Pozicionimi turko-iranian ndaj Sirisë, ku Ankaraja kërkon më tepër se goditje të limituara kundër regjimit dhe Teherani që thotë se kushdo që sulmon Bashar Al-Assad duhet të vuajë pasojat, shërben si shenjë treguese e lindjes së një rendi të ri në Lindjen e Mesme. Ashtu siç e transformoi Lindjen e Mesme Lufta e Parë Botërore që i dha fund rendit Otoman dhe krijoi shtetet kombe të ditëve tona, ashtu edhe Pranvera Arabe e ka rikalibruar sistemin rajonal duke krijuar nje Lindje të Mesme me tre boshte: një bosht Turqi-kurdë-Vëllazëria Myslimane (VM), një bosht Iran-shiitë dhe një bosht Arabia Saudite-monarkitë pro status quo-së. Në këtë ripozicionim fluid, shtet kombe teknikisht nuk do të zhduken, por kufijtë do të tejkalohen gjithnjë e më shumë nga këto boshte teksa ato do të sfidojnë regjime të ndryshme në rajon, në përpjekje për të sjellë në pushtet aleatët e tyre. Forcat që përfaqësojnë politikën e jashtme në zgjerim të Iranit, pozicionimi pro-VM i Turqisë dhe dëshira e sauditëve për të ruajtur regjimet e mbetura të rajonit do të krijojnë fërkime që do të shtrihen përmes kufijve dhe do të ngrenë tensione që do ushqejnë përplasjet sektare, në emër të arritjes së qëllimeve të tyre realiste. E reja nuk qëndron te konkurrenca, por te mënyra se si ky rivalitet po shfaqet. Në periudhën para Pranverës Arabe, shtetet myslimane dominuese në rajon – Egjipti, Turqia, Irani dhe Arabia Saudite – e sfidonin njëri-tjetrin duke mbështetur modele të ndryshme të qeverisjes e duke promovuar vlera të kundërta. Megjithatë, kjo konkurencë zakonisht nuk mori kthesa veçanërisht të dhunshme, me përjashtim të Libanit, një shtet i dobët që gjithmonë ka qenë i ekspozuar ndaj rivaliteteve rajonale dhe sektare, dhe Irakut, ku sauditët dhe iranianët përfituan nga vakuumi pas 2003-shit për të mbështetur milicitë sunite dhe shiite në luftë me njëra-tjetrën. Turbullira e Pranverës Arabe, megjithatë, i ndryshoi rregullat e lojës duke rritur përmasat dhe qëllimet e këtyre rivaliteteve rajonale. Së pari, kryengritjet dobësuan shtetet autoritare në rajon, duke krijuar hapësira të reja për shfaqjen e tyre (rivaliteteve). Lufta civile në Siri është një rast që po ndodh. Së dyti, paraliza e Egjiptit e nxorri atë jashtë lojës katërshe në rajon. Polarizimi i dhunshëm politik e transformoi Egjiptin, ‘spirancën e botës arabe’, në një tjetër teatër për konkurencën rajonale mes tre fuqive të mbetura myslimane: Turqisë, Iranit dhe Arabisë Saudite. Turqia ka ndryshuar gjithashtu. Nën qeverisjen e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), Ankaraja e ka braktisur pikëpamjen kemaliste mbi botën. Dikur e lënë mënjanë si parti ekstreme islamike, por së fundmi e rehabilituar, AKP e sheh veten si një model i përparuar për VM dhe ka angazhuar në këtë drejtim partitë simotra të VM në rajon. Turqia e Ataturkut e shikonte Lindjen e Mesme nga perëndimi. Turqia e re ka një qëndrim të ri ndaj rajonit; e sheh atë nga pozicioni pro-VM i AKP-së. Elitat e AKP-së besojnë se nëse ato ia dolën të moderoheshin e të vinin në pushtet përmes zgjedhjeve në Ankara, VM-të e ngjashme në Egjipt dhe Siri do duhet të bëjnë të njëjtën gjë në Kajro dhe Damask. Dhe ja, ëndrra turke: një rajon që drejtohet nga partitë VM të cilat shohin nga Turqia për drejtim. Kjo shpjegon pse Ankaraja është e tmerruar nga përgjigja e Uashingtonit ndaj rrëzimit të qeverisë së Mohamed Morsit, duke lëshuar si rrallëherë një qortim publik ndaj Uashingtonit ku fajësohej ashpër SHBA dhe Perëndimi për gjakderdhjen në Egjipt. Ndërsa Uashingtoni e pranoi rrëzimin e VM në Egjipt, forcat pro-status quo në rajon, përfshirë Jordaninë, Arabinë Saudite, Kuvajtin dhe Emiratet e Bashkuara aktualisht e mbështetën ndërhyrjen ushtarake kundër VM. Këto monarki s’e durojnë dot turbullimin që solli Pranvera Arabe. Sauditët nuk e pëlqejnë idenë e një demokracie islamike të drejtuar nga VM, sepse ende e shohin atë si turbulluese dhe destabilizuese. Irani ndërkohë ka përfituar nga Pranvera Arabe për të mobilizuar shiitët duke krijuar mitin se lëvizja pro-demokratike kundër regjimit të Assad në Siri është një kryengritje e sunitëve ndaj minoritetit alaëit, një sekt i dalë nga Shiizmi. Kjo pastaj u përdor për të luajtur kartën e sindromës së persekutimit të shiitëve në rajon duke i mobilizuar ata nga Iraku në Liban, në Siri e duke i mbledhur rreth kauzës së mbajtjes në këmbë të Assadit. Irani gjithashtu mbështet rebelët e minoritetit shiit në Jemen, që luftojnë me qeverinë e mbështetur nga Arabia Saudite. Në të njëjtën kohë, sauditët shtypën një kryengritje pro-demokratike të shumicës Shiite në Bahrein. Këto lëvizje ndihmuan që të thellohen ndasitë sektare në rajon, sidomos në pjesën veriore të ‘Fertile Crescent’ (Gjysmëhënës Pjellore, emërtim për zonën e Lindjes së Mesme ku lindën qytetërimet e vjetra). Kjo zonë përbëhet nga tre shtete të dobëta, Libani, Siria dhe Iraku dhe është teatri kryesor për rivalitetet rajonale, kufijtë e të cilave po mpleksen gjithnjë e më tepër. Shiitët e veriut të Gjysëmhënës Pjellore po bëjnë aleancë me njëri-tjetrin dhe Iranin në mënyra që nuk mbahen mend më parë. Turqia, politika e të cilës për ndryshim regjimi në Siri është penguar nga Irani, i ka hyrë garës së Gjysëmhënës Pjellore duke u dhënë mbështetje partive VM të Sirisë dhe Irakut. Kjo lëvizje i ka pozicionuar si armiq Ankaranë dhe Damaskun dhe po ashtu ka ftohur lidhjet mes Ankarasë dhe Bagdadit ku qeveria drejtohet nga shiitë që Turqia i quan argatë të Iranit. Kurdët e Irakut, të shqetësuar nga forcimi i qeverisë qendrore në Bagdad, përfituan nga situata dhe janë afruar më tepër me Ankaranë, duke forcuar lidhejt që ka nisur zhvillimi i korridorit të energjisë mes tyre. Edhe kurdët e Sirisë po kërkojnë mbrojtjen e Turqisë. Bisedimet e fundit për paqe mes Turqisë dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), që ka ndikim jo vetëm mes kurdëve të Turqisë, por edhe mes atyre të Sirisë, do të ndihmojnë më tej në këtë afrim. Në të njëjtën kohë gjithsesi, politika e Turqisë ka mbetur pa u finalizuar. Vëllazëria ra nga qeveria në Egjipt, dështoi në përzgjedhjen e kandidatit të saj për të drejtuar opozitën siriane dhe u la mënjanë në Libi. Katari, që deri tani ishte aleat i Ankarasë në financimin e partive të stilit VM, duket se po ndryshon qëndrim pas një ndryshimi të papritur në udhëheqje në Doha. Lindja e Mesme tre-aksiale përfshin edhe aleanca taktike. Në Siri, për shembull, megjithëse Turqia dhe sauditët mbështesin kampe të ndryshme në opozitë, ata janë gjithsesi të bashkuar kundër Iranit. Në të njëjtën kohë, Ankaraja dhe Riadi sfidojnë njëri-tjetrin në Egjipt ku Turqia mbështet Vëllazërinë Myslimane të Morsit, kurse sauditët qeverinë e gjeneral Sisit. Kjo krijon një Lindje të Mesme tre-aksiale, ku Turqia, Irani dhe Arabia Saudite kundërshtojnë njëri-tjetrin në aleanca të ndryshueshme, në përpjekje për të vendosur një rend të ri në rajon. Me kalimin e kohës, është e paqartë nëse Riadi do të vazhdojë të përdorë ndikimin financiar dhe politik mes regjimeve sunite, veçanërisht monarkive, për të mbështetur qëndrimin e tij pro-status quo. Për Iranin, Siria është bashi I përpjekjes së tij për të shtrirë ndikimin më larg se Iraku me qeverisje Shiite dhe do të përcaktojë nëse ky do të bëhet një aktor vendimarrës strategjik më i shtrirë , apo do të mbetet relativisht i kufizuar. Ndërsa Turqia jo-arabe, duke mbështetur çdo parti VM në rajon, do e shohë influencën e vet të shtohet e pakësohet teksa kryhet revolucioni i çdo vendi, megjithëse lidhja e Ankarasë me kurdët mund të jetë më e qendrueshme. SHBA e shpërdoroi Pranverën Arabe duke mos u bërë palë me demokracinë liberale, një axhendë që nuk promovohej nga asnjë prej tre fuqive rajonale. Qytetarët e rajonit iu kthyen përsëri slloganeve anti-amerikane për t’i dhënë shpjegim situatës së destabilizuar dhe të rrezikshme. Në të ardhmen Uashingtonit do t’i duhet t’i japë drejtim kësaj Lindje të Mesme të re. Përndryshe, harta politike dhe ideologjike e rajonit do të rikrijohet nga shtete me influencë më të madhe në zonë.
*Washington Institute for Near East Policiy dhe Parag Khanna, New America Foundation
*Përktheu: Edvin Parruca
/Shqiptarja.com
*Washington Institute for Near East Policiy dhe Parag Khanna, New America Foundation
*Përktheu: Edvin Parruca
