Liria, gruaja që punon fatorino
me dëshirë: Jam krenare

Liria, gruaja që punon fatorino<br />me dëshirë: Jam krenare<br /><br>
Liria, ashtu si tregon edhe emri i saj, për rastësi të bukur të fatit, apo zgjedhje të guximshme të saj, ka zgjedhur të ushtrojë profesionin e fatorinos e lirë, e pakompleksuar nga etiketimet e shoqërisë. Por duket se Liria e ka kapërcyer këtë barrierë, e sot do të flasim me të, pasi përveçse rasti i saj është një model shumë i mirë, ajo; si gjithë fatorinot e tjerë, është pjesë e një sistemi të pasigurt, çka domethënë se profesioni i tyre është zhdukur në shumë shtete duke u zëvendësuar kështu me makineritë e prerjes së biletave. E kjo me siguri s’do vonojë të ndodh edhe në Shqipëri. Ndaj si ndihen ata kur mendojnë për të ardhmen?

E ndër të tjera, fatorinot janë ndër njerëzit e shërbimeve publike më të sulmuar në Shqipëri. Kaq shumë të gjykuar e të përfolur, do përpiqemi të kuptojmë se ku qëndron problemi mes qytetarëve e këtyre njerëzve që marrin qindarka e japin bileta.

Edhe pse është 59 vjeç, Liria vazhdon ti thotë PO punës, edhe pse kjo punë është thjesht një biletaprerës (fatorino në gjuhën e zakonshme). Një punë të cilën e ushtron prej vitesh me dëshirë dhe modesti, ndryshe nga kolegët e saj djelmosha 20 e kusur vjeç, që i shohim shpesh nëpër linja autobusësh apo fugonash, të cilët për të qenë të sinqertë, nuk kanë pikë modestie e mirësjellje... Ndërsa Liria, me flokët e kapura gjithmonë bisht, të cilat i nxjerrin në pah thinjat, dhe duart e vyshkura që mbajnë pa forco biletat dhe lekët e pasagjerëve e ka të lehtë të kuptojë se dikush e merr autobusin edhe kur nuk ka lekë për të paguar biletën. Në këtë mënyrë Liria ka krijuar një personazh shumë të dashur për përdoruesit e linjës së autobusit Kashar e Yzberisht.  Një personazh që ashtu me heshtje, me përkushtim, me buzëqeshje, me urtësi ;  pa mendjemadhësi, pa ulëritur, pa u shfaqur me dhunë, pa kërkuar llogari e pa u hequr si pronare; kryen çdo ditë detyrën për të cilën paguhet çdo fund muaji.

Intervista me faturino Lirien:
-Lirie kur ke filluar punë?

Po e kam bërë me shkëputje, se kam punuar edhe në Sauk edhe e lashë.

-Si nisi e gjithë kjo?
Me thënë të drejtën ishim papunë të gjithë. Me burrë, me fëmijë edhe unë, vetëm goca ishte në punë. Edhe kërkova punë, duke pyetur një shok më thotë a vjen faturino edhe takoj dispecion, i them jam papunë, burrin e kam papunë dhe të sëmurë, si t’ia bëjmë. Më tha hajde nesër bëj nja një javë praktikë. Unë dy ditë bëra, ditën e tretë në punë.

-Me pagesën ka pasur probleme?
Jo, atje në Sauk jo, e kishim me normë punën, dorëzonim lekët në darkë. Ishim në rregull.

-Të ka ndodhur ndonjë incident me dorëzimin, p.sh të të kenë humbur lekët e turnit?
Jo, s’më ka ndodhur asnjëherë. Edhe rrogën e merrnim tamam. 

-Për çfarë arsye e le?
E lashë jo për lodhje por ishte me normë, edhe u mërzita. E lashë vetë, se më mërzitnin njerëzit e Saukut të Vjetër. Sjellja e njerëzve të Saukut të vjetër shumë keq,  me të rinj me të vjetër me kalamanj. Jo të përbuznin, por s’jepnin lekët, unë e kisha me normë. Vetëm në Sauk të vjetër kam hasur vështirësi. Dhe si përfundim ai më thoshte fut 5 mijë lekë në darkë, u bënë 4 ditë edhe ika vetë.

-Po tek linja ku punon tani?
Tani janë njerëzit shumë të mirë, të sjellshëm.. edhe kur nuk kam mendjen se ka njerëz shumë, ata të thonë vetë... Këtu s’kam pasur vështirësi, vetëm në Sauk. As me njeri nuk jam zënë dhe s’kam pse zihem. Nuk kam thotë ai, nuk ka ku ti gjej..edhe kontrollorët janë të arsyeshëm, i them unë kam një pa biletë, më thotë kush është dhe s’ka problem.

-Sa orë të duhet të punosh?
8 orë duhet të punosh, por ka mundësi edhe 16 orë ose 12 orë.

-Dhe ti paguhesh për këtë?
Jo për t’u paguar, paguhesh, 8 orë- 12 orë sa të bësh punën paguhesh. Në rregull është. Dhe tani kam filluar pas Vitit të Ri këtu. Më pëlqen, e bëj dhe ndihem shumë mirë.

-Por nuk të komplekson ideja që je e vetmja grua mes shumë burrave?
Absolutisht, jam shumë krenare, jam shumë e rregullt, më pëlqen, më pëlqen.

-Çfarë reagimi vë re tek njerëzit?
Tek njerëzit, tek gratë më shumë por edhe burrat thonë: Ua sa mirë faturino, pse nuk punojnë edhe të tjerat. Mirë po ne kërkojmë në fakt, por nuk vijnë. Mua më pëlqen, edhe nuk më bën përshtypje fare. Edhe njerëzit janë shumë të mirë, në përgjithësi.

-Në fakt, ajo që dëgjojmë rreth e rrotull për faturinot edhe figurën e tyre nuk është pozitive. Domethënë njerëzit ankohen shpesh se nuk jeni shumë të sjellshëm, shpeshherë arrogant, ndonjëherë të dhunshëm. Çfarë mendon ti për këtë dhe a është vërtetë kështu realiteti?
Unë me thënë të drejtën kush më ka parë më ka falënderuar.. Të lumtë je e zonja, je një femër që e bën punën dhe ndjejmë kënaqësi për këtë që bën. Por nuk janë të gjithë njësoj. Por unë mbaj drejtimin tim.

-Cila ka qenë vështirësia jote më e madhe nga dita e parë deri më sot?
Unë herën e parë dy ditë bëra praktikë dhe direkt. Nuk kam pasur asnjë lloj vështirësie, nuk kam pasur dhe nuk kam.

-Po në lidhje me njerëzit. Cila ka qenë fyerja ose incidenti më i rëndë që të ka ndodhur?
Më i rëndi, vetëm për këto oraret kur se kapim dot që ka trafik mund të flasin njerëzit si t’ju nxjerri goja.

-Të mërzit kjo?
Më mërzit, patjetër që më mërzit, por kur e provojnë vetë që ka trafik edhe thonë paske pasur të drejtë. Kaq nuk më bën përshtypje. Nuk më kanë ofenduar me thënë të drejtën, vetëm kaq : Se zbatoni orarin!;Pastaj shoferi përgjigjet për orarin...

-Por çfarë raporti ke me shoferët dhe kolegët?
Raport shumë të mirë me shoferët dhe kolegët. Me shoferët kam të bëjë në fakt, por nuk i ndërhyj për oraret se e dinë vetë se kemi letrën përpara, e di vetë shoferi nuk i ndërhyj. Ndonjë që ka fëmijë apo çanta e ndihmoj, u them që a ka mundësi t’ia zbresim. Pra shkoj shumë mirë me kolegët dhe shoferët, se unë jam vetëm tani por kur mbarojmë pimë nga një kafe..kaq.

-Po familja jote çfarë thotë për profesionin tënd?
Familja ime jo të gjithë janë dakord. Burri thotë mirë, ndërsa 3 fëmijët... Goca e madhe thotë të lumtë, vazhdo mami sa të kesh mundësi, është krenare. Ndërsa dy fëmijët e tjerë jo, lërë sot lëre nesër punën me shpirt. Kur kam aftësi ta bëj.. por nuk ndihen mirë të dy edhe çuni edhe vajza tjetër se thonë është turp. Por puna nuk është turp. Absolutisht jo, unë e kam për krenari të punoj.

-Domethënë burrin e ke pasur gjithmonë mbështetje?
Po sepse e kam të papunë edhe më duhet të punoj.

-Po pse nuk ju shoqëron ai për të punuar bashkë?
Nuk e bëj dot thotë me letra me gjëra.. Pse të më shoqëroj për xhelozi edhe gjëra, absolutisht.. I them unë hajde puno se ka vend pune, por me thotë që nuk e bëj dot.

-Punon me turne?
Me thënë të drejtën më kanë privilegjuar si femër, punoj gjithmonë turni i parë. Vetëm me raste, ja si sot p.sh që i ka ndodhur vdekja kolegut, do punoj edhe turni i dytë. Do bëj sakrificë dhe 8 orë të tjera, sepse s’ka faturino tjetër për momentin.

-Ke frikë orëve të vona?
Absolutisht jo, njerëzit janë të sjellshëm..

-Si ka ndryshuar sjellja e njerëzve nga hera e parë që të kanë parë me sot?
Me njerëzit ngaqë nuk i njihja, më shihnin tamam me një përbuzje, Po kjo femër çdo kjo..

-Ku e sheh më shumë reagimin tek meshkujt apo femrat?
Meshkujt të thonë bravo të qoftë, ndërsa gratë rrinë pak me përbuzje, thonë: Si femër ti, kush të ka futur... I them unë hajde dhe ti, se ka vend prapë për femra dhe nuk vijnë. Por unë ndihem shumë në rregull.

-Besoj se jeni në dijeni që z.Veliaj ka paralajmëruar se shumë shpejt do të futen në përdorim biletat dhe abonetë elektronike. Në fakt edhe në Europë nuk ka një faturino, çdo gjë është automatike. Si ndiheni për këtë fakt që kjo do aplikohet edhe në Shqipëri?
Mendoj që do ngelem e papunë.

-Të tremb kjo?
Tremb jo, pse të më tremb se punë ka sa të duash.

-Çfarë mund të bëni tjetër, nëqoftëse shoqëria nuk ka nevojë më për profesionin e faturinos?
Unë kam punuar më parë  edhe nëpër shtëpia, kam mbajtur fëmijë, kam mbajtur pleqëri. Kam punuar para se të vij këtu. Dhe prapë zgjedh këtë e më kërkojnë për të punuar, se më pëlqen kjo si punë. E bëj me dëshirë, me dëshirë të madhe.

-Me pagesë ja vlen?
Për pagesë deri tani nuk ja vlen me thënë të drejtën. 7 mijë lekë në ditë.. Tani na ka thënë që e ka ngritur rrogën, por të shikojmë se nuk e kemi marrë akoma. Në qoftë se po do vazhdoj të punoj edhe më me dëshirë.

liria
Liria, fatorino e autobusit të linjës së Ksharit dhe Yzberishtit

Konkluzioni
Menaxheri: Një faturino femër e respektojnë më tepër
Lirien e njohin të gjithë. Menaxheri i kësaj linjë flet me respekt dhe përulje për punën që bën kolegia e tyre në shërbim të mijëra banorëve të Tiranës që zgjedhin për të udhëtuar transportin publik.

Intervista me menaxherin e linjës së autobusit:
-Ju e keni gjetur Lirien apo Liria ju ka gjetur ju?
Ne e kemi gjetur Lirien.

-Si ishte kontakti i parë edhe sa e lehtë ishte që të pranonte një femër të punonte faturino?
Kontakti i parë me Lirien ishte përmes njoftimit që nxorëm për faturino. Liria është një faturino e vjetër në urban, edhe për ne ishte kënaqësi që ta merrnim në punë dhe jemi shumë të kënaqur me punën e saj.

-Ndikon fakti që është femër?
Jo nuk ndikon fare, ndikon vetëm për mirë se të gjithë pasagjerët e respektojnë më tepër, punonjësit e respektojnë më tepër dhe ne mundohemi që ta respektojmë më tepër.

-Favorizohet Liria nga faturinot e tjerë meshkuj?
Këtu nuk ka favorizime. Ajo zbaton rregullat e kompanisë si të gjithë, pastaj favorizimet janë gjëra të vogla përsa i përket orareve të mbylljes së turneve.

menaxheri dhe nje nga pasagjeret
Menaxheri i linjes dhe nje nga pasagjeret

Vlerësimi
Shoferi: Përbuzja e njerëzve ndaj Liries, mentalitet i dobët
Për një udhëtim sa më të mbarë bashkëpunimi fatorino shofer merr një rëndësi të posaçme. Njërin nga shoferët e kësaj linje që punon me Lirien, vlerëson dëshirën e saj për të punuar dhe gjykon se njerëzit që e shohin me përbuzje Lirien e kanë nga mentaliteti i dobët i njerëzve.

Intervista me shoferin:

-Çfarë raporti keni me zonja Lirien dhe si ju është dukur që një grua do punojë faturino?
Raportin me Lirien e kemi shumë të mirë, e respektojmë më shumë se faturinot e tjera dhe e kemi pritur si zakonisht se në kohë të mëparshme ka pasur femra faturino dhe nuk më bën përshtypje.

-Por ditët e sotme... 
Mentaliteti i dobët i njerëzve!

-Do doje që gruaja juaj të punonte këtë profesion?
Po ta bënte me dëshirë pse jo, por nuk e bën dot. Ja njoh kapacitetin, sepse ka tipin e ndrojtur..

Përshtypjet
Pasagjerët: Puna është nder, por jo e drejtë gruaja të punojë faturino

Por çfarë mendojnë pasagjerët kur përballen me një grua fatorino gjë e cila nuk ndodh shpesh në linjat e autobusëve të Tiranës?

shoferi
Shoferi i autobusit

Intervista me pasagjerët:

-Si e shihni një faturino femër, zakonisht në këtë profesion ka meshkuj...
Qytetari i parë: Emancipimi duhet të ecë përpara, jo të ecë mbrapa. Ajo është një faturino e zonja dhe e rregullt.

-Çfarë keni menduar për herë të parë kur keni parë një faturino grua?
Qytetarja e dytë: Na ka pëlqyer shumë ideja...
Qytetari 18 vjeçar: Hallall ja bëftë zoti!
Djaloshi: Mirë më duket, por herën e parë kam filluar të qesh sepse nuk më është dukur shumë e drejtë që një grua të sakrifikojë në këtë punë. (I pyetur se a do donte që e ëma të punonte në këtë profesion, djaloshi përgjigjet me një jo të prerë.)

-Po të ishit ju në vend të Liries, do kishit pranuar ta bënit këtë profesion?
Qytetarja e dytë: Po patjetër pse jo, puna është nder.

-Në qoftë se do ishte mamaja juaj që do ishte nevoja ta bënte këtë profesion do kishit pranuar?
Qytetari 18 vjeçar: Po nuk është punë e pisët kjo, punë e ndershme është..pse mos të pranoj. Tabunë e krijojmë ne, duke menduar ça mendojnë të tjerët.. është në dorën tonë.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë