore për këtë kanë qenë kontaktet e tij me shumë njerëz të njohur në fushën e artit jashtë Bullgarisë. Është ftuar nga Pericle Fazzini për të punuar në Itali dhe prandaj u akuzua edhe nga kritikët dhe nga piktorët e tjerë në Bullgari se nuk ishte në standardet e kërkuar nga sistemi. Sot ai është 93 vjeç, i mbushur plot me kujtime dhe është i fortë si gjithmonë.

Lika Janko lindi më 19 mars 1928. U diplomua në një kolegj francez dhe për pikturë me prof. Iliya Petrov në Akademinë e Arteve. Rruga e saj krijuese është e vështirë. Në vitin 1967, ekspozita e saj e parë personale u mbyll menjëherë, pasi veprat e saj u shpallën antisocialiste. Prej 14 vitesh atë e ndaluan të prezantojë piktura në ekspozita.

Sot ajo është një ambasadore arti e gjithë botës . Popullariteti i saj erdhi falë ambasadorëve të huaj në Bullgari, adhurues të artit të saj.

Lika Janko u nda nga jeta më  22 qershor të vitit  2001 me shpirtin e bardhë si bora e atyre maleve nga u larguan të parët e saj. 

E bardha sjell pastërti, vërtetësi, shpresë...

Është ngjyra e Zotit dhe Zoti është dashuri...”, -thoshte ajo ndërsa  hidhte ne tablo penelatat e lira.

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë