‘Lindja çezariane’ e ‘binjakeve’ nga PD dhe loja me dy porta e aleatëve të Bashës

‘Lindja çezariane’ e ‘binjakeve’ nga PD dhe loja me dy porta e aleatëve të Bashës

Fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit në 6 bashkitë e mbetura pa kryetar në vend  ka hyrë tashmë në një fazë të rëndësishme, teksa “amplituda” e akuzave ndaj partive si dhe kandidatëve respektivë, është ngritur në nivelin më të lartë.

Pavarësisht se në zgjedhje marrin pjesë PD e Lulzim Bashës me 6 kandidatët e saj, PS e Edi Ramës me kandidatët e vet, por dhe Berisha me 6 kandidatët e vet, e gjithë vëmendja është përqëndruar tek mënyra se si është kompozuar aleanca “Shtëpia e Lirisë”, e cila për nga mënyra se si po prezantohet, paraqet një çudi më vete.

Teksa koalicioni i regjistruar në KQZ i “Shtëpisë së Lirisë” ka në përbërje siglën e LSI-së të drejtuar nga Monika Kryemadhi dhe të PDK të drejtuar nga Nard Ndoka, kandidatët për kryetarë bashkie janë përzgjedhur përmes primareve nga ana e “Komisionit të Rithemelimit” një fraksion kundërshtar i PD, i drejtuar nga Sali Berisha pas shpalljes së tij “non grata” nga SHBA.

Në kushtet kur KQZ për  regjistrimin e koalicionit të vetëm që merr pjesë në zgjedhje, refuzoi përfshirjen në përbërjen e tij të “Komisionit të Rithemelimit”, me argumentin se nuk mund të merrej sigla zyrtare e PD, kjo nuk e pengoi Berishën që të fuste 6 kandidatët e vet për zgjedhjet e 6 marsit për kryetar bashkie në Shkodër, Dibër, Vorë, Durrës, Rrogozhinë dhe Lushnje. Pra, jo me propozimin e këtij fraksioni të PD, por me propozim të LSI.

Kjo ka sjellë një pështjellim në radhët e anëtarësisë së vetë opozitës në këto 6 bashki ku po zhvillohen zgjedhjet, pasi do të duhet të votojnë kandidatët e një koalicioni që nuk përmban siglën e partisë nga kanë dalë emrat respektivë.

Njëherësh, një situatë të tillë kreu i PD zyrtare Lulzim Basha po tenton ta shfrytëzojë në favor të maksimalizimit të votave për kandidtatët e vet zyrtarë, me argumentin se demokratët kanë më 6 mars në fletën e votimit vetëm kandidatët e PD të përzgjedhur nga Basha dhe lidershipi zyrtar i kësaj partie.

Dhe nuk është pa ndikim në elektorat një skenar i tillë, pasi dihet se PD dhe LSI asnjëherë nuk kanë pasur “kimi” në bazën e partive respektive në bashkëpunimet periodike që kanë pasur herë pas herë kur kanë dashur t’i kundërvihen PS për të mos e lejuar apo për ta larguar nga pushteti.

Tentativa për t’i paraqitur si kandidatët të LSI dhe të Metës të 6 kandidatët e Berishës, PDK e Ndokës e konsiderojnë pa shumë mbështetje, nuk ka kaluar pa lënë gjurmë në këtë fushatë, duke e dyzuar elektoratin e djathtë që të votojë kandidatët e Berishës, por dhe duke i trembur ata se mos fuqizohet më shumë se duhet Ilir Meta dhe mund të kthehet në një “bumerang” në të ardhmen, me kalimin e votave të PD drejt LSI, vota të cilat me shumë mundim dhe për shkak të një përplasjeje të fortë e luftte kulisazh mundën t’i merrnin në zgjedhjet e fundit parlamentare të 25 prillit të vitit të kaluar.

Pikërisht në këtë pikë po zhvillohet beteja për ‘jetë a vdekje’ mes dy grupimeve të PD në mënyrë që të garantojnë në të 6 bashkitë ku po zhvillohet ky ‘test’ i parakohëshëm, vendin e ‘dyshit’ në “hartën” politike shqiptare dhe për pasojë vendin e “njëshit” në partinë më të madhe opozitare, që ta përdorin të nesërmen e këtyre zgjedhjeve si një “atu” treguese se kush e dominon PD-në.

Berisha teksa prezanton vetë kanditatët e hedhur në zgjedhje përmes ‘huazimit’ që i ka bërë siglës së LSI, po bën atë që di të bëjë më mirë dhe që e ka aplikuar gjatë këtyre 30 viteve në politikë, sulmin denigrues ndaj Lulzim Bashës, duke kaluar nga akuzat për peng të Ramës në akuzat për korrupsion, lidhje me elementët kriminalë duke përmendur dosjet e lobikit rus në SHBA dhe “Tayota Yaris”, të ngritur një “oktavë” më lart pas seancës mbi 2 orë të pyetjeve të Bashës nga prokurorët belgë në SPAK.

Maskaradën e “aliazhit” të koalicionit me LSI, Berisha po mundohet ta kompensojë duke mos lënë akuzë pa hedhur në drejtim të Bashës, të stisur ose jo, me përpjekjen për të krijuar idenë tek mbështetësit e PD që Basha është i përlyer, madje më keq se ai vetë dhe se “non grata” ose jo nga SHBA, lideri zyrtar demokrat është një politikan i atakueshëm, i shantazhueshëm dhe pa asnjë perspektivë për të sjellë të djathtën në pushtet.

Deri më tani nuk ka dhënë ndonjë rezultat i dukshëm një skenar i tillë, pasi sallat e takimeve të Berishës me mbështetësit e tij në të 6 bashkitë e vendit të mbetura pa kryetar, janë në të njejtin nivel ose me më pak njerëz se sa kanë qënë në momentet e takimeve të “foltoreve” së famshme.

Kjo tregon se nuk e ka atë mbështetjen e parë Berisha kundër Bashës dhe për më tepër tregon qartë se elektorati që mbështet PD është shumë i lëkundur dhe i frikësuar nga kjo përballje për motive personale mes Berishës dhe Bashës.

Nga ana e tij Lulzim Basha po zhvillon një fushatë të qetë, me nota të qarta mungese interesi në dukje, në këtë përballje të pjesshme për zgjedhjet vendore, për të përcjellë bindjen se rezultati i kësaj gare nuk ndryshon asgjë në balancat e PD dhe lidershipin e nesërm. Pra që do të jetë sërish Basha drejtues i PD, edhe nëse del i treti në të gjitha bashkitë ku ka zgjedhje, pas Ramës e Berishës, dhe duke e qetësuar elektoratin e djathtë se përballja e vërtetë është në zgjedhjet e përgjithshme për pushtetin vendor të vitit të ardhshëem dhe më pas më 2025 për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Eshtë një skemë që po lexohet mirë nga elektorati i djathtë, pavarësisht shpresës së Berishës  për ndonjë zhvillim të papritur në këto zgjedhje dhe në gjykatë ku po shqyrtohen dy kuvendet e PD, ai i 11 dhjetorit të Berishës dhe 18 dhjetorit të Bashës.

Ndërkohë që socialistët, pavarësisht se pa ndonjë zhurmë të madhe po lëvizin si pa ndjerë në përpjekje për të fituar të 6 bashkitë e hedhura për votim më 6 mars, dhe për të garantuar vijueshmërinë e fitoreve të tyre që nga viti 2013 e këtej si dhe krijuar kushtet për fitimin e një mandati të radhës në qeverisjen vendore dhe në qeverisjen qëndrore pas 3 vitesh.

Duke analizuar me kujdes të gjitha këto zhvillime politike brenda PD dhe përballjen me mazhorancën socialiste, ajo që vihet re me sy të lirë është se, PD po shkon me hapa të shpejtë drejt ndarjes së saj në dy parti politike. Nuk do të jetë habi që pas zgjedhjeve të 6 marsit, sido që të dalë rezultati i këtyre zgjedhjeve, dhe sidomos pas vendimit të gjykatës për të dy kuvendet kombëtare të Dhjetorit, situata të jetë e njejtë: Basha do të jetë sërish në krye të PD zyrtare dhe të mbajë vulën e selinë e partisë, ndërsa Berisha të mbajë “Komisionin e Rithemelimit”. Të cilin në kushtet kur nuk ka më asnjë kuptim që në zgjedhjet e radhës të hyjë sërish me kandidatët e vet por nën siglën e LSI të Metës, të krijojë një parti të re politike.

Pra pritet të kemi dy parti “binjake” në PD, të dalë nga “mitra” e kësaj partie, jo në mënyrë të natyrshme siç kanë dalë deri më tani fraksionet nga radhët e PD për të krijuar parti politike më vete, por përmes një “operacioni çezarian” të dhimbshëm, pasi “bisturia” politike mund t’i bjerë përgjysmë kësaj partie duke krijuar dy “binjake” të PD, por “jo-siameze”.

Kësaj situate në favor të ndarjes së dhimbshme po i ndihmon dhe sjellja aspak dinjitoze e aleatëve të djathtë të PD dhe të Bashës, të cilët nuk janë regjistruar as si koalicion me PD dhe as nuk kanë deklaruar mbështetje për kandidatët e Lulzim Bashës më 6 mars.

Nuk janë pa vota PDIU e Shpëtim Idrizit, PAA e Agron Dukës, PR e Fatmir Mediut, LZHK e Dashamir Shehut dhe vargu i gjatë i aleatëve traditcionalë të PD me PBK, PLL dhe partitë e tjera në përbërje. Janë shumë vota, të cilat po të deklaroheshin pro Bashës, do të rrisnin ndjeshëm numrin e mbështetësve të përkthyera në vota për kandidatët zyrtarë të PD më 6 mars. Por dhe frymën për një shpresë fitoreje të mundshme në ndonjë bashki

Por liderët e kjëtyre partive jo vetëm që nuk janë rreshtuar me Bashën në këto zgjedhje, pavarësisht se janë të pjesshme dhe për pushtetin vendor, por nuk kanë dhënë asnjë orientim për elektoratin e tyre se si të votojnë më 6 mars.

Në të gjitha artikulimet publi8ke të liderëve aleatëve të Bashës, thirrja për anëtarësinë dhe mbështetësit e tyre ka qënë në ‘kuadrantin’: Votoni si të dëshironi dhe kandidatin më të mirë, një version subjektiv i një partie politike e cila nuk pozicionohet as pro Bashës dhe as pro Berishës.

Varianti më i mundshëm është që votat e këtyre partive politike, aleate të Bashës, të shkojnë më në shumicë për Berishën, për vetë faktin se kreu zyrtar i PD disa herë i ka lënë në rrugë partitë e vogla. Më 2017 Basha i la jashtë koalicionit pas marrëveshjes në “minutën e fundit” me Ramën, më 2021 ua hoqi siglat e partive dhe i futi brenda koalicionit, duke nxjerrë deputetë liderët politikë për shkak të kushtëzimit që i bëri Kodi i ri Zgjedhor, të cilët gjithsesi kanë mbetur të pakënaqur nga rezultati, performanca e liderit të opozitës Basha dhe mbi të gjitha nga anashkalimi në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve të 25 prillit të vitit të kaluar. Çka e bën më të aksesueshme votën e aleatëve të djathtë nga ana e Berishës, që po tenton ta shfrytëzojë sa më shumë këtë “vakuum” mbështetjeje zyrtare për Bashën.

Ndërkohë që me Berishën kryetar të PD dhe në qeverisje, gjithnjë kanë pasur beneficet e veta si në legjislativ, me deputetë më shumë se sa nga 25 prilli i vitit të kaluar, ashtu dhe në qeverisjen e vendit bashkë me PD, me poste ministrore dhe drejtori të rëndësishme për përfaqësuesit e tyre.

Në rastin më të mirë është një “lojë me dy porta” e liderëve të partive aleate të Bashës, në mënyrë që në rastin e daljes si forcë e dytë politike nga zgjedhjet e 6 marsit e kandidatëve të Berishës të thonë se është një rezultat pozitiv falë dhe votave të tyre, dhe anasjelltas nëse Basha arrin që të mbajë bërthamën mbështetëse të PD sipas trendit të 25 prillit të vitit të kaluar, me plus minuset e veta, të thonë se ishin po votat e tyre që sollën këtë rezultat.

Mungesa definitive e pozicionit të aleatëve të PD, pro Bashës apo kundër tij, dhe për pasojë kundër Berishës apo pro tij, është një nga ato çuditë e politikë shqiptare,  që e bashkuar dhe me rolin e LSI e cila ka prezantuar vetëm kandidatin e Berishës në Durrës dhe në Lushnje por që ka dhënë “hua” siglën për Berishën, përbën një precedent aspak serioz për politikën shqiptare.

Gjithsesi të presim zhvillimet e mëtejshme. 6 marsi do dhe 17-18 ditë që të vijë, për të përcaktuar dominancën brenda PD, jo se Basha do lëshojë drejtimin e kësaj partie, por thjeshtë dhe vetëm për të parë raportet që mund të kenë dy partitë e reja që do dalin nga partia më e madhe aktuale opozitare.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit